VIDEO-Tenderat abuzivë të Bashkisë Selenicë/ Kryetari mohon konfliktin e interesit

21:43, 13/09/2024
A+ Aa A-

Keqmenaxhimi i fondeve publike në institucionet e qeverisjes vendore, denoncohet çdo ditë nga mediat, lokale dhe qendrore. Edhe pse pasojat çojnë në mungesë të investimeve për komunitetin dhe bien vetëm mbi ne, popullin, zyrtarët vazhdojë të abuzojnë pa u shqetësuar aspak për pasojat.

Këtë herë, Piranjat do të sjellin një rast abuzimi nga Bashkia Selenicë.

Në 18 prill të vitit 2023 Bashkia Selenicë organizoi tenderin me objekt “Meremetim dhe Hidroizolim i Shkollave 9-vjeçare”: Velcë, Lubonjë, Ramicë dhe Peshkëpi.”

Në këtë procedurë morën pjesë 4 operatorë ekonomikë dhe në 19 maj 2023 fitues u shpall bashkimi i operatorëve APIS CONSTRUCTION & Asi-2A CO, të cilët dhanë ofertën e dytë më të ulët, 116 mijë euro me tvsh.

Sipas relacionit arkitektonik ndërhyrjet për të 4-tër shkollat, do të konsistonin në: punime murature, çatie-izolimi, elektrike, etj. Kontrata për këtë tender u firmos në 3 korrik.

Këtë vit, konkretisht në datë 16 maj Bashkia e Selenicës hap një tjetër tender. Këtë herë për rikosntruksionin e plotë të një shkolle, që për paradoks ishte pjesë e tenderit të mëparshëm të riparimeve.

Bëhet fjalë për shkollën 9-vjeçare “Dëshmorët e Peshkëpisë”.

Pra, në 2023 shpallin fituesin për atë që do të rikonstruktojë këtë shkolle dhe një vit më pas hapin prapë garën për të bërë sërish rikosntruksionin e saj?

Besoj se e kuptuat, që këtu ka diçka që nuk shkon. Por s’kemi mbaruar akoma. Gjejeni pak se kush u shpall fitues? I njëjti operator që fitoi edhe tenderin e parë: ASI-2A CO. Ama këtë herë, me një fitim shumë herë më të madh. Vlera e kontratës është 753 mijë euro me tvsh dhe punimet do të zgjasin 7 muaj.

Vallë,  për çfarë arsyeje ka lindur nevoja që këto punime të përfshihen edhe në tenderin e dytë dhe të kryhen sërish nga ASI-2A CO? Këtë, ju a sqarojmë tani. Operatori ASI-2A CO ka një histori suksesi me Bashkinë e Selenicës, pasi nuk është hera e parë që ai fiton tenderat e kësaj bashkie. Po të bëjmë një kërkim, shohim se ai ka fituar pafund kontrata...dhe mijëra euro sigurisht.

Gjithashtu, fituesi kronik Asi 2A ka lidhur 2 kontrata në Bashkinë Has me vlerë totale 200 mijë euro, edhe në bashkëpunim me një firmë tjetër po aq interesante.

Bëhet fjalë për “VISCONS GROUP” , e cila rezulton në emër të Marjo Hoxhaj. Që është as më pak dhe as më shumë, djali i Lulo Hoxhaj, shefit të financës së Bashkisë Selenicë.

Pra, tendera të dhëna dy herë për të njëjtat punime, kompani që fitojnë të gjitha garat e punëve publike dhe persona në konflikt interesi.

Lidhur me të gjitha këto përfundime, kryetari Nertil Ballaj ka vetëm një përgjigje.

“Nuk ka asnjë konflikt interesi. Nuk më duhet kush po i bën punimet. Tenderi vjet është bërë për rregullime të objekteve, që i prishin nxënësit dhe këtë vit për rikonstruksionin e plotë të saj...”

Një argument, që kundërshtohet fare lehtë nga vetë zërat e punimeve, të cilat janë të njëjta për të dyja tenderat.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco