Piranjat/ Agjencia e trajtimit të kredive në krizë, flet ministri i ri i Financave

22:27, 13/09/2024
A+ Aa A-

Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera, një institucion me rreth 30 punonjës ka si mision mbledhjen e kredive të këqija të ish-bankave të nivelit të dytë në favor të buxhetit të shtetit. Por në të vërtetë kjo agjenci nuk ka vepruar në favor të buxhetit të shtetit.

Në një auditim që ka kryer Kontrolli i Lartë i Shtetit, Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera është në kushtet e pamundësisë së vjeljeve të detyrimeve të debitorëve për shkak të shumë problematikave. Ka mbi 18 mijë persona që nuk kanë shlyer borxhet dhe punonjësit e agjencisë duket se nuk e kanë marrë seriozisht punën për arritjen e objektivave.

Agjencia ka marrëveshje bashkëpunimi vetëm me drejtorinë e tatimeve, me zyrën e pasurive të paluajtshme dhe Bankën e Shqipërisë. Mirëpo edhe në bashkëpunimin me këto tre institucione nuk janë shfrytëzuar të gjitha hapësirat për të bërë të mundur ekzekutimin e detyrimeve. Mbi të gjitha mungon një marrëveshje me drejtorinë e gjendjes civile për të identifikuar statusin dhe adresën e debitorëve. Kjo procedurë nisi dikur të bëhej gati, por nuk u finalizua. Nisur nga këto mangësi, të dhënat që disponon agjencia për debitorët e saj, jo vetëm janë të mangëta, por shpesh herë edhe qesharake. Për shembull njëri prej debitorëve është i datëlindjes 2056, ndërsa mosha e tre debitorëve është 1000 vjeç.

Sipas KLSh, nuk është vepruar me çelje trashëgimie për asnjë debitor që ka ndërruar jetë. Madje në raport nënkuptohet se ka pasur edhe favorizime, pasi për 66 kompani pa status aktiv, agjencia nuk i është drejtuar gjykatës për shpallje falimenti dhe caktim likuidatori.

Dhe si të mos mjaftonin të gjitha këto, agjencia ka ende për të mbyllur një kredi në Bankën Gjermane për Zhvillim, e cila është rritur vit pas viti për shkak të mosshlyerjes së kësteve 6-mujore. Nga 1.800.000 euro në vitin 2021, kjo kredi ka arritur në shifrën 2.200.000 euro në 2023-shin. Pra, në vetëm dy vite shifra është rritur me 400 mijë euro.

Në lidhje me këto problematika, Piranjat ju drejtuan ish-ministrit të finanacve, Ervin Mete, por ai nuk dha asnjë përgjigje. Mirëpo, pak ditë më vonë pati ndryshime në qeveri dhe postin e ministrit të Financave e zuri Petrit Malaj. Kështu, Piranjat ju drejtuan sërish këtij të fundit, i cili tha se ka nisur punën për të caktuar drejtorin e ri të agjencisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco