Mbyllen pa përparim bisedimet Kosovë - Serbi në Bruksel

Mbyllen pa përparim bisedimet Kosovë - Serbi në Bruksel

19:59, 17/09/2024
A+ Aa A-

Zoti Lajçak së pari u takua me kryenegociatorin e Kosovës Besnik Bislimi dhe më pas edhe me atë të Serbisë Petar Petkoviç, por nuk pati takim trepalësh dhe të dy akuzuan njëri tjetrin për dështimin e tij.

Në një komunikatë të qeverisë së Kosovës thuhet se zoti Bislimi bisedoi me të dërguarin evropian Miroslav Lajçak mbi planin e zbatimit të marrëveshjeve, çështjen e personave të zhdukur me dhunë, telekomunikimin dhe lirinë e lëvizjes.

Në këtë kuadër theksohet në komunikatë, edhe për Bashkimin Evropian është e qartë se hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për lëvizjene makinave nuk ka alternativë.

Kryenegociatori i Serbisë Petar Petkoviç tha gjatë një konference për shtypin se në takim i ka paraqitur masat e publikuara nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç për zgjidhjen e situatës në veriun e Kosovës, duke nënvizuar se Serbia është e gatshme për kompromis, por pa takime trepalëshe negociatat nuk kanë kuptim.

Javën e kaluar presidenti serb kërkoi rikthimin e gjendjes së mëparshme në veri të Kosovës, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, formimin e drejtorisë rajonale të policisë dhe kthimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në vendet e tyre të punës.

Në Prishtinë kjo shihet si një kërkesë për zhbërjen e shumë veprimeve të nxitura nga vet Beogradi.

“Ai dëshiron që tash para perëndimit të duket kinse po kontribuon për diçka pozitive por në fakt në prapaskenë Vuçiçi vazhdimisht punon vetëm për destabilizim të gjithë rajonit tonë dhe rikthim të rajonit tonë në vitet e 90-ta. Pra nuk duhet asnjë fjalë e tij të merret seriozisht por në anën tjetër ne duhet të punojmë brenda Kosovës, të punojmë maksimalisht që të gjithë qytetarët tanë në Kosovë pavarësisht etnisë të jenë të barabartë, të kenë mundësi të barabarta e njëkohësisht të punojmë me partnerët tanë të sigurisë që Kosova të bëj vetëm hapa përpara e jo hapa mbrapa”, tha presidentja e Kosovës Vjosa Osmani

“Ato kërkesat e tij, masat e tij që bëhen nga një dëshpërim dhe paraqesin joracionalitet, nuk janë aspak paqësore por përkundrazi pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja që padyshim se nuk kanë vend as në Kosovë as në rajonin tonë”, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Bashkimi Evropian tha se “mirëpret thirrjet e presidentit serb Vuçiç që serbët e Kosovës, të marrin pjesë në zgjedhje dhe të riintegrohen në të gjitha institucionet e Kosovës, nga të cilat janë larguar në vitin 2022”.

Policët, gjykatësit dhe prokurorët serbë dhanë dorëheqje në nëntor të vitit 2022 në shenjë proteste ndaj shkarkimit nga autoritetet në Prishtinë të një oficeri policie, pas refuzimit nga ana e tij të zbatimit të urdhrave që kishin të bënin me zëvendësimin e targave të makinave serbe, me ato të Kosovës.

Kërkesat e Beogradit pasuan veprimet e qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele në veri të mbështetura nga Serbia, në fund të muajit gusht.

Vendimi nxiti kritika nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për shkak të shqetësimeve se tensionet në Kosovë mund të çojnë në destabilitet më të gjerë në Ballkan. Diplomatët perëndimorë kërkojnë që të gjitha çështjet që lidhen me veriun të trajtohen në kuadër të bisedimeve në Bruksel.

Por bisedimet 13 vjecare për normalizimin e marrëdhënieve kanë shënuar përparim të paktë, ndërsa një marrëveshje për të cilën palët ranë dakord vitin e kaluar as që ka filluar të zbatohet/ VOA.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco