Rama zero lekë për kërkimin shkencor/ S’kursehet për të paguar paga kot, hap ministri për Gjinushin

Rama zero lekë për kërkimin shkencor/ S’kursehet për të paguar paga kot, hap ministri për Gjinushin

15:12, 05/10/2024
A+ Aa A-

Kryeministri Edi Rama planifikon një ministri shkence për Gjinushin, ndërkohë që Shqipëria renditet e fundit në Europë e Rajon për kërkimin shkencor.

Edhe pse ka 12 vite në pushtet, kërkimi shkencor në vendin tonë mbetet më pak i buxhetuari ndër vite, kjo edhe për shkak se Rama nuk ka pasur dhe as nuk ka ndërmend të investojë në arsim.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria jo vetëm që është e fundit me financimet në kërkimin shkencor se vendet e BE, por edhe e fundit krahasuar me vendet e rajonit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Ndërkohë që situata e kërkimit shkencor është mjerane, Edi Rama planifikon hapjen e ministrisë së Shkencës, qëllimi i së cilës është i qartë, të kënaqë financiarisht Skënder Gjinushin por të ‘gjunjëzojë’ edhe Universitetet publike, duke i futur në qerthullin e ri të kësaj pseudo-ministrie, duke u përfaqësuar me rektorët e universiteteve. Kutojmë këtu se nga të dhënat e fundit rezulton se edhe vetë universitetet shpenzojnë zero lek për kërkim shkencor dhe harxhojnë miliona euro për lukse e qejfe.
Projektet e pakëta shkencore dhe kërkimore që realizohen nga universitetet shqiptare janë shpesh produkt i financimeve të donatorëve të huaj dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare.

Edhe pse vendi ynë e ka Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor, kjo si duket është e pamjaftueshme për Ramën, i cili tashmë ka gati propozimin e një Projektligji mbi riorganizimin e sistemit shkencor,  ku institucionet vlerësuese të veprimtarisë shkencore të jenë një Ministri e re dhe Akademia e Shkencave.

Në dokument planifikohet lindja e një Ministrie të posaçme, përgjegjëse për shkencën dhe kërkimin shkencor. Si dhe krijimi i një organi këshillimor pranë kryeministrit në emrin Këshilli Kombëtar për shkencën dhe kërkimin shkencor, i cili synon përmirësimin e veprimtarisë kërkimore në vend. Në përbërje, ky këshill do të ketë 7 ministra të fushave të ndryshme, por edhe 4 përfaqësues nga institucione të arsimit të lartë, teksa do të jenë pjesëmarrës edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe 3 anëtarë të Akademisë, si dhe përfaqësues të Agjencive të Inovacionit.

Ministri i shkencës do të ketë për detyrë hartimin e strategjisë në këtë sektor si dhe të përcaktojë fushat prioritare të kërkimit shkencor; teksa në ndihmë të tij do të jetë këshilli me 19 anëtarë i drejtuar nga kryeministri, me bashkëpunimin edhe të ministrit të bujqësisë, shëndetësisë, mbrojtjes, energjisë, mjedisit, inovacionit.

Teksa për përzgjedhjen e anëtarëve të universiteteve në këtë bord, është vendosur kusht që të jenë personalitete të njohur akademikë. Mirëpo kompetencat e tyre do të ndryshojnë në krahasim me ligjin për arsimin e lartë, ku gëzonin autonomi universitare në veprimtarinë shkencore.

“Fushat, drejtimet, vëllimi i punës dhe afatet e veprimtarisë kërkimore-shkencore përcaktohen nga vetë institucionet e arsimit të lartë”, thotë ligji i arsimit të lartë, ndërsa me projektligjin e ri parashikohet që përgjegjësia t’i kalojë ministrisë, Akademisë se Shkencave dhe këshillit shkencor. Pra, pritet të ndryshojnë kompetencat për drejtuesit e fakulteteve, pedagogët, senatet e universiteteve publike dhe private, të cilat do të jenë nën monitorimin e institucioneve politikbërëse.

Nëse do të ketë kërkesë për krijimin e institucioneve të veçanta për kërkimin shkencor veç universiteteve, Akademisë së Shkencave, parqeve teknologjike apo qendrat e transferimit të teknologjive bujqësore, vendimin e merr ministri përgjegjës i cili jep lejen përkatëse. Ministri për shkencën do të ketë fuqi edhe për pezullimin apo mbylljen e tyre, kur vihen re nga monitorimi mospërmbushje të kritereve e ka vlerësim negativ. Ndër të tjera, do të krijohet edhe regjistri kombëtar i institucioneve dhe kërkuesve shkencorë, brenda dy viteve nga miratimi i ligjit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco