Lajmi i fundit

KUSH PAGUAN/ Sa do të rriten pensionet në 1 tetor?

Shitja e diplomave false/ Pas shpërthimit të skandalit, Rama mbyll Kolegjin Universitar ‘Wisdom’

Shitja e diplomave false/ Pas shpërthimit të skandalit, Rama mbyll Kolegjin Universitar ‘Wisdom’

19:15, 25/09/2024
A+ Aa A-

Këshilli i Ministrave ka mbyllur veprimtarinë e Kolegjit Universitar “Wisdom”, pas publikimit të skandalit të shitjes së diplomave false.

Sipas vendimit të marrë nga qeveria, Kolegji “Wisdom”, ka për detyrë të mbyllë detyrimet lidhur me veprimtarinë akademike dhe kërkimore-shkencore, për vitin akademik 2023-2024, deri në përfundimin e tij, në të gjitha programet e studimit të ofruara si edhe të kryej dokumentacionet për transferimin e studentëve në një institucion tjetër të arsimit të lartë.

Wisdom ka për detyrë sipas vendimit, të kthejë pagesat e kryera nga çdo student për pjesën e papërfunduar të programeve përkatëse të studimit.

Po ashtu, me vendim të qeverisë, vula e kolegjit universitar “Wisdom” asgjësohet sipas procedurave të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi.

Vendimi i Këshillit të Ministrave

V E N D I M PËR MBYLLJEN E VEPRIMTARISË SË KOLEGJIT UNIVERSITAR “WISDOM”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “l”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I

1. Mbylljen e veprimtarisë së kolegjit universitar “Wisdom”, i cili e ka ushtruar veprimtarinë në qytetin e Tiranës.

2. Kolegji universitar “Wisdom” ka këto detyrime:

a) Të mbyllë të gjitha detyrimet lidhur me veprimtarinë akademike dhe kërkimore-shkencore, për vitin akademik 2023-2024, deri në përfundimin e tij, në të gjitha programet e studimit të ofruara;

b) Të përgatisë dosjen për çdo student që nuk ka përfunduar programin përkatës të studimit, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit të lartë, që plotëson kriteret ligjore për transferimin e studimeve dhe t’ia vërë atë në dispozicion vetë studentit, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e tij, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;

c) Të kthejë pagesat e kryera nga çdo student për pjesën e papërfunduar të programeve përkatëse të studimit, për rastet kur pagesat janë kryer për cikël studimi, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj studentit;

ç) Të dorëzojë dokumentacionin ligjor, administrativ, financiar dhe akademik që disponon dhe mbi bazën e të cilit ka zhvilluar veprimtarinë e tij akademike dhe kërkimore-shkencore në strukturat përgjegjëse, në përputhje me kuadrin ligjor për arkivat, brenda 2 (dy) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;

d) Të vendosë në dispozicion të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin e të gjitha kërkesave, të parashikuara në këtë vendim.

dh) Të vendosë në dispozicion personel akademik dhe administrativ të nevojshëm deri në përfundimin e procesit për mbylljen e tij, sipas afateve të përcaktuara në këtë vendim.

3. Vula e kolegjit universitar “Wisdom” asgjësohet sipas procedurave të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi.

4. Të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për mbylljen e kolegjit universitar “Wisdom”, në zbatim të këtij vendimi, përballohen nga ana e institucionit jopublik të arsimit të lartë/personit juridik që e përfaqëson.

5. Institucionet e arsimit të lartë pranojnë deri në datën 20.11.2024 aplikimet për transferimin e studentëve të kolegjit universitar “Wisdom”, për vitin akademik 2024-2025, në programe të njëjta apo të ngjashme studimi, kur plotësojnë kriteret ligjore.

6. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Qendra Kombëtare e Biznesit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe kolegji universitar “Wisdom”/personi juridik “Wisdom”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

SKANDALI ME DIPLOMAT FALSE

Guardia Di Finanza Italiane ka zbuluar se nga Tirana, Qipro e Britania me mijëra diploma false janë shitur për shtetas italianë në vlerat nga 7000-10.000 euro për secilën.

Sipas mediave atje, pjesë e skemës është edhe një zyrtare e institucioneve në Shqipëri, e cila ka favorizuar pronarët e Kolegjin Wisdom, Savino Cianci dhe Lucia Catalano.

Në dosje thuhet se kësaj zyrtareje i është dhënë një çantë e firmës “Louis Vuitton” që ka kushtuar 1150-1200 euro. Dhurata i është dorëzuar gjatë një darke, ndërsa e gjithë situata zhvillohet në gusht të 2022. Në krye të kësaj skeme, qëndron çifti Savino Cianci dhe Lucia Catalano, të dy administratorë të universitetit.

Duke përfituar nga lidhjet që kishin në Shqipëri dhe në Itali, ata morën drejtimin e Universitetit me premtimin që do ta shndërronin në një qendër të mësimdhënies, për të gjithë studentët e ekselencës në Ballkan.

Në rrjetet sociale Nino Cianci ka postuar foto nga jeta e tij në Shqipëri, ku nuk mungojnë takime me zyrtarë, profesorë dhe një agjendë e ngjeshur universitare.

Ndërkohë referuar të dhënave nga dosja, Cianci dhe Catalano janë kujdesur që me rastin e Krishtlindjes (25 dhjetor) të përgatisin dhe të dorëzojnë dhurata edhe drejtuesit e Ministrisë së Arsimit, duke përmendur emrin e Evis Kushit.

“Lucia Catalano dhe Savino Cianci bëjnë çmos për të përgatitur dhe për të dorëzuar dhuratat për festat e Krishtlindjeve për: Pietrangeli (ambasador), Lucia Cuçiarelli dhe Carlo Intaschini, Evis Kushi…”, thuhet nder të tjera në dokumentet e publikuara nga mediat italiane.

Nga hetimet e autoriteteve italiane dyshohet se për çdo certifikatë apo diplomë paguheshin 8 mijë euro. Kualifikimet ishin të ndryshme: mësimdhënie mbështetëse, diplomë në kriminologji, diplomë hotelerie dhe specializime të tjera.

Ndërkohë autoritetet italiane kanë arrestuar 9 shtetas italianë, mes të cilëve edhe pronarin e kolegjit universitar Wisdom në Shqipëri, në kuadrin e hetimeve mbi atë që konsiderohet si skandali i shitjes së diplomave.

Autoritetet italiane po hetojnë rreth 41 persona që dyshohet se janë përfshirë në skemë, ndërsa hetimet përfshijnë edhe veprimtarinë e dy kompanive me seli në Foxhia dhe Romë.

Hetimet po kryen lidhur me akuzat për mashtrime të rënda, falsifikim dokumentesh korrupsion e pastrim parash.

Gjithashtu janë arrestuar Maria Saveria Modaffari, Giada Fortunata Modaffari, Maria Ornella Attisano, Leonardo Catalano, Marco Lombardi, Antonio Caporale dhe Maria M’Daraa.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco