Raporti: Paditë dhe sulmet ndaj gazetarëve në Shqipëri në rritje! Gjykatat të ndikuara nga politika

Raporti: Paditë dhe sulmet ndaj gazetarëve në Shqipëri në rritje! Gjykatat të ndikuara nga politika

21:36, 05/10/2024
A+ Aa A-

Gazetaria e pavarur dhe liria e shprehjes në Shqipëri është nën kërcënim të vazhdueshëm, ndërsa mediat janë shpesh herë të kapura nga interesa të ngushta politike dhe ekonomike.

Ky përfundim është nxjerrë në pah nga një raport i botuar së fundmi nga dy qendra të pavarura që merren me studimin e medias, të cilat kanë përmbledhur me shqetësim rritjen e padive dhe sulmeve ndaj gazetarëve.

Raporti (Shkarko dokumentin) i botuar nga qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) dhe Observatori i Ballkanit dhe Kaukazit Transeuropa (OBCT) nxjerr në pah faktin shqetësues të shtimit të padive ndaj gazetarëve.

Kështu, sipas raportit, gjatë vitit të shkuar, deri në muajin korrik 2024, janë raportuar 43 padi ndaj gazetarëve apo punonjësve të mediave, ku 38 prej tyre ishin regjistruar në Gjykatën e Tiranës.

Paralelisht gjatë kësaj periudhe kishte 28 çështje në Apel dhe dy të tjera në Gjykatën e Lartë.

Kjo atmosferë ka ndikuar negativisht mbi cilësinë e gazetarisë hulumtuese, pasi shumë media janë nën presion që të mbulojnë ose të mos mbulojnë lajme të caktuara.

“Një numër i madh padish ligjore kundër gazetarëve është përdorur si një mjet për t’i heshtur ata. Gjykatat janë shpesh të ndikuara nga politika dhe biznesi, duke e bërë mbrojtjen ligjore të gazetarëve jashtëzakonisht të vështirë”, citohet në raport.

Shqipëria nuk ka regjistër elektronik për çështjet ndaj gazetarëve, ndonëse sistemi aktual i Gjykatës së Tiranës e lejon një kategorizim të tillë, siç shpjegohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Në raportin e tyre SCiDEV dhe OBCT konsiderojnë autocensurën si një ndër problematikat më shqetësuese të lirisë së medias në vend.

“Gazetarët përballen me autocensurë të detyruar, pasi shpesh janë të frikësuar nga pasojat që mund të kenë raportimet kritike për qeverinë ose për bizneset e mëdha”, thuhet në raport.

Sipas raportit, 94% e mediave kryesore në Shqipëri janë të kontrolluara nga një numër i vogël pronarësh me lidhje të forta politike dhe ekonomike.

Ky përqendrim i pronësisë ka ndikuar negativisht në pavarësinë editoriale, duke krijuar një mjedis ku mbulimi i lajmeve ndikohet nga interesat komerciale ose politike të pronarëve.

Raporti thekson se presioni politik mbi median është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Gazetarët dhe redaksitë shpesh përballen me sulme verbale, kërcënime dhe përndjekje të hapura nga zyrtarët.

Raporti citon se më shumë se 70% e gazetarëve të anketuar pranojnë se janë vetëcensuruar për të mos rrezikuar pozitat e tyre profesionale ose për t’u mbrojtur nga pasoja ligjore dhe politike.

Një rast konkret i përfshirë në raport është ai i gazetarit investigativ Elvis Hila, i cili është përballur me sulme fizike dhe kërcënime të drejtpërdrejta nga politikanë lokalë pas publikimit të një artikulli që zbulonte skema korruptive në njësitë lokale të pushtetit.

Sulmet fizike dhe verbale ndaj gazetarëve janë gjithashtu në rritje.

Në vitin 2023, Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt dokumentoi 24 raste të sulmeve kundër gazetarëve dhe profesionistëve të medias, 9 prej të cilave ishin sulme të drejtpërdrejta ndaj disa gazetarëve apo grupeve të profesionistëve të mediave. Gjatë vitit 2024, në periudhën janar-korrik janë regjistruar 19 raste.

Raporti nënvizon se ka një mospërputhje të dukshme në numrin e raportuar nga institucionet me atë të policisë që raporton 5 raste sulmesh në vitin 2023 dhe prokuroria që raporton 7 raste.

“Kjo mospërputhje nënvizon nevojën për regjistrim dhe publikim sistematik dhe të saktë të të dhënave për sulmet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias si nga policia ashtu edhe prokuroria”, thuhet në raport.

Një tjetër shqetësim madhor janë pengesat për gazetarët që duan të ushtrojnë gazetarinë investigative. Raporti përmend që qasja në informacion mbetet e vështirë, dhe gazetarët përballen me një burokraci të rëndë kur përpiqen të marrin informacione publike nga institucionet shtetërore.

Për më tepër, gazetarët që raportojnë për korrupsionin dhe abuzimet e pushtetit shpesh përballen me ndëshkime të ndryshme, duke përfshirë paditë e shumta ligjore.

Raporti zbulon se vetëm 15% e kërkesave për informacion të bëra nga gazetarët janë pranuar brenda afatit ligjor. Për më tepër, shumë nga informacionet e dhëna janë të pjesshme ose të manipuluara, duke e bërë të vështirë për gazetarët të kryejnë një analizë të plotë dhe të saktë të çështjeve të ndjeshme publike.

Në një zhvillim të ri, media online dhe rrjetet sociale po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në informimin e publikut.

Megjithatë, raporti shpreh shqetësime për dezinformimin dhe mungesën e transparencës së shumë mediave online. Mungesa e rregullimit efektiv të këtyre mediave ka sjellë një rritje të lajmeve të rreme dhe manipulimit të opinionit publik.

Më shumë se 50% e faqeve online nuk kanë të dhëna të qarta për pronarët dhe veprojnë në mënyrë anonime, duke kontribuar në përhapjen e lajmeve të rreme dhe manipulimit të opinionit publik.

“Rritja e medias online ka sjellë një përhapje të dezinformimit, ndërsa mungesa e rregullimit ka bërë që shumë platforma të operojnë pa transparencë dhe standarde etike”, përcjell raporti.

Një shqetësim në rritje që është evidentuar nga raporit janë dhe sulmet kibernetike ndaj medias.

“Në vitin 2024, sulmet kibernetike nxorën në pah sfida të mëdha për mediat e pavarura (rasti i Citizens), duke theksuar domosdoshmërinë që agjencitë e zbatimit të ligjit të pajisen me burime të mjaftueshme për të adresuar numrin në rritje të këtyre incidenteve që kanë si objektiv gazetarët si dhe qytetarët në përgjithësi”, thuhet në raport.

Raporti nënvizon se figurat politike urdhërojnë kryesisht sulme kundër mediave kritike, investigative ose gazetarëve të pavarur, duke përmendur rastin e Ola Xamës.

Numri aktual i incidenteve ka të ngjarë të tejkalojë numrin e rasteve të dokumentuara, duke theksuar rëndësinë e fuqizimit të gazetarëve në lidhje me të drejtat dhe mbrojtjen e tyre.

Raporti vëren segazetaret gra në Shqipëri vazhdojnë të raportojnë raste të ngacmimeve seksuale, dhunës online dhe fushatave të shpifjes si format më të zakonshme të presioneve me bazë gjinore me të cilat përballen ato.

“Këto presione shpesh nuk raportohen”, thotë raporti dhe shton se shumë gazetare mendojnë se ankesat e tyre nuk do të merren seriozisht ose gazetaret do të përballen me hakmarrje në rast se denoncojnë.

“Për më tepër, ka shqetësime në rritje për dizinformimin me bazë gjinore dhe për dhunën online ndaj gazetareve gra”, vijon më tej raporti.

Raporti i SciDev sugjeron se për të përmirësuar situatën e medias në Shqipëri, duhet të merren masa për të garantuar pavarësinë editoriale dhe për të mbrojtur gazetarët nga presioni politik dhe ekonomik.

Rekomandohet gjithashtu një rritje e transparencës në pronësinë e mediave dhe një qasje më e lehtë në informacionin publik./ citizen/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco