Piranjat/ Miliona euro të shkuara dëm, skandali i KESH me anijet gjenerator

22:21, 20/09/2024
A+ Aa A-

Për plot dy sezone, Piranjat kanë treguar me fakte se si përmes një tenderi emergjent të shpallur nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare në shkelje të ligjit, janë shpenzuar disa miliona euro në mënyrë të panevojshme për një krizë që ka kaluar dhe është harruar, për atë energjitike të vitit 2022.

Me shpalljen e krizës së energjisë elektrike KESH u ngarkua me një vendim nga qeveria shqiptare që të nisë negociatat për të marrë dy Tec-e lundruese që prodhojnë energji. Tenderi u bë emergjent, dhe me dokumenta të parregullta dhe fituese u shpall një kompani amerikane me të cilën u lidh kontrata disa javë më vonë. 

Por anijet mbërritën në Shqipëri në përfundim të krizës dhe kur çmimet në bursë kishin nisur të normalizoheshin. Kriza përfundoi dhe anijet që prodhojnë energji po vihen në punë dy vjet më vonë.

Ndezja e Tec-eve në gjirin e Vlorës do të krijojë probleme të shumta mjedisore dhe nuk ka aspak leverdi, pasi kosto e prodhimit të energjisë përmes tyre është 284 euro për megavat orë, ndërsa çmimi mesatar i energjisë ne bursën hungareze hupex këtë muaj ka qënë 80 euro për megavat orë, 3 fish më i ulët.

Anijet u blenë 15 milion dollarë, por KESH ka marrë përsipër në kontratë të paguajë qira për dy vjet 46.5 milion dollarë, ndërsa për operimin e tyre do të paguhen 22.5 milion dollarë të tjera. Këto absurditete do të bënin të ulëriste çdo ekonomist.

Ministria e Infrasrukturës dhe Energjisë bashkë me KESH e shitën publikisht se anijet që do të prodhojnë energji janë sjellë nga kompania e madhe amerikane Excelerate Energy, por rezulton se firma që është marrë me këtë çështje ka vetëm emrin e ngjashëm, pasi bazën e ka në shtetin offshore Delaware, shtet i cili nuk publikon emrat e pronarëve të kompanisë. 

Në ofertën që i është dorëzuar KESH-it rezulton se aplikimi është bërë nga firma prestigjoze Excelerate Energy, oferta shoqërohet dhe me logon e saj, por brenda dokumentave rezulton se është dorëzuar certifikata e regjistrimit të një tjetër firme: Excelerate Global Operations LLC, ndërsa personi që ka firmosur ofertën është Daniel Bustos shefi i njësisë tregtare i një tjetër Excelerate, asaj Limited Partnership. Të dyja kompanitë, si Excelerate Global Operations ashtu edhe Excelerate Energy Limited Partnership rezultojnë me seli në Delaware, shtet ne Shtetet e Bashkuara te Amerikes, e njohur si parajsë fiskale. 

Nëse lidhja e kontratës është bërë mes KESH, firmës italiane Renco dhe Excelerate Global Operations LLC, adresa nuk është e vendosur e kësaj të fundit që është në Marshall Island Delaëare, por e kompanisë Excelerate Energy : në Texas, The Ëoodlands, 77381, SHBA. 

Gjatë gjithë kësaj kohe, KESH ka shpenzuar 2 milion euro për sigurimin e anijeve, 7.2 milion euro për qiranë e depozitave të lëndës djegëse, afro 4 milion euro për lëndën djegëse, 1.7 milion euro për zhdoganimin dhe 460 mijë euro për vajin lubrifikues. Plot 15.3 milion euro, pa numëruar truallin dhe kapanonët që janë në pronësi të KESH, të cilat i ka përdorur si të vetat!

Edhe pse gjithë kjo shumë u shpenzua pa arritur të japë qoftë dhe një kontribut modest në krizën e energjisë, përkundrazi rëndoi faturën e saj, ajo që kishte më shumë rëndësi është shpëtimi i pjesës më të madhe të tortës: parave që do të jepeshin për pagesën e qirasë dhe operimit, 68 milion dollarë, të cilat po shpëtonin sepse anijet nuk po viheshin në punë. 

Pagesat për qiranë e dy Tec-eve sipas kontratës, nisin kur dy anijet termike ndizen dhe kalojnë testin 72 orë me presion për të prodhuar energji pa ndërprerje, certefikatë e cila lëshohet nga një inxhinier i certefikuar.

Dhe testimi i tyre u tentua disa herë, por pa patur sukses. Por testi u tentua sërish dhe ja ku jemi: KESH i ka marrë në dorëzim plot 3 vjet pas nisjes së krizës dhe miliona euro tashmë do të shkojnë qetë qetë në xhepat e një kompanie offshore me pronarë të fshehtë.

Në një përgjigje që Korporata Elektroenergjitike ka kthyer për "Piranjat", pranohet se kolaudimi dhe certefikimi i dy aseteve termike ka përfunduar në datën 17 gusht 2024 dhe tashmë fillon dhënia e pagesave sipas skedulit të rënë dakord.

“Testi është bërë dhe ka përfunduar në datën 17.08.2024, ora 10:10. Asetet prodhuan energji gjatë 72 orëve pa ndërprerje, në përputhje me Specifikimet Minimale Funksionale të parashikuara në kontratë. Asetet janë të gatshme për punë, ndërsa vendosja dhe operimi masiv varen nga kushtet e tregjeve, çmimet e energjisë dhe ardhja e lëndës djegëse HFO, si edhe përfundimi i procedurave të brendshme. Me dorëzimin e objektit, fillojnë pagesat sipas skedulit financiar të Operimit dhe Mirëmbajtjes të specifikuara në kontratë”, thuhet në përgjigje.

Nga ajo që kuptojmë në këtë përgjigje është kjo: anijet po merren në dorëzim, KESH do të paguajë paratë, por nuk dihet nëse do të vihen në punë, sepse për momentin kushtet e motit janë të mira, rezerva energjitike është në nivelet e mesatares shumëvjeçare dhe madje disa ditë më parë KESH eksportoi një sasi të vogël energjie.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco