Piranjat/ Mish me substanca të dëmshme, kërkesa e kompanive të sallamit që po mbahet e fshehtë

21:20, 04/10/2024
A+ Aa A-

Në 9 shtator, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj gjatë komisionit për Çështjet ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, tha se është duke u shqyrtuar mundësia për t’u hequr taksa e importit të mishit. Kompanitë të cilat tregtojnë mish të përpunuar, siç është sallami, kanë kërkuar heqjen e një takse për mishin që vjen nga jashtë vendit. Këto kompani e mbajnë gjallë aktivitetin me mishin e importit, pasi prodhimi vendas nuk I plotëson kërkesat e tregut. Ndërkohë, vendet e tjera të rajonit e importojnë këtë lëndë të parë me taksë zero, gjë që sipas përpunuesve dhe grosistëve shqiptarë kjo taksë prej 10% krijon konkurrencë të pabarabartë. Po nëse zerohet kjo taksë çfarë pasojash mund të ketë për blegtorinë e cila sipas statistikave ndodhet në ditët e saj më të zeza?

Ervin Resuli, ekspert veteriner thotë se heqja e kësaj takse në këto momente që blegtoria shqiptare nuk ka mbështetjen e duhur dhe subvencionimin e duhur do të ishte faliment I garantuar dhe shkatërrim I gjithë sektorit të blegtorisë.

Ndërkohë edhe zv. Ministri I bujqësisë, Arian Jaupllari, me pak vështirësi e pranon se ky sektor do të goditet akoma dhe më shumë nga heqja e taksës së mishit të importit.

Në kërkesën e përpunuesve të mishit, ka edhe një paragraf thuajse të padukshëm I cili nuk është diskutuar publikisht dhe që lidhet me importin e mishit të derrit nga Brazili, përfshi edhe atë me përmbajtje ractopamine, një substancë  që përdoret kryesisht tek derrat për të shtuar masën muskulare dhe për të reduktuar dhjamin.

“Nëse mishi me mbetje nga ractopamina shkon në tryezat e konsumatorit jep problematika të ndryshme të sistemit kardiovaskular, takikardi, problematika me tensionin, aparatin tretës, helmime, problematika të sistemit nervor. Pra, pasojat finale ose ekspozimi I gjatë normalisht që ka pasoja fatale sic është edhe humbja e jetës”, shtoi Resuli.

Substanca në fjalë hyn në kategorinë e beta – agonistëve dhe konsiderohet e rrezikshme, aq sa vendet e Bashkimit Europian, Rusia, madje edhe Kina, e kanë ndaluar importin e mishit me ractopaminë.

E ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në Kanada, injektimi I ractopaminës, bëhet I dozuar me baza shkencore dhe me një kontroll të rreptë të autoriteteve, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Brazilin, apo Meksikën ku dozat e ractopaminës nuk kanë një kontroll rigoroz. Dhe mos të harrojmë se Brazili është eksportuesi kryesor I mishit të derrit drejt Shqipërisë. 

Por a bëhet ndonjë kontroll në Shqipëri për këtë mish, që na vjen nga jashtë?

Yllka Allaraj, specialiste e AKU-së deklaron se vetëm në dy vitet e fundit janë analizuar dy mostra mish derri dhe ka rezultuar se nuk kanë përmbajtje ractopamine.

Duket qartë që në lidhje me këtë argument delikat, dilemat janë ende të shumta dhe ligji ende jo I plotë, por pavarësisht këtyre pasigurive, ndërmarrjet industriale të përpunimit të mishit, kanë kërkuar që të mos ndalohet importi I mishit të derrit nga Brazili. Sipas tyre mbyllja e importit nga ky vend do të çonte në një rritje të ndjeshme të kostove të prodhimit dhe si rrjedhojë rritjen e çmimeve të produkteve në masën 10-20%. Për këtë arsye kanë propozuar që rregullorja e cila ndalon përdorimin e ractopaminës, të hyjë në fuqi në fund të procesit të përputhjes së legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco