PD shpreh ngushëllimet/ Për Gertin: Njeri, demokrat, politikan dhe bashkëluftëtar

PD shpreh ngushëllimet/ Për Gertin: Njeri, demokrat, politikan dhe bashkëluftëtar

16:29, 18/09/2024
A+ Aa A-

Partia Demokratike ka shprehur dhimbje të thellë për ndarjen e parakohshme nga jeta të Gerti Bogdanit, një prej deputetëve të saj më të shquar.

Ai u shqua si një politikan i përkushtuar që u dha vite të mira demokratëve, duke fituar respektin e gjithsecilit për integritetin dhe përgatitjen e tij të lartë.

REAGIMI I PLOTË

Gert Bogdani
7 korrik 1980-18 shtator 2024

Dielli perëndoi sot përgjithmonë për njërin nga drejtuesit e shquar të Partisë Demokratike, njërin prej politikanëve që i kushtoi vitet më të mira të jetës demokrateve dhe demokratëve.

Gerti Bogdani u lind në Tiranë, ku mbaroi shkollën e mesme “Harry Fultz”, me rezultate të shkëlqyera dhe ‘Medalje Ari’. Ai vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të New York-ut, ku u diplomua me ‘Nderimet më të Larta’ (Summa Cum Laude), duke u shpallur edhe fitues i Outstanding Graduate Award – ‘Medalje Ari’.
Bogdani, pas studimeve në Amerikë, u kthye në Shqipëri ku filloi karrierën profesionale si Profesor me kohë të plotë i Shkencave Kompjuterike në University of New York Tirana.
Ai është themelues dhe drejtues i Rrjetit të Studentëve Shqiptarë në Botë.
Karrierën politike e fillon në vitin 2007, kohë kur kandidoi për Partinë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr.10 Tiranë, duke fituar.
Gjatë kësaj kohe shërbeu si zëdhënës politik i PD. Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidon në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit, dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Nga viti 2009 e në vijim, ai vazhdoi aktivitetin si Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike-FRPD.
Në vitin 2011 u zgjodh zv/President i “Bashkimit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë” (International Young Democrat Union – IYDU) e më pas, në janar të vitit 2012, n/Kryetar.
Në shtator 2015 u zgjodh Kryetar i IYDU, në Kongresin e zhvilluar në Lisbonë, duke u bërë kështu politikani i parë shqiptar me një post kaq të lartë në një organizatë ndërkombëtare.
Prej prillit 2007 deri në shtator 2021 ai shërbeu si Sekretar për Marrdhëniet me Jashtë dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike.
Në fjalët e Sali Berishës, Kryetar i PD:
Gerti Bogdani do të mbetet njëri nga personalitetet e reja më të shquara të PD-së: një politikan demokrat, me civilitet, me formim, me përgatitje, me ndershmëri, me urtësi, në shkallën më të lartë. Kjo është një humbje e madhe për PD-në, por është një humbje e vërtetë për shoqërinë shqiptare. Gerti Bogdani ishte nga ata të rinj, pasardhës i një familje të shkëlqyer, të rreshtuar që në fillime me PD.
Në rast se ka një njeri që njoh unë, i cili tek çdo qytetar, mik, shok i njohur, ka lënë vetëm përshtypje pozitive në çdo takim, në çdo komunikim, ky është Gerti Bogdani.
I paharruar kujtimi i tij!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco