Berisha: Tik-taku po tmerron Edi Ramën. Liria ka një emër, ajo quhet votë e lirë! 7 tetori, dita e mosbindjes civile masive

20:40, 05/10/2024
A+ Aa A-

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në ditën e 278-të të tubimit qytetar, theksoi se dallimi më i rëndësishëm mes njeriut të lirë dhe atij të mjeruar qëndron në respektimin e vullnetit individual. Ai theksoi se Partia Demokratike, në misionin e saj historik për rikthimin e votës së lirë dhe të shtetit ligjor në Shqipëri, do të nisë betejën e saj të madhe këtë të hënë – një betejë që ai e quajti si të shekullit dhe të triumfit.

Berisha gjithashtu u shpreh për protestën kombëtare të thirrur më 7 tetor në orën 18:00 përpara kryeministrisë, duke e quajtur këtë ngjarje si “betejën e jetës sonë” dhe duke theksuar se do të shënojë ditën e mosbindjes civile masive. Ai shprehu bindjen se protesta po shkakton tmerr te Edi Rama dhe se opozitarët brenda opozitës po ndihen po aq të frikësuar.

Në fjalën e tij, lideri demokrat përmendi arrestimin e nënkryetarit të grupit parlamentar, Ervin Salianji, duke thënë se ky veprim erdhi si rezultat i mbrojtjes së interesit publik. Ai e akuzoi Salianjin se kishte sulmuar vëllazëritë më të rrezikshme të drogës – ato të Xhafaj dhe Rama. “Dua t’ju informoj se vëllazëria Rama dhe vëllazëria Xhafaj e festuan me shampanjë burgosjen e Ervin Salianjit, por ne do të jemi në orën 18:00 më 7 tetor, me një betim solemn, se çdo vëllazëri tjetër do t’i çojmë atje ku e meritojnë me forcën e ligjit,” shprehu Berisha.

Kryetari i PD-së theksoi gjithashtu rëndësinë jetike të betejës së deputetëve të PD në parlament. Ai akuzoi Spiropalin si të vendosur në krye të parlamentit nga kryetrafikanti i Velipojës dhe veriut, Pëllumb Gjoka, një mik i ngushtë i Edi Ramës. Kështu, Berisha e përfundoi fjalimin e tij me një apel për unitet dhe qëndresë në betejën për demokracinë në Shqipëri.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.

Mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush qëndrestareve dhe qëndrestarëve të pamposhtur, misionarëve të kauzës së drejtë të çdo qytetari shqiptar.

Mirënjohje të pakufishme oratorëve të parlamentit të fjalës së lirë, që me fjalën e tyre përcjellin në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve të vërtetat që censuron regjimi i lidhur me krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve, regjimi i Edi Ramës.

Miqtë e mi, për Edi Ramën, organizatën e tij kriminale qeveri, narkozyrtarët e tij, në këtë moment që flasim gjëja më e tmerrshme është ora e cila me tik-takun e saj afron në çdo sekondë 7 tetorin, orën 18:00 të 7 tetorit, ditën e mosbindjes civile masive, ditën e triumfit të guximit qytetar, ditën e përballjes së madhe të vlerave të qytetarëve, trimërisë dhe guximit të tyre me krimin, drogën, antivlerat e regjimit të Edi Ramës.

Demokrate e demokratë, qytetare e qytetarë, beteja që nisim është beteja e jetës sonë.

Është shansi i jetës sonë.

Është shansi ynë për t’u përballur me guximin tonë me një regjim që pasi shndërroi procesin themelor të shoqërisë së lirë, votën e lirë në farsë elektorale, riktheu në Shqipëri burgjet, gjyqet, persekutimin politik.

Farsa elektorale, mohimi i të drejtës së votës përmes farsës elektorale dhe persekutimi politik i kundërshtarëve janë dy shtylla kryesore mbi të cilat bazohen diktaturat, qofshin ato naziste, komuniste, teokratike apo diktatura e bandave siç është kjo e Tiranës.

Ndaj dhe PD në misionin e saj të madh dhe historik të rikthimit të votës së lirë, të rikthimit të Shqipërisë në një vend të shtetit ligjor, Kushtetutës dhe ligjeve demokratike, nis ditën e hënë betejën e saj, betejën e shekullit, betejën e ekzistencës, betejën e triumfit, betejën e fitores.

Demokrate e demokratë, koha i bën thirrje ndërgjegjes tuaj.

Burra dhe gra, të rinj dhe të reja që keni qëndruar të papërkulur në opozitë gjer sot, që keni përjetuar grabitjen e votës, plaçkitjen e votës, dhunimin e vullnetit tuaj dhe të qytetarëve shqiptarë dhe që besoni se njeriu i qytetëruar e ka detyrim moral betejën e tij për të vërtetën, e ka detyrim madhor të mos pranojë mashtrimin për të vërtetë, të mos pranojë kurrë farsën elektorale për proces elektoral, të mos pranojë kurrë fitoren e grabitur si fitore të kundërshtarit, e ka për detyrë dhe mision që në emër të këtyre të vërtetave të ngrihet i gatshëm për këto sakrifica.

Liria ka një emër, ajo quhet votë e lirë.

Liria ka nje emër, ajo quhet votë e lirë.

Liria ka një emër, ajo quhet votë e lirë.

Ndaj dhe koha na fton të gjithëve, të rinj dhe të reja, burra dhe gra, të moshuar, të gjithë sa jemi, të shndërrohemi në luftëtarë të votës së lirë.

Në luftëtarë të dinjitetit njerëzor.

Dallimi më thelbësor midis njeriut të lirë dhe mjeranit jo të lirë qëndron pikërisht në respektimin e vullnetit të individit.

Kështu që beteja që nisim, mosbindja civile vjen si një betim për të mos u pajtuar kurrë me diktaturën që riktheu farsën elektorale në Shqipëri.

Vjen si një betim për të mos pranuar kurrë fitore, grabitjen dhe kallp fitoren e Edi Ramës.

Vjen si një zotim, si një betim për të mos pranuar kurrë persekutimin, burgosjen, përndjekjen politike, shkelmimin e Kushtetutës, zëvendësimin e ligjeve me kodin e mafies, me kodin e baronëve të drogës dhe krimit në Shqipëri.

Unë e di dhe ndjej dhimbje se mbi supet tuaja të dashur demokratë e demokratë, të dashur qytetare e qytetarë, rëndon tejet e rëndë mashtrimi i propagandës së përditshme të mobokracisë, të narkodiktaturës, e cila u servir ju nga mëngjesi gjer në darkë me qindra e qindra herë rrëmbimin e votës si fitore të Edi Ramës.

Vjedhjen e votës si zotësi të Edi Ramës.

Vjedhjen e votës si dobësi të opozitës.

Farsën elektorale si proces elektoral.

Të gjitha këto janë realitet që e vështirësojnë punën tonë, por janë realitet i kapërcyeshëm sepse e vërteta është me ne.

Miqtë e mi, duhet të jemi i hapur me ju dhe çdo shqiptar, për Sali Berishën, për drejtuesit e PD, do të ishte e thjeshtë të shpallnin se do fitojmë zgjedhjet, se do shkojmë drejt zgjedhjeve, se do mbrojmë votën.

Por, kjo do ishte një lojë makbethiane mbi vullnetin tuaj, mbi besimin tuaj, mbi ndërgjegjen tuaj, mbi ndjenjat tuaja.

Kur them se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira, kjo nuk do të thotë kurrë se ne heqim dorë nga zgjedhjet e lira.

Se ne heqim dorë nga fitorja.

Por ne u themi shqiptarëve, të hapim rrugën, është radha jonë, të largojmë Edi Ramën nga qeveria, të krijojmë qeveri teknike.

Të dashur miq, edhe njëherë rikthehem te tik-taku i orës që unë e mora hua nga Erih Maria Remark, nga një dialog i personazheve të tij tek ‘3 shokët’.

Tik-taku po tmerron Edi Ramën.

Tik-taku po tmerron organizatën e tij kriminale.

Tik-taku po tmerron parlamentarët e krimit, zyrtarët e krimit.

Por po tmerron jo më pak opozitarët e opozitës, këtë racë të shpifur shqiptarësh, të denatyruar gjer në palcë, të cilët opozitarizmin e kanë kuptuar si mbrojtje të Edi Ramës duke sulmuar opozitën.

Harrojnë se ky është misioni më i turpshëm, ky është misioni më i fëlliqur që një njeri mund të marrë përsipër.

Harrojnë se kjo opozitë betejën e ka për votën e lirë dhe vota e lirë duhet të jetë atribut i çdo shqiptari, demokrat, socialist, i paparti, i ri, i moshuar, burrë, grua, cilido qoftë ai.

Shërbëtorë pa moral të padronit të tyre, dërdëllisin çdo natë më keq se edhe vetë rilindasit që nuk guxojnë të dalin në studio, të cilët i ka zënë krimi që kanë kryer.

I tmerrojnë vjedhjet që kanë bërë dhe u shmangen si mi studiove dhe debateve dhe luajnë me dordolecë opozitarët e opozitës.

Qytetarë dhe qytetare, Ervin Salianji është sot në burg sepse guxoi të mbrojë interesin tuaj, sepse sulmoi në zemër dy vëllazëritë më të rrezikshme të drogës, vëllazërinë Xhafaj dhe vëllazërinë Rama.

Qytetarë dhe qytetare, dua t’u informoj sonte se vëllazëria Rama dhe vëllazëria Xhafaj e festuan me shampanjë burgosjen e Ervin Salianjit.

Por jo vetëm kaq, ua them ju këtu, e festuan me betim njëlloj si padrinot në shpellat e mafies se për tre muaj, të njëjtin fat do ketë edhe Gazment Bardhi.

Sepse Gaz Bardhi, siç jeni ju në dijeni, e riktheu në skenë Olsin e Xibrakës, këtë kriminel trafikant, të pangopur, të cilin Edi Rama e përdor për punët e tij më të pista.

Edhe ne jemi sonte këtu, do jemi në ora 18:00 me datën 7 tetor me betim solemn, se vëllazërinë Xhafaj dhe vëllazërinë Rama dhe çdo vëllazëri tjetër, me forcën e ligjit, me gërshërët e ligjit do t’i çojmë atje ku e meritojnë.

Ka vetëm një rrugë për ne, betejë, betejë dhe vetëm betejë.

Cilido që mendon se krimi nuk duhet të vendosë për fatin e tij, se krimi nuk duhet të vendosë për vullnetin e tij, se krimi dhe droga nuk duhet të vendosin për të ardhmen e tij, duhet të bashkohet me ne ditën e hënë sepse në Shqipëri, krimi, droga, mafia janë vendimmarrësit absolutë kryesorë.

Të dashur miq, nga sonte Eliza Spirorrokun do ta quani Eliza Spirogjoka.

E morët vesh besoj, se në krye të parlamentit e vendosi kryetrafikanti i Velipojës dhe veriut, miku i ngushtë i Edi Ramës, miku strategjik i tij, Pëllumb Gjoka.

Por kur Eliza ndërron mbiemrin në Spirogjoka, kur kreu i parlamentit emërohet nga baronët e drogës, merreni me mend ju se çfarë është i aftë të bëjë ky parlament.

Mos i thoni më Spiropali, Spirogjoka do i thoni.

Kuptojeni vetë ju se çfarë rëndësie jetike, vendimtare ka beteja e deputetëve të PD në parlament.

Frymëzim është ajo betejë për të gjithë shqiptarët.

Edhe njëherë, miqtë e mi, ditën e hënë në ora 18:00, të gjithë marshim drejt Tiranës për votën e lirë, për fjalën e lirë, për fatin e shqiptarëve, për të ardhmen e Shqipërisë.

Qeveri teknike, zgjedhje të lira.

Është radha jonë, është radha jonë, është radha jonë.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco