SYRI TV/ Raporti i dy qendra të pavarura studimore ngrejnë shqetësimet për lirinë e medias në Shqipëri

13:52, 06/10/2024
A+ Aa A-

Një raport i botuar nga dy qendrat e pavaruara, SCiDEV dhe OBCT, ngre shqetësimin se është rritur numri i padive ndaj gazetarëve dhe këto padi, po përdoren si mjet për të hetuar median. Raporti thekson se gazetaria e pavarur dhe liria e shprehjes në Shqipëri janë nën kërcënim të vazhdueshëm, pasi mediat janë të kapura nga interesa të ngushta politike dhe ekonomike.

Nga SYRI TV

Një raport i botuar së fundmi nga dy qendra të pavarura që merren me studimin e medias, ka ngrittur shqetësimin se  Gazetaria e pavarur dhe liria e shprehjes në Shqipëri është nën kërcënim të vazhdueshëm, ndërsa mediat janë shpesh herë të kapura nga interesa të ngushta politike dhe ekonomike.

Raporti i botuar nga qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim dhe Observatori i Ballkanit dhe Kaukazit Transeuropa evidenton me shqetësim, shtimin e padive ndaj  gazetarëve dhe sulmet në rritje ndaj tyre.  Sipas raportit, gjatë vitit të shkuar, deri në muajin korrik 2024, janë raportuar 43 padi ndaj gazetarëve apo punonjësve të mediave, ku 38 prej tyre ishin regjistruar në Gjykatën e Tiranës.Paralelisht gjatë kësaj periudhe kishte 28 çështje në Apel dhe dy të tjera në Gjykatën e Lartë.

Një numër i madh padish ligjore kundër gazetarëve është përdorur si një mjet për t’i heshtur ata. Gjykatat janë shpesh të ndikuara nga politika dhe biznesi, duke e bërë mbrojtjen ligjore të gazetarëve jashtëzakonisht të vështirë.

Në raportin e tyre SCiDEV dhe OBCT  shprehin shqetësimin se Gazetarët përballen me autocensurë të detyruar, pasi shpesh janë të frikësuar nga pasojat që mund të kenë raportimet kritike për qeverinë ose për bizneset e mëdha.

Sipas raportit, 94% e mediave kryesore në Shqipëri janë të kontrolluara nga një numër i vogël pronarësh me lidhje të forta politike dhe ekonomike.Ky përqendrim i pronësisë ka ndikuar negativisht në pavarësinë editoriale, duke krijuar një mjedis ku mbulimi i lajmeve ndikohet nga interesat komerciale ose politike të pronarëve.Raporti  thekson se janë shtuar Sulmet fizike dhe verbale ndaj gazetarëve janë gjithashtu në rritje.

Në vitin 2023, Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt dokumentoi 24 raste të sulmeve kundër gazetarëve dhe profesionistëve të medias, 9 prej të cilave ishin sulme të drejtpërdrejta ndaj disa gazetarëve apo grupeve të profesionistëve të mediave. Gjatë vitit 2024, në periudhën janar-korrik janë regjistruar 19 raste.

Më tej  ngrihet shqetësimi se gazetarët që raportojnë për korrupsionin dhe abuzimet e pushtetit shpesh përballen me ndëshkime të ndryshme, duke përfshirë paditë e shumta ligjore.

Raporti nënvizon se figurat politike urdhërojnë kryesisht sulme kundër mediave kritike, investigative ose gazetarëve të pavarur, duke përmendur rastin e gazetares  Ola Xamës.

Në raportin e  SCiDEV theksohet  se për të përmirësuar situatën e medias në Shqipëri, duhet të merren masa për të garantuar pavarësinë editoriale dhe për të mbrojtur gazetarët nga presioni politik dhe ekonomik. Raporti  përfundon me një  thirrje drejtuar  Bashkimit Europian që të ketë si përparësi mbrojtjen e lirisë së medias në negociatat e anëtarësimit, duke evidentuar se sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave janë sulme të drejtpërdrejta kundër demokracisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco