PLUG/ Balluku dhe Kumbaro, leje për parqe fotovoltaike e status ‘special’ kompanisë së Lilos

22:13, 02/10/2024
A+ Aa A-

Siç e patë, Armand Lilo nga Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar në varësi të kryeministrit ashtu edhe nga drejtësia e re konsiderohet kontakt i papërshtatshëm, status për persona të dënuar apo inkriminuar. Por ky status nuk ka qenë aq i papërshtatshëm për kryeministrin Rama, kryebashkiakun Erjon Veliaj, ministren Belinda Balluku e Mirela Kumbaro, që në 3 vitet e fundit i kanë dhënë miliona euro projekte e kontrata Armand Lilos. Armand Lilo do të zgjeronte së fundmi biznesin edhe në energjetikë, ku edhe pse pa asnjë eksperiencë, ministrja Belinda Balluku do të tregohej tepër zemërgjerë me të. 

Kompanitë e Armand Lilos, të konsideruarit “kontakt i papërshtatshëm” nga DSIK, nuk ka qenë aq i papërshtatshëm për qeverinë Rama dhe ministritë që japin miliona euro projekte e koncesione. Me ardhjen në pushtet të socialistëve, qeveria hapi dyert për Lilon, ku nga 1 kompani në vitin 2012, sot numëron 16 të tilla. Le t’i marrim me radhë: Armand Lilo zotëron 100% të ‘Armar Group’, e cila rezulton kompania mëmë e të gjitha kompanive zinxhir. 

‘Armaar Group’ në pronësi të plotë të Lilos, është aksionere me 100 % të kapitalit tek kompania Saranda Marina Invest, e themeluar në vitin 2023 dhe me administrator Xhensila Pupa. Kompania edhe pse ka deklaruar një kapital prej 1 miliard e 500 milionë lekësh, pezulloi aktivitetin e saj në maj të këtij viti dhe kapitali asnjëherë nuk u pagua.

Ndërsa ‘Saranda Marina Invest’, u pezullua, kompanitë e tjera të Armand Lilos, marrin miliona euro projekte në infrastrukturë.

‘Sunray Energy’, kompania themeluar në qershor të vitit 2022, me administrator Gentiana Lilo, motra e Armand Lilos rezulton një ndër më të suksesshmet. Sapo u themelua, kjo kompani aplikoi pranë ministrisë së Belinda Ballukut për projekte gjigande fotovoltaike. Aplikimi për ‘Sunray Solar Park’, fuqia 100 MWh, u bë në datë 22. 06. 2022 dhe vetëm pak ditë më pas, më 7 korrik 2022 mori edhe vlerësimin praprak. Ministria e drejtuar nga Belinda Balluku ishte treguar edhe më herët zemërgjerë me Armand Lilon. Kompania ‘Sharp Energy’, me administrator Xhensila Pupën ka përfituar gjithashtu leje për ndërtimin e një parku fotovoltaik, që do të realizohet në bashkëpunim me kompanitë ‘Premium Energy shpk’ dhe ‘Arsol Energy’, që gjithashtu rezultojnë kompani në pronësi të Lilos. ‘PREMIUM ENERGY’, e themeluar po në vitin 2021 rezulton po aq e suksesshme. Ende pa marrë asnjë projekt për park fotovoltaik apo eksperiencë në këtë fushë, kjo kompani nis investimet në blerjen e pronave të paluajtshme. Kompania në pronësi të ‘Armaar’, ka si asete 57.200 m2 sipërfaqe toke në Povelçë të Fierit, në vlerën 144.000 euro. Në vitin 2022 kjo komani ka blerë sipërfaqe të re toke në vlerën 58 milionë lekë dhe në vitin 2023 kompania blen edhe një tjetër sipërfaqe toke, duke e çuar vlerën e investimit në prona në 85 milionë lekë të reja.

Edhe kompania ‘ARSOL ENERGY’, i ka patur të garantuara paraprakisht projektet për parqe fotovoltaike nga Belinda Balluku, pasi siç kompania ‘PREMIUM ENERGY’ fokusin e ka te blerja e tokave për ndërtim parqesh fotovoltaike. ‘ARSOL ENERGY’, edhe pse me zero aktivitet, investon gjithashtu në blerjen e tokave, çka nënkupton që konfirmimi i lejeve për parqe voltaike ishte dhënë që para këtyre investimeve.

Pas rilindjes në qeverisjen socialiste, Armand Lilo bleu edhe 6 milionë euro aksione në një prej bankave të nivelit të dytë ndërsa, në gusht të këtij viti, Kompania e tij ‘Armaar Grup’, me vendim të Këshillit Bashkiak u bë pronare e Klubit të Futbollit të Pogradecit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco