Lajmi i fundit

LIVE/ Deputeti i PD, Ervin Salianji konferencë për mediat nga selia blu

Formacion i ri në BE, por jo një zgjidhje e shpejtë për problemet e zgjerimit të Ballkanit

Formacion i ri në BE, por jo një zgjidhje e shpejtë për problemet e zgjerimit të Ballkanit

10:15, 27/09/2024
A+ Aa A-

Mbështetësit e zgjerimit të BE-së në Ballkan mund të marrin zemër nga formacioni i ri i propozuar i Ursula von der Leyen në Komisionin Evropian, por do të duhet më shumë se një ndryshim për të rivitalizuar procesin në ngërç të anëtarësimit.

Nga Milica Stojanovic, BIRN

Një ditë pasi u emërua si kandidatja e Ursula von der Leyen për të udhëhequr zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos u drejtua në Facebook me një premtim për të “punuar intensivisht” me Ukrainën, Gjeorgjinë, Moldavinë, Turqinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor për të realizuar “perspektivën e tyre evropiane” përmes anëtarësimin e plotë në bllok.

Si një diplomate dhe politikane sllovene, Kos vjen nga një vend me një interes të madh për të futur ish-republikat e tij jugosllave dhe Shqipërinë në BE. Në fakt, duke parashtruar vizionin e saj për një mandat të dytë si presidente e Komisionit Evropian, von der Leyen tha se kishte “një imperativ moral, politik dhe gjeostrategjik për të plotësuar më tej Bashkimin tonë”.

Megjithatë, ekspertët thonë se fjalë të tilla inkurajuese nuk janë asgjë e re. Kanë kaluar njëmbëdhjetë vjet nga zgjerimi i fundit i BE-së në 2013, kur Kroacia u bë vetëm republika e dytë ish-jugosllave që u bashkua. Zgjerimi kërkon unanimitet midis 27 anëtarëve të BE-së dhe një proces që është i përshtatshëm për qëllimin. Të dyja këto mungojnë.

Sipas Adnan Cerimagiç, një analist i lartë në Nismën Evropiane për Stabilitet, një institut me qendër në Berlin, “letra e misionit” e von der Leyen që përcakton pritshmëritë e saj për Kos-in sugjeron se ajo “thjesht do të përpiqet të vazhdojë procesin e negociatave me vendet që janë në negociata” – duke hapur kapitujt e negociatave kur është e nevojshme dhe duke i mbyllur ata kur të vijë koha.

“Kështu që unë do të thosha se për dy vitet e ardhshme, të paktën nga këndvështrimi i presidentes së Komisionit Evropian, nuk pritet asgjë revolucionare apo asgjë e madhe”, tha Cerimagiç për BIRN.

Një qasje e re mund të vijë në vitin 2027, tha ai, pasi të skadojë Fondi aktual i Komisionit prej gjashtë miliardë eurosh për Reformën dhe Rritjen për Ballkanin Perëndimor.

“Një opsion është që deri në fund të vitit 2027 të shohim që Bashkimi Evropian ka reformuar ose ndryshuar vendimmarrjen e tij të brendshme, le të themi, në disa aspekte, politikat janë reformuar, përshtatur dhe që shtetet anëtare thjesht thonë ‘Tani ne jemi gati për anëtarë të rinj’.”

Në atë pikë, tha ai, Kos mund të “ndihmojë në zhvillimin e një plani se si të përmbyllë negociatat me vendet ku kjo është e mundur”. Por nëse shtetet anëtare mbeten në modalitetin “jo-zgjerim”, ajo thjesht do të punojë në përmirësimin e planit aktual të rritjes, tha Cerimagiç për BIRN.

Dyshime mbi fokusin për konvergjencën ekonomike

Nëse konfirmohet nga Parlamenti Evropian, Kos do të bëhet komisionerja e gjashtë e zgjerimit që nga Deklarata e Selanikut e vitit 2003 që përcaktoi një të ardhme brenda bllokut për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Kroacia u bashkua në vitin 2013, por gjendja shpirtërore që atëherë brenda bllokut është acaruar kryesisht kur bëhet fjalë për zgjerimin e mëtejshëm në vendet më të varfra të ish-Jugosllavisë dhe Shqipërinë.

Negociatat e anëtarësimit u ngadalësuan në disa raste duke arritur pothuajse në një ndalesë totale, pasi BE-ja u përball me çështjet e veta të imigracionit, krizës ekonomike dhe rritjes së së djathtës ekstreme. Një nga rezultatet ka qenë një periudhë relapsi demokratik në disa vende të Ballkanit, si dhe ngërçi midis Serbisë dhe Kosovës në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja për të “normalizuar” marrëdhëniet e tyre.

Kohët e fundit, BE-ja është përpjekur të vendosë më shumë theksin në konvergjencën ekonomike midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Kjo ka një çmim, tha Marko Kmeziç, studiues i lartë në Qendrën për Studimet e Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit.

Një qasje e tillë, tha Kmeziç për BIRN, “çon në afrimin e çështjeve ekonomike, strukturore dhe të tjera, ndërkohë që, në fakt, nuk çon në konvergjencë institucionale dhe nuk kontribuon në demokracinë dhe reformat në fushën e sundimit të ligjit”.

“Procesi i zgjerimit kujtoi më shumë politikën ndaj fqinjëve dhe jo ndaj vendeve kandidate”, tha ai.

“Ato politika kanë rezultuar të gabuara për sa i përket zgjerimit dhe, në fakt, ajo që nevojitet është kthimi në fillim të procesit, pra, monitorim i rreptë i përmbushjes së atyre kushteve themelore për anëtarësim.”

Vetëm Kos nuk mund ta ndryshojë këtë, thonë ekspertët, por Kmeziç tha se thjesht ardhja nga Sllovenia do të ishte një përmirësim në lidhje me komisionerin në largim, Oliver Varhelyi të Hungarisë.

“Komisioneri për Zgjerimin nuk do të vijë këtë herë nga një vend që ka vetë një problem, ta zëmë, me vlerat bazë të Bashkimit Evropian, pra, demokracinë dhe sundimin e ligjit”, tha ai për BIRN.

“Prandaj, ne mund të presim që në mandatin e saj ajo t’u përmbahet në mënyrë më rigoroze kërkesave themelore që kanë të bëjnë me demokracinë, sundimin e ligjit dhe të tjerat.

Shefja e Punëve të Jashtme përballet me “situatën e nderë diplomatike” mbi Serbinë

Përsëri, nëse konfirmohet nga parlamenti, zyrtarja tjetër e re evropiane me të cilen Ballkani Perëndimor mund të presë të merret rregullisht do të jetë Kaja Kallas, të cilën von der Leyen e emëroi për portofolin e çështjeve të jashtme dhe sigurisë.

Si kryeministre e Estonisë nga viti 2021 deri në vitin 2024, Kallas ishte një mbështetëse e hapur e Ukrainës pas pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë në shkurt 2022.

Kjo mund të jetë e sikletshme për Serbinë, e cila si një kandidate për anëtarësim pritet të përafrojë politikën e saj të jashtme me atë të BE-së, por e cila, si mike e Rusisë ortodokse, ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Moskës.

Vende të tilla “mund të presin vëmendje të veçantë nga Përfaqësuesja e Lartë”, tha Steven Blockmans, bashkëpunëtor i lartë kërkimor në Qendrën për Studime të Politikave Evropiane me qendër në Bruksel dhe anëtar i lartë në Qendrën Ndërkombëtare për Mbrojtjen dhe Sigurinë me qendër në Talin.

Ndërsa refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, Serbia megjithatë i ka shitur municione Ukrainës, duke reflektuar aktin e vështirë balancues gjeopolitik të ndjekur nga Beogradi nën presidentin Aleksandër Vuçiç.

Kallas, nëse konfirmohet, do të përballet me një “situatë shumë të vështirë diplomatike” kur bëhet fjalë për Serbinë.

“Nga njëra anë, ajo do të përpiqet të bindë qeverinë në Beograd se ajo lloj politike të jashtme multivektoriale, të cilën ajo e ka zbatuar gjatë dy viteve të fundit, ka kufizimet e saj të dukshme”, tha Blockmans, duke vënë në dukje se tregtia e Serbisë me BE-në “eklipson” tregtinë e saj me Rusinë dhe madje edhe Kinën.

Marrëveshjet e fundit me Gjermaninë dhe Francën, respektivisht për litiumin dhe avionët luftarakë, sugjerojnë se disa anëtarë kyç të BE-së po e vënë tregtinë përpara “shqetësimeve për sundimin e ligjit, demokracinë dhe respektimin e lirive themelore”, tha Blockmans për BIRN.

Për Kallas, tha ai, kjo “e ndërlikon mandatin e saj, natyrisht, në të qenit parimore, në respektimin e bazave dhe të procesit të zgjerimit”.

“Dhe nga ana tjetër, ajo do ta ketë shumë të vështirë të ekuilibrojë pragmatizmin që nevojitet për të arritur fitoren në luftën e Ukrainës kundër Rusisë dhe të ruajë reformat e brendshme në vendet kandidate.”

Duke marrë detyrën nga Josep Borrell i Spanjës, Kallas do të marrë gjithashtu përgjegjësinë për dialogun e “normalizimit të marrëdhënieve” midis Serbisë dhe ish-krahinës së saj jugore, Kosovës.

Spanja, duke pasur parasysh shqetësimet e veta për Katalonjën, është një nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën si të pavarur, një fakt që që në fillim – të paktën në sytë e shqiptarëve të Kosovës – minoi besueshmërinë e Borrell-it si ndërmjetës i paanshëm.

Pavarësisht asaj që u përshëndet si një marrëveshje përparimi në fillim të vitit të kaluar, shumë pak ka ndryshuar në terren në vitet e fundit për sa i përket “normalizimit” të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës dhe tensionet kanë vluar vazhdimisht, veçanërisht në zonat kryesisht serbe të Kosovës veriore.

Blockmans tha se Kallas “mund t’i mbajë të dyja palët, në një farë mënyre, në ekuidistancë” dhe “mund të shihet si një ndërmjetëse më e besueshme nga të dyja palët”.

Duke theksuar nevojën për t’u koordinuar me Shtetet e Bashkuara, Blockmans tha se, si një e huaj në rajon, Kallas “do të duhet të jetë një nxënëse që mëson shpejt”.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco