Pas skandalit të diplomave, Qëndresa Qytetare thirrje për hetim të plotë të zyrtarëve: Kjo ngjarje nuk mund të kalojë kaq lehtë

Pas skandalit të diplomave, Qëndresa Qytetare thirrje për hetim të plotë të zyrtarëve: Kjo ngjarje nuk mund të kalojë kaq lehtë

20:55, 25/09/2024
A+ Aa A-

Në reagimin e saj në Facebook, 'Qëndresa Qytetare' ngre alarmin për mbylljen e Universitetit Wisdom, të akredituar në këmbim të një çante Louis Vuitton, dhe bën thirrje për hetime të plota, përfshirë rolin e ish-ministres së Arsimit, Evis Kushi, dhe të tjerë zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS). 

Reagimi thekson se, edhe pse vendimi për mbylljen e universitetit është për t'u përshëndetur pas skandalit të diplomave false, kjo çështje nuk mund të kalojë pa ndjekur përgjegjësinë institucionale të zyrtarëve të lartë. Sipas 'QQ', 'MAS' dhe drejtuesit e saj ndër vite janë përgjegjës për monitorimin e çdo universiteti privat, por nuk kanë arritur ta bëjnë këtë në mënyrë të efektshme, duke lejuar korrupsionin të lulëzojë.

Në deklaratë, 'Qëndresa Qytetare' akuzon se korruptimi me çanta luksi tregon sesi ka funksionuar Bordi i Akreditimit dhe thekson se përgjegjësia duhet të shtrihet në të gjitha strukturat institucionale, përfshirë edhe punën e ish-ministres Besa Shahini, dhe ministres aktuale Ogerta Manastirliu. 

REAGIMI I PLOTË

Mbyllet Universiteti që u akreditua në këmbim të një çantë Louis Vuitton, hetimet të kalojnë në skaner dhe rolin  e ministres dhe kupolës së MAS!

Është për t'u përshëndetur vendimi për mbylljen e Universitetit Wisdom pas skandalit të diplomave false. 

Mirëpo, kjo ngjarje nuk mund të kalojë kaq lehtë për sa i përket përgjegjësisë institucionale të zyrtarëve të lartë në MAS dhe qeveri. Një universitet privat që funksiononte si qendër tregtare, ku shiste diploma për degë që ekzistonin apo nuk ekzistonin fare në programin e tyre të studimit, ka një zanafillë, korrupsionin. 
Ministria e Arsimit dhe ish-drejtuesja, Evis Kushi, si dhe paraardhëset dhe pasardhësja e saj janë maja e kupolës kontrolluese të çdo institucioni arsimor. 
Është bërë e udhës që pas çdo skandali, mbyllet kopshti, mbyllet shkolla, mbyllet universiteti, po grupet e kontrollit ministror ku janë në këtë pikë? 
Si ka funksionuar deri më sot monitorimi i këtij apo i ndonjë universiteti tjetër privat? 
Padyshim, një qeveri që ka në listë patronazhimi gjithë shqiptarët, nuk mundet kurrësesi të mos ketë dijeni për atë çfarë ndodh në arsimin shqiptar?

Zyrtarja korruptohej me çanta luksi, kaq mjafton për të kuptuar sesi Bordi i Akreditimit ka funksionuar.  Përgjegjësia këtu nuk ka më lidhje për personale, por duhet të marri shtrirje institucionale. QQ kerkon të hetohet puna e ministres së Arsimit Evis Kushi, paraardhëses së saj Besa Shahini, pasardhëses së saj Ogerta Manastriliu, Bordit të Akreditimit, çdo mekanizmi institucionale që ka pasur përgjegjësi monitorimin e funksionimit të universiteteve.  Falë Guardia Di Financia, ne zbuluam se në Shqipëri shiten diploma njësoj siç shiten fruta-perimet në market, pasi ministria e Arsimit, edhe pse kishte dijeni nëpërmjet një email, nuk foli, nuk nxorri asnjë njoftim, dhe koka e "strucit" u shfaq pas jehonës në mediat italiane.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco