Lajmi i fundit

LIVE/ Deputeti i PD, Ervin Salianji konferencë për mediat nga selia blu

Drejtësia e Geron dhe Fatmir Xhafajt

Drejtësia e Geron dhe Fatmir Xhafajt

11:15, 27/09/2024
A+ Aa A-

Nga Boldnews.al

Në fillim erdhën për socialistët, por unë nuk fola,

sepse nuk isha socialist.

Më pas erdhën për sindikalistët, sërish nuk fola,

sepse nuk isha sindikalist.

Erdhën për hebrenjtë dhe unë sërish nuk fola,

Sepse nuk isha hebre.

Më pas erdhën për mua

Askush nuk kishte mbetur për të folur për mua

                                    Martin Niemoller

                                    Memoriali i Holokaustit, Boston

 

Në Maj 2018, Agron (Geron) Xhafaj, vëllai i Ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj, u detyrua të udhëtonte drejt Italisë, ku e priste një dënim 7-vjeçar me burgim si trafikant droge, dënim të cilin e kishte shmangur prej rreth 5-6 vitesh, duke u fshehur pas pushtetit të Rilindjes.

Thonë që vëllai i tij u betua në varreza se do të hakmerrej ndaj kujtdo që ndikoi për dërgimin pas hekurave të vëllait të vogël.

Si në një histori mistike, Xhafaj e përqendroi urrejtjen e tij ndaj deputetit opozitar, Ervin Salianji dhe gazetarit Jetmir Olldashi, të cilët i konsideronte si dy përgjegjësit kryesorë për burgosjen e të vëllait.

Gazetari Olldashi, në funksion të një emisioni investigativ, kishte siguruar një audio-regjistrim, në të cilin besohej se Agron (Geron) Xhafaj, megjithëse në kërkim nga Italia, bisedonte sërish për trafik droge me një vlonjat tjetër, Albert Veliu (Babalja).

Ky audio-regjistrim publikohet nga Salianji, në selinë e Partisë Demokratike, në maj 2018. Pas denoncimit publik, Agron (Geron) Xhafaj bën një kallëzim ndaj Salianjit e Olldashit në Prokurorinë e Tiranës dhe niset “pako postale” drejt Italisë për të vuajtur dënimin me burgim si trafikant.

Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda, e cila në atë kohë drejtohej nga Donika Prela, nis hetim kryesisht (pa kallëzim) për trafik narkotikësh.

Të dhënat e mëvonshme treguan se, pavarësisht se hetimi nisi për Geron Xhafaj, dy prokurorët e çështjes, Gentian Osmani dhe Përparim Kulluri, mbajtën në përgjim e vëzhgim Salianjin, Olldashin dhe rrethin e tyre.

Nga ana tjetër, drejtuesit e lartë policorë, përfshirë ish-drejtorin e përgjithshëm Ard Veliu dhe shefat e Policisë së Fierit, Albert Nushi e Andon Marko, sajuan një dëshmitar të rremë, Fredi Alizoti, që të pranonte se ai kishte luajtur rolin e Agron (Geron Xhafaj) në audio-regjistrim.

Biseda të përgjuara nga Krimet e Rënda treguan se si shefat e mëdhenj të policisë silleshin si vasalë ndaj Alizotit, mbi të cilin kishte pasur pesë dënime penale. Madje, po këta shefa kujdeseshin që t’i paguanin Alizotit shpenzime të ndryshme, vetëm e vetëm që ky të pranonte kudo se ishte “aktori” që kishte luajtur personazhin Geron në audio-regjistrim.

E gjithë historia në vijim është një trillim i pastër dhe i qartë i drejtësisë, ku prokurorë e gjyqtarë, në prokuroria e gjykatën e shkallës së parë dhe në Apel, u rreshtuan të gjithë në krah të “babait” të Reformës në Drejtësi, i cili u ankua se Salianji dhe Olldashi i prishën imazhin Geron-trafikantit.

Këtë të Enjte (26 shtator 2024), Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi të dënojë me një vit burgim deputetin Salianji dhe me 100 orë pune gazetarin Jetmir Olldashi, për kallëzim të rremë, megjithëse nuk ekziston asnjë kallëzim.

Ky vendim konfirmoi atë që kishte vendosur më herët gjyqtari i Tiranës, Artan Gjermeni, i akuzuar për lidhje të forta me grupe kriminale, në kohën që po shqyrtonte çështjen “Geron”, ishte edhe kandidaturë potenciale e socialistëve në pushtet për Bashkinë e Lushnjes.

Me vendimin më te fundit, Gjykata e Apelit, si një zgjatim i Fatmir Xhafajt, goditi njëkohësisht dy pushtete të rëndësishme në një demokraci të brishtë si e jona-opozitën dhe median.

Partia Demokratike në opozitë po merr hapa reaguese ndaj këtij vendimi, të cilin e konsideron si grusht të fortë të kryeministrit Edi Rama dhe kanakarit të tij, Fatmir Xhafaj, kundër demokracisë dhe pluralizimit.

Por, nga ana tjetër, vendimi që penalizoi gazetarin Jetmir Olldashi, është një grusht shumë i fortë për fjalën e lirë.

Nuk është aspak i papritur dënimi penal ndaj gazetarit. Është ndoshta masa më e rëndë në aspektin penal, por jo e para dhe, me shumë mundësi, as e fundit.

Redaksia e “Lapsit” u bastis dhe u tentua të merrej serveri, vetëm pse gazetarët guxuan të publikonin listën e “patronazhistëve” të Partisë Socialiste.

Gazetarit Elton Qyno iu bastis shtëpia e iu tmerruan fëmijët e mitur nga dhjetra forca policore, vetëm e vetëm pse publikoi pjesë nga regjistrimet e “SKY”, të cilat nuk i kishin administruar as vetë organet kompetente.

Qeveria dhe shtojca e saj parlamentare i rrotullohen herë pas here iniciativave për të vendosur nën kontroll përmbajtjen e mediave, nëpërmjet nismave anti-shpifje. Aktualisht, ekziston vetëm një mekanizëm i butë kontrolli, nëpërmjet komisionit parlamentar anti-dezinformim, por që shumë shpejt do t’i lëshojë kthetrat kudo në median që do të tentojë të zbulojë skandale qeveritare.

Shqipëria po rrëshqet nën diktaturë, megjithëse në dukje të moderuar dhe të mbushur me lule. Kjo tatëpjetë po zhvillohet në sytë e partnerëve ndërkombëtarë, atyre që na mbushin çdo ditë e më shumë me fjalë boshe të një drejtësie të re, të një drejtësie që funksionon.

Po, kjo drejtësi funksionon, por vetëm në një drejtim-në atë drejtim që godet fjalën e lirë opozitare e mediatike, sa herë që i prishet humori kryeministrit Edi Rama e shtojcës së tij, Fatmir Xhafaj, një ish-hetues i devotshëm komunizmi, që është vendosur sërish në krye të kontrollit të drejtësisë, nëpërmjet komisionit parlamentar Anti-Korrupsion.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco