VIDEO/ A ka ndryshuar kontrata e rrugës Thumanë-Kashar, pas vendimit të gjykatës?

21:29, 13/09/2024
A+ Aa A-

Projekti për ndërtimin e segmentit Thumanë-Kashar ishte pjesë e paketës novatore të qeverisë Rama që mandatin e saj të parë në vitin 2017. Ky projekt zhvillimi pati dhe një emër domethënës ‘1 miliard euro investime’, por që në fakt përfundoi në një model abuziv që i hapi rrugë disa koncesioneve grabitqare të formës Partneritet – Publik – Privat në infrastrukturën publike.

Prezantimi i paketës për të pranuar kapital nga operatorë privatë të tregut, legjitimonte mundësinë e kufizuar financiare të buxhetit për të bërë investime në rrugë, por në fund kostot e interesit të parave që koncesionarët hodhën në këto vepra, rezultojnë të jenë disa herë më të larta se interesat e borxhit që merr shteti në treg kur ka mungesë të fondeve. Në këtë frymë u ideua dhe pritja e ofertave të pakërkuara nga operatorët, ku projekti që do të zbatohej do të ishte ai që do të sillte propozuesi.

Kompania Gener 2 u shpërblye me 8.5 pikë bonus në 13 mars 2018 për garën që do të hapte në të ardhmen ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për autostradën 21 kilometra nga Thumana në Vorë. Ajo propozoi ndërtimin e një autostrade të kategorisë A kundrejt një vlere 225 milion euro pa tvsh, por pas këtij investimi oferta llogariste që në fund të 13 viteve që do të përfshnin ndërtimin dhe mirëmbajtjen, buxheti i shtetit do të detyrohej të paguante 455 milion euro, 230 milion euro më shumë se vlera e investimit. Një incident që ndodhi me përfshirjen e kompanisë Gener 2 në skandalin DH Albania me falsifikimin e dokumentave të tenderit për ndërtimin e Unazës së Madhe, solli ndryshime qeverie dhe vetë ministrja që sapo kishte marrë detyrën në vitin 2019, Belinda Balluku, anulloi koncesionin.

Por ndërsa muajt kalonin, kompania ishte e vendosur që të merrte me çdo kusht kontratën dhe e ankimoi vendimin si arbitrar në gjykatën e shkallës së parë duke e humbur çështjen, të cilën e fitoi më pas në Gjykatën Administrative të Apelit më 29 korrik të vitit 2021, vendim i cili detyronte Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë që t’ia përcillte për miratim Këshillit të Ministrave draft-kontratën koncesionare për projektin Thumanë- Fushë Krujë –Vorë –Kashar.

Këtu nis një listë e gjatë me shkelje, të cilat deri tani nuk ka zgjedhur t’i hetojë askush nga institucionet e drejtësisë. Kontrata e re lidhet duke ndryshuar kushtet thelbësore të termave të referencës me të cilat u shpall gara dhe u fitua nga kompania koncesionare.

1.            Nëse afati i kohëzgjatjes së kontratës në garën e hapur në vitin 2018 ishte 13 vjet, tashmë në kontratën e nënshkruar dhe të miratuar në qeveri u bë 35 vjet.

2.            Nëse koncesionari planifikohej të merrte nga koncesioni në total 445 milion euro, tashmë në kontratën e re me skenarin normal, planifikohet të arkëtojë në fund të 35 viteve 1 miliard 307 milion euro, mesatarisht 37 milion euro në vit.

3.            Në garën e hapur në vitin 2018, dokumentat e tenderit specifikonin qartë se nuk do të vendosej asnjë tarifë, e aq më tepër të lejohej koncesionari që ta vilte atë. Tashmë kontrata e re lejonte vendosjen e traut me pagesë 2.5 euro për kalimin e makinave, pa bërë asnjë studim fizibiliteti, i cili ishte dorëzuar tërësisht ndryshe në modelin financiar për të cilin kompania mori bonusin, pa konsultuar banorët e zonës dhe matur efektin që do të jepte në zonë.

4.            Kontrata e re “harroi” të llogarisë përdoruesit e shpeshtë të rrugës dhe të ofrojë tarifa favorizuese për ta, por nuk harroi që pala koncesionare të ideksojë inflacionin në tarifë, çka nënkupton rritjen progresive të pagesës në të ardhmen.

5.            Gjurma e rrugës në projektin e dorëzuar do të ishte tërësisht e re dhe do të ofronte një aks alternativ pa pagesë për të gjithë drejtuesit e mjeteve duke mbajtur të pandryshuar segmentin e vjetër. Në realitet, askush nuk lejohet të kalojë në aksin e vjetër i cili është i bllokuar.

Po përse janë të rëndësishme këto pika? Ligji për koncesionet dhe partneritetin publik-privat përcakton se ndryshimet e kushteve thelbësore të kontratës, që nuk parashikohen në dokumentacionin e tenderit, kërkojnë zbatimin e një procedure të re të dhënies së kontratës së koncesionit/PPP. Termi kushtet thelbësore u referohet në veçanti kushteve, të cilat, do të kishin bërë të mundur që ofertuesit në garë të dorëzonin një ofertë financiare të ndryshme. Pra, nëse tenderin për ndërtimin e këtij aksi ka patur 4 oferta, a mund të dilte dikush që të jepte një vlerë më të ulët tarife dhe të mbante marzh më të ulët fitimi? Dikush mund të jepte 1 euro, dikush 1.5 apo dhe 0,5. Dikush tjetër mund të propozonte kalimin falas të banorëve të zonës… Por e gjithë kjo e drejtë ligjore u zhbë me një vendim dukshëm anti ligjor. Ja se çfarë thotë ligji për koncesionet.

“Kontrata duhet të hartohet në përputhje me dokumentet e tenderit, me informacionet që gjenden në njoftimin e kontratës, me ofertën e zgjedhur dhe me njoftimin e dhënies së kontratës.”

Pra, shkleje e ligjit me pasojë dëmin ekonomik direkt për xhepat e qytetarëve.

Dhe jo vetëm kaq, pjesë të rëndësishme të ligjit flasin për një studim fizibiliteti i cili duhet të miratohet nga një komision i ngritur posaçërisht për këtë punë dhe nëse në të ardhmen studimi rishikohet, ai duhet të marrë miratimin e ministrit të financave.

Në fakt studimi i fizibilitetit nuk u bë asnjëherë.

Firmën për të gjithë këtë kaos e ka hedhur Ardi Veliu, i cili pas largimit si drejtues i Policisë, mori përsipër të negociojë një kontratë në favor të privatit dhe në dëm të qytetarëve, por sidomos të atyre të Thumanës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco