VIDEO/ Skandali i institucioneve me kultivimin e drogës dhe precedenti i 'frikshëm' që po krijohet

22:15, 27/09/2024
A+ Aa A-

Prej më shumë se dy vitesh vijon saga institucionale për ekspertimin e farave të dyshuara si kanabis sativa. Institucionet vijojnë një lojë ping-pongu-u, që mund të rezultojë me arrestimin e të pafajshmëve dhe lirimin nga burgu të personave të përfshirë në kultivimin e lëndëve narkotike. Prej më shumë se dy vitesh, “Piranjat” kanë trajtuar këtë skandal, aspak normal.

Fillimisht dhe pse pa një marrëveshje të shkruar, ekpertimi i farave të dyshuara si narkotike, të kapura nga Policia e Shtetit, dërgoheshin në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Lushnjë, vend ku ruheshin pa asnjë kusht sigurie, e ku kushdo mund të futej brenda serave dhe të shkatërronte provat.

Të gjendur përballë presionit mediatik, Ministria e Bujqësisë i drejtohet me një shkresë Prokurorisë së Përgjithshme ku i kërkon nënshkrimin e një marrëveshjeje, e cila nuk u finalizua kurrë, pasi Prokuroria e Përgjithshme iu drejtua Policisë së Shtetit për nënshkrimin e marrëveshjes, në bazë të së cilës, ekspertimi i farërave të kapura nga Policia, do të kryhej nga Instituti i Policisë Shkencore. Por Policia Shkencore shprehet se ka kryer vetëm ekpertimin vizual të farërave, duke krijuar kështu një precedent të rëndë, në besueshmerinë e proceseve gjyqësore.

Edhe sipas ish-Prokurorit të Krimeve të Rënda, Eugen Beci, i cili foli për “Piranjat”, ekspertimi vizual i kryer nga Policia Shkencore është i paligjshëm.

Ndërkohë, në rastin e mbjelljes së farave për ekzaminim, kemi edhe dy probleme të rënda ligjore. I pari ka të bëjë me prishjen e provave. Nëse një person kapet me farëra të dyshuara si bimë narkotike, në rastin kur këta mbillen, prova konsiderohet e tjetërsuar, që në kuptimin ligjor, është një provë e pavlefshme. Problemi tjetër ligjor ka të bëjë me mbjelljen e këtyre farërave. Në asnjë moment në ligjin procedurial penal, nuk parashikohet mbjellja dhe kultivimi i bimëve narkotike. Ndërkohë që në marrëveshje, Prokuroria ngarkon Policinë që të kultivojë hashash në kundërshtim të plotë me ligjet në fuqi.

Nëse në këtë rast, nuk ndryshohet ligji, agronomi i caktuar për ekzaminimet, po kryen një vepër penale dhe kur është urdhëruar nga prokuroria, atëherë kjo vepër bëhet më e rëndë.

E ndërsa palët vazhdojnë të mos japin asnjë zgjidhje, duke u mjaftuar tek burokracitë e korrespondencës, ajo që dihet me siguri është se në këtë moment, akoma nuk kryhet asnjë ekspertim i besueshëm për farat dhe bimët e dyshuara si kanabis sativa. Një precedent që mund të shkaktojë pasoja në sistemin e drejtësisë dhe për këtë dikush duhet të mbajë përgjegjësi.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco