PLUG/ Rama firmosi lejen e ndërtimit për ‘Eye of Tirana’ mbi pronën shtetërore

22:24, 02/10/2024
A+ Aa A-

E nisëm me ‘Eye of Tirana’, një dëshmi e dashurisë korruptive Veliaj-Xhafaj. Por në mbyllje do ju tregojmë, se kjo dashuri, që në gjenezë ka patur, në mos përfshirjen, bekimin e kryeministrit Edi Rama.

Dokumentet që do ju sjellin në vijim, tregojnë se si kryeministri Edi Rama ka mashtruar qytetarët, se po i sekuestronte 7 katet pa leje, kur në të vërtetë me firmë të tij, i ka falur Armand Lilos, 1 mijë metra katrorë në qendër të Tiranës për të ndërtuar këto kate. Jo vetëm kaq, por në të njëtën kohë, që kryeministri tundte shkresat se i kishte sekuestruar katet pa leje, me dorën tjetër i firmoste Armand Lilos të tjera leje ndërtimi për kulla, madje i dha statusin special, për të mos paguar asnjë taksë. 

Në tetor të 2022-shit, kur kryeministri Edi Rama miratoi VKM-në e posaçme dhe ligjin, që legalizonte katet pa leje të kullave të Tiranë, e ndërtoi propagandën e tij tek 7 katet e “Eyes of Tirana” të Armand Lilos. Kryeminitri u përpoq të bindte qytetarët, që katet pa leje në Sheshin Skëndërbej nuk ishin parë nga askush prej zyrtarëve të tij dhe se po vepronte me dorë të hekurt karshi këtij abuzimi.

Plug ka shkuar përtej propagandës së kryeministrit. Dokumentet e siguruara ngrenë dyshime të forta për një aferë të pastër korruptive e pastrimi parash, jo larg syve të Edi Ramës, por të ligjëruara me firmë të tij. Këto kate pa leje thellojnë edhe më tej skandalin. Siç Erjon Veliaj i dha Armand Lilos lejen e ndërtimit të ‘Square 21’, mbi godina shtetërore, edhe Edi Rama ka firmosur për ndërtimin e ‘Eyes of Tirana’ mbi një truall shtetëror.

Në 12 dhjetor të vitit 2017, Kryeministri Edi Rama dha lejen e ndërtimit për objektin në fjalë, për ndërtimin e godinës që fillon me 5 e ngrihet deri në 24 kate. Pikërisht tek leja qëndron edhe skandali, pasi një prej trojeve që përfshihej në këtë leje, ishte pronë shtetërore, konkretisht godina e Dhomës të Tregëtisë dhe Industrisë. Mbi këtë pronë shtetërore, kryeministri Edi Rama i firmos ndërtimin e godinës 12 kate, për të cilën deri në atë kohë privati nuk kishte asnjë të drejtë zhvillimi.  

Miratimin e Lejes së Zhvillimit për objektin: "Godine Polifunksionale "Eyes of Tirana" 5, 6, 8,  9, 11, 15, 21,24 Kate, me 4 kate nëntokë, në kryqëzimin e Rrugës së Kavajës dhe Rrugës së Durrësit, Bashkia Tiranë", me subjekt zhvillues shoqërinë "Concord Investment" sh.p.k dhe  shoqërinë "Ideal Construction" sh.p.k.

Firmosja e lejes mbi pronë shtetërore konfirmon edhe pazarin në tavolinë, që duket se përfshin në këtë rast jo vetëm kyebashkiakun Erjon Veliaj dhe Fatmir Xhafajn por edhe vetë Edi Ramën. Në specifikimet teknike dhe planimetrinë e ndërtimit, dokumenti që po shihni në ekran, gjurma e godinës vendoset edhe mbi pasurinë 2/377, e cila rezulton në fakt se është një pronë shtetërore, godina e Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë. Ndërsa Rama i hapi rrugë ndërtimit mbi pronën shtetërore, paraprakisht kishte nisur edhe puna për kalimin e pronësisë të truallit, që deri në atë kohë nuk e kishte.

Me vendim të qeverisë, në datë 29 mars 2017, Këshilli i Ministrave i kalon Bashkisë së Tiranës godinën e Dhomës së Tregëtisë, e cila deri në atë kohë ishte në pronësi të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Kalimin në pronësi, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik,  Turizmit,  Tregtisë  dhe  Sipërmarrjes  te Bashkia  Tiranë,  të  pasurisë  me  nr.  2/377,  vol.37, faqe   133,   zona   kadastrale   8380,   me   emërtim “Godinë  njëkatëshe”  e  Dhomës  së  Tregtisë  dhe Industrisë  Tiranë,  me  sipërfaqe  të  përgjithshme  1 042  (një  mijë  e  dyzet  e  dy)  m2,  nga  të  cilat  766 (shtatëqind  e  gjashtëdhjetë  e  gjashtë)  m2  sipërfaqe ndërtimore   dhe   276   (dyqind   e   shtatëdhjetë   e gjashtë)    m2    sipërfaqe    truall    funksional.   

Tashmë që pazaret ishin mbyllur në tryezat e errëta të korrupsionit, Erjon veliaj do të vijonte me procedurën për t’i kaluar pronën Armand Lilos nëpërmjet një marrëveshje të re, siç në rastin e ‘Square 21’. Turbulencat politike, por jo vetëm, e zvarritën finalizimin e operacionit, që do të merrte formë të prerë në janar të vitit 2023, kur Erjon Veliaj, si titullar i Bashkisë së Tiranës do të hynte në një marrëveshje të re me Armand Lilon, për t’i dhënë pronësinë e truallit, mbi të cilën Edi Rama kishte miratuar paraprakisht leje ndërtimi. Pra në kohën kur Armand Lilo akuzohej nga Edi Rama në  daljet publike si ndërtues pa leje, larg syve të qytetarëve i firmosej edhe falja e pronës publike, fiks pas 7 kateve paleje, për të cilat kompania e Armand Lilos, kishte lënë gati edhe strukturën ndërtimore, që të vijonte në fazën e dytë.

Ndërsa afroheshin zgjedhjet lokale të 14 majit dhe opozita kishte denoncuar katet pa leje nga kunati i Fatmir Xhafajt, Erjon Veliaj nuk tërhiqet, por avancon edhe më tej, me finalizimin e pazarit të nisur që në vitin 2017.

Më 25 janar të vitit 2023, Këshilli Bashkiak i Tiranës, me kërkesë të kryetarit Erion Veliaj i ligjëron Armand Lilos edhe sipërfaqen 1 mijë metrat katorë të pasurisë nr 2/ 277 , mbi të cilën Edi Rama kishte miratuar lejen e ‘Eyes Of Tirana’.

Madje në pah del edhe makinacioni i justifikimit të marrëveshjes Veliaj-Lilo, ku kunati i Fatmir Xhafajt, sipas VKB-së ka shfaqur interesit në datë 26 qershor të vitit 2020, ndërkohë që dokumentet faktojnë se prona i ishte falur Lilos që me miratimin e lejes në vitin 2017.

Shoqëria "Ideal Construction" shpk, ka shprehur pranë Bashkisë Tiranë interesin, me shkresën nr. 21001, datë 26.06.2020 dhe nr. 1342 prot., datë 12.01.2022, për përfshirjen në zhvillim të pasurisë numër nr. 2/377, zk. 8380 me emërtim “Godinë një katëshe” e Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, me sipërfaqe totale 1042.00 m2 truall dhe 766.00 m2 ndërtesë, bashkëlidhur së cilës është vënë në dispozicion dokumentacioni përkatës.

Falja e pronës shtetërore bëhej pikërisht në kohën, kur Edi Rama u tregonte qytetarëve se si po gjobiste oligarkët abuzues, duke e distancuar veten nga hija e kateve pa leje në qendër të Tiranës.

Kryeministri Edi Rama deklaron se nuk e ka ulur kurrizin para ndërtuesve abuzues, por i ulur në karrige, brenda një viti pastroi brenda vitit figurën e Armand Lilos e madje duke i dhënë edhe leje të tjera për kulla. Pa kaluar më një vit nga kjo deklaratë, në gusht të vitit 2023, KKT e drejtuar nga Edi Rama i miraton kompanisë ‘Unico Constrution’ leje ndërtimi për kullë 25 kate te Komuna Parisit. Kjo leje mund të mos kishte ngritur pikëpyetje, nëse nuk do të ishin kryer transaksionet financiare brenda kompanisë. ‘Unico Construction’ u themelua në janar të vitit 2023 nga Pëllumb Brari, i cili ishte aksioner me 100 % të kapitalit. 6 muaj me vonë, Armand Lilo blen 74% të aksioneve për një vlerë simbolike. 2 muaj pasi Lilo u bë zotërues i pjesës më të madhe të kapitalit, Edi Rama i firmos lejen e kullës 25 kate. ‘BUILDING CONSTRUCTION INVEST’, është gjithashtu kompania e blerë nga Armand Lilo me transaksione të dyshimta, e me leje të firmosur nga Edi Rama për ndërtim kullash.

Kjo kompani u themelua në janar të vitit 2021 nga Ilir Merja. Kohë më pas kompania kalon në pronësi të ‘BA Investment’, të cilët fillojnë të investojnë rreth 4 milionë euro sipas një leje ndërtimi nga KKT për të ndërtuar 320 mijë metra katror te diga e liqenit. Pikërisht këtu nisni dyshimet. Kompania me kapitale të mjaftueshme për të zhvilluar ndërtimin, në dhjetor të vitit 2023 i shitet Armand Lilos në vlerës 16 milionë euro. Nëpërmjet këtij transaksioni Armand Lilo bëhet pronar i kullave në një prej zonave më të lakmuara të Tiranës.

Një ndërtues i paligjshëm në mes të Tiranës, që atakohet publikisht nga kryeministri, i cilësuar si kontakt i papërshtatshëm nga drejtësia, i arrestuar për plagosje etiketuar nga mediat si i dënuar në Itali për trafik droge, do të shndërrohej në përfituesin më të madh të lejeve për kulla dhe favoreve shtetërore.

Për pastrimin përfundimtar të figurës së Armand Lilos do të mendonte ministrja Mirela Kumbaro dhe vetë kryeministri Edi Rama, që një vit pasi e cilësonte si ndërtues abuzues që kishte verbuar gjyqtarin,  do ta nderonte me statusin special të investitorit strategjik. Kompania ‘Klais’ e themeluar fillimisht nga Altin Cela, kunati i Armand Lilos, në tetor të vitit 2023, me firmë të Edi Ramës merr leje ndërtimi për objkektin, ‘Green Cost Resort 2’, Hotel me 1-2-3-4 dhe 5 kate në Bashkinë Himarë. Pas lejes, në mars të vitit 2024, Mirela Kumbaro i propozon Këshillit të Ministrave miratimin e statusit special, e ky propozim firmoset pa hezitim nga Edi Rama. Sipas këtij vendimi, Armand Lilo nuk do të paguaj për 10 vite tatim fitimin, taksat e pronës,  taksën për ndikimin në infrastrukture, e mbi të gjitha do të paguaj vetëm 6 % TVSH.

U ndalëm vetëm në disa prej prej rasteve të pastra abuzimi me pronën shtetërore dhe fondet publike, për të cilat prokurorët e drejtësisë së re i kanë lënë dosjet të pluhurosen sirtareve të prokurorisë. Në emisionet në vijim do t’ju tregojmë, se si këto para janë përdorur për qëllime kriminale, apo se si edhe pronat publike të shumë institucioneve janë tjetërsuar, për t’ju falur më pas Armand Lilos.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco