Dita ndërkombëtare e të moshuarve/ Gjergji: Qeveria tallet me shtesën qesharake të pensioneve

Dita ndërkombëtare e të moshuarve/ Gjergji: Qeveria tallet me shtesën qesharake të pensioneve

14:57, 01/10/2024
A+ Aa A-

Deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji në ditën ndërkombëtarë të të moshuarve, ka reaguar në lidhje me trajtimin e tyre.

Me anë të një deklarate për mediat nga selia e PD, Gjergji u shpreh se, qeveria është tallur me shtesën qesharake të pensioneve.

Deklarata e deputetes Zheni Gjergji:

Dita ndërkombëtare i gjen sot të moshuarit në Shqipëri pa dinjtetin që ata meritojnë.

Të moshuarit janë shpërfillur për 11 vite nga kjo qeveri, duke u trajtuar thjesht si njerëz që duhen 1 herë në 4 vite, kur ka zgjedhje.

Ata janë rreth 20% e popullsisë së vendit dhe përballen çdo ditë me sfida e probleme jetësore.

Nga mungesa e trajtimit të duhur shëndetësor, mungesa e vëmendjes, e politikave dhe më e rënda, pensionet qesharake, tallëse. Nën pragun e minimumit jetik; duke mos plotësuar dot nevojat bazike.

Pa përmendur këtu, mungesën e ilaçeve, apo të trajtimit të veçantë për të moshuar me nevoja speciale; e duke vijuar me mungesën e parqeve, lulishteve apo këndeve rekreacionale për të moshuarit anembanë vendit.

Një brez i tërë i cili ka sakrifikuar më shumë mund e nuk po merr thuajse asgjë nga shoqëria, por mbi të gjitha nga shteti.

‼️Sot qeveria tallet, tallet keq me rritjen në 700 lek të pensioneve. Dhe këtë rritje, e ka shtyrë në 3 muajt e fundit të vitit. Duroni u thotë, prisni se jeni mirë!

Çdo i moshuar e kupton se rritja prej 700 e pak lekë për 3 muajt e vitit 2024 nuk do të ketë aspak ndikim në jetesën e vështirë e plot mundime të një pensionisti.

Kjo shtesë, është e papërfillshme përballë rritjes së çmimeve.

Sipas INSTAT për pensionistët, shpenzimet ushqimore bazë zënë gati dyfishin e shpenzimeve mesatare të një qytetari, me gati 80% e të ardhurave mujore, ndaj dhe ndikohen dy herë më shumë nga inflacioni.

Po sipas INSTAT Indeksi i çmimeve të ushqimeve të konsumit me bazë vjetore deri në Gusht 2024 ishte 2.4%. Për pensionistët kjo është dyfish.

Ndërkohë, qeveria abuzon me paratë e buxhetit, qindra milionë euro të zhdukura në inceneratorët që nuk ekzistojnë. Çdo tender në fond limit.

50 mln euro ikën me një të rënë të lapsit në tunelin e Llogarasë.

4 milionë euro i merr Edi Rama për të bërë një kopsht te zyra e tij. Miliarda janë dëmet ekonomike që zbulon KLSH çdo vit.

Koncesionet korruptive me dhjetëra milionë euro për miqtë e qeverisë.

Dhe 700 lek rritje për pensionistin.

Kjo është fyese.

Plot 50 milion euro para të shpërdoruara në shëndetësi çdo vit nga PPP korruptive si ajo e Beqajt për sterilizimin dhe check-up, ndërkohë qeveria do të shpërndajë vetëm 16 milion euro për gati 790 mijë pensione pleqërie, invaliditeti, ndihme ekonomike.

Sipas Bankës Botërore, në 25 vitet e fundit popullsia e moshuar është dyfishuar nga 9.5% në vitin 1992 në 18.48% në vitin 2016 .

Sot sipas census 2023 ky numër është rreth 470,000 ose gati 20% e popullsisë.

Duke iu referuar të dhënave të studimit “Kushtet e Jetesës dhe të Ardhurat për personat e moshuar” dhe Jetesën (SILC, 2020) mbi 90,000 të moshuar kanë nevojë për një kujdes permanent gjatë jetës së tyre. Qeveria s’ka asnjë plan, asnjë buxhet për ta.

Ky është një turp. Një maskaradë.

Ne s’mund ta lejojmë. Do të ngremë zërin për pensionistët çdo ditë.

Do të protestojmë për ta me 7 tetor.

Ftojmë këdo që ka ndjeshmëri e respekt për gjyshërit tanë të na bashkohet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco