Tabaku: Nuk ka vullnet për zbatimin e reformës zgjedhore sipas OSBE-ODIHR

Tabaku: Nuk ka vullnet për zbatimin e reformës zgjedhore sipas OSBE-ODIHR

11:44, 20/09/2024
A+ Aa A-

Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Çështjeve Europiane, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, shprehu shqetësimet e saj lidhur me Udhërrëfyesin për Integrimin në Bashkimin Europian. Ajo akuzoi qeverinë dhe shumicën socialiste për mungesë vullneti politik në implementimin e reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR.

Tabaku vuri në dukje se një sërë masash, të cilat fillimisht ishin planifikuar për periudhën 2023-2024, janë shtyrë për në vitin 2025 dhe madje disa deri në 2030. “Kur nuk janë kryer ndryshime deri më tani, cila është garancia që jepni ju se do të bëhen në vijim dhe që janë të thjeshta?” pyeti ajo, duke theksuar mungesën e veprimit konkret nga ana e qeverisë.

Deputetja demokrate identifikoi disa shembuj konkretë të mungesës së progresit:

• Mungesën e vullnetit politik për të ndërmarrë një reformë zgjedhore sipas këshillave të OSBE-ODIHR.
• Plotësimi i vendeve vakante: Aktualisht, 22 vende vakante në institucione publike presin të plotësohen nga Kuvendi. Tabaku theksoi se kjo vonesë dëmton funksionimin institucional.
• Ndryshimet ligjore: Ajo nënvizoi nevojën për ndryshime në ligjin për shoqërinë civile, ligjin e konfliktit të interesit dhe ligjin për sponsorizimin e partive politike. Sipas saj, këto ndryshime kërkojnë vullnet politik që mungon nga mazhoranca.

Duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Tabaku shprehu shqetësimin se udhërrëfyesi shtyn disa ndryshime zgjedhore pas vitit 2025. “Ju po thoni që nuk ka vullnet mazhoranca të bëjë ndryshime në Kodin Zgjedhor bazuar mbi rekomandimet e OSBE-ODIHR?!” deklaroi ajo, duke sugjeruar se qeveria po anashkalon qëllimisht reformat e nevojshme.

Tabaku gjithashtu kritikoi qasjen e qeverisë ndaj shoqërisë civile.

Lidhur me aksesesin në fondet publike, Tabaku pyeti se si mund të sigurohet që e gjithë shoqëria civile të ketë akses në fondet publike, duke vënë në dukje mungesën e transparencës dhe barazisë.

Përsa i takon regjistrit të shoqërisë civile, deputetja vuri në pikëpyetje përfitimet e regjistrit të miratuar së fundmi, duke sugjeruar se ai nuk ka sjellë lehtësira reale për organizatat joqeveritare.

Ndërsa lidhur me çështjen e TVSH-së, ajo kritikoi procedurat komplekse të rimbursimit të TVSH-së për shoqërinë civile, duke propozuar lehtësira të ngjashme me ato në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si Maqedonia e Veriut.

Duke theksuar se udhërrëfyesi aktual është “shumë larg realitetit” dhe se qeveria nuk ka dëshirë të implementojë ndryshimet e nevojshme, Tabaku tha se”një veprim i tillë qartazi është dëshmi e vullnetit të munguar të qeverisë”.

Rekomandimet e OSBE-ODIHR janë konsideruar thelbësore për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Implementimi i tyre është një nga kushtet kryesore në procesin e integrimit europian të vendit.

Kritikat nga opozita vijnë në një kohë kur vendi po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme dhe reformat zgjedhore janë në fokus të debatit politik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco