Kronologjia/ Berisha i pandehur pak para zgjedhjeve parlamentare

Kronologjia/ Berisha i pandehur pak para zgjedhjeve parlamentare

15:12, 11/09/2024
A+ Aa A-

Nga Lapsi.al

Asnjë surprizë nga përpjekja e SPAK për të goditur kreun e opozitës. Procesi që nisi me denoncimin e Taulant Ballës në prokurorinë speciale ka hedhur një hap tjetër, tani që kanë mbetur pak muaj nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai i komunikuan Sali Berishës akuzën e “korrupsionit pasiv kryer në bashkëpunim” në lidhje me truallin e kompleksit Partizani, që iu kthye disa familjeve të Tiranës, mes të cilëve ishte përfitues edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Ndërsa hynte në SPAK, Berisha u brohorit nga disa qindra militantë të thirrur në protest kundër arrestimit të tij nga organet e drejtësisë. Në fakt, që nga fillimi, procesi për të cilën Berisha mbahet nën arrest shtëpie, ka qenë i diktuar nga politika.

Dosja e hartuar në zyrat e PS dhe izolimi i Berishës në shtëpi

Edi Rama nuk e ka fshehur asnjëherë që është ai që qëndron pas burgosjes së Sali Berishës. Së pari, është fakt se kreu i opozitës është arrestuar në bazë të një denoncimi të Taulant Ballës, i cili rreth katër vite më parë u paraqit në SPAK me një dosje të kopsitur në zyrat e Partisë Socialiste.

Sipas socialistëve, qeveria e drejtuar nga Berisha kishte krijuar kushtet dhe kishte marrë vendime që favorizonin dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi për të përfituar nga privatizimi i truallit të kompleksit Partizani, duke qenë pjesë e familjeve trashëgimtare.

Për gati 3 vjet dosja qëndroi e fjetur në zyrat e SPAK. Berisha dhe dhëndri i tij nuk u morën asnjëherë në pyetje, por një ditë të nxehtë korriku Taulant Ballën u shfaq në dyert e SPAK, pasi prokurorët e informuan për zhvillimet me dosjen që do të çonte në arrestimin e Berishës dhe dhëndrit të tij.

Në tetor, ndërsa Jamarbër Malltezi po priste bashkëshorten e tij në Rinas, u rrethua nga policia dhe iu vunë prangat. Arrestimi u filmua dhe pamjet e shoqërimit u shpërndanë me bujë në media.

Pas arrestimit, të tij SPAK çoi direkt në gjykatë kërkesën për detyrim paraqitje dhe sekuestrimin e pasaportës së Sali Berishës. Procedura ishte e pazakontë. Duke qenë deputet, ndaj Berishës nuk mund të vihej një masë sigurie pa marrë autorizim nga parlamenti.

Me këtë arsyetim Berisha refuzoi të bindej. SPAK ashpërsoi qëndrimin. Me firmë të Altin Dumanit, u dërgua në parlament kërkesa për arrestimin dhe izolimin e Sali Berishës në shtëpi.

Non grata e amerikanëve dhe presioni i Ramës për arrestimin e Berishës

Image

Arsyetimi që u bë për shpalljen e Berishës non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion madhor, u shoqërua me presione ndaj SPAK për gjetjen e provave për këtë korrupsion që përmendej nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Logjika ishte e përmbysur. Zyrtarët e huaj i drejtoheshin SPAK përmes “prezumimit të fajësisë”, pasi non grata ishte shpallur, Departamenti i Shtetit kishte përmendur korrupsionin madhor dhe ishin ata që tani duhet të gjenin provat.

“Vendimi për ta përcaktuar (non-grata) ishte një vendim institucional dhe jo politik. E morëm për shkak të korrupsionit që gjetëm. I bëj thirrje institucioneve në Shqipëri që t’i marrin në konsideratë këto” shprehej Gabriel Escobar në Tetor të vitit të kaluar, kur ishte i dërguar i SHBA për Ballkanin Perëndimor.

Deklarata tingëllon si një urdhër i qartë për prokurorët e SPAK, të financuar dhe të zgjedhur nga një përkujdes i vazhdueshëm i zyrtarëve amerikanë.

Në këtë atmosferë, thirrjet e Edi Ramës që SPAK të bënte arrestime edhe në radhët e opozitës, dukeshin si normale.

Në mbledhjet e kongresit të Partisë Socialiste dhe në mbledhjet e asamblesë, Edi Rama i kërkoi disa herë prokurorëve të SPAK, që  të kryenin arrestime edhe në anën tjetër të llogores politike, duke iu referuar rregullisht Sali Berishës.

Duke bërë si i pakënaqur për faktin se në burg po përfundonin vetëm socialistët e tij hajdutë, Rama u shpreh disa herë se prokurorët nuk duhej ta merrnin për dobësi, faktin që ai kishte heshtur deri tani.

“Kjo është tallje shumë e madhe, që SPAK deri tani përdor vetëm një lloj grepi dhe për vetëm një lloj peshku madje pa e pasur problem që të gjuaj dhe cironka me dinamik, por nuk ka as vullnet që ta përdor dinamitit për peshkaqenët që i bëjnë leksione SHBA, Europës, dhe zgjohen dhe ngrysen duke nxjerrë llum nga goja. Durimi ynë po soset, i imi po” shprehej kryeministri në Maj të vitit 2022.

Rama vazhdoi me disa deklarata, ku nxiste prokurorët e SPAK të godisnin Sali Berishën dhe Ilir Metën.

“Më thonë “Pse po ha nga ju, do me thënë nga ne, sharra e SPAK-ut. Këtu nuk di çtë them për sharrën e tyre, po di ç’të them për sharrën tonë. Sepse ne nuk e kemi kapur drejtësinë e as nuk kam bërë shaka kur thashë duam një drejtësi të drejtë në këtë vend” shprehej kryeministri, duke i kërkuar publikisht prokurorëve t’i tregonin dhëmbët opozitës.

Përdorimi i prokurorëve të SPAK

Image

“Dy laro, mercenarë të Edi Ramës, kanë ardhur pasi kanë vendosur në kundërshtim me Kushtetutën privimin e lirisë ndaj meje, tani jo që nuk tërhiqen, por si eprorë të parlamentit për shkak të porosive të Edi Ramës, vijnë të rëndojnë masat ndaj meje. Kjo është dëshmia më flagrante e një shteti monist, ku parlamenti, prokuroria, policia, ushtria, shërbimi informativ, janë në duart e një njeriu, kontrollohen nga një njeri”

Kjo është një pjesë nga fjalimi i Sali Berishës, ditën kur Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai u paraqitën në parlament për të mbrojtur kërkesën e tyre për arrestimin dhe izolimin e kreut të opozitës në shtëpi.

Sali Berisha nuk kishte respektuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndaj prokurorët u paraqitën para kuvendit për një masë më të ashpër, siç është ajo “arrest shtëpie”.

Por dalja e dy prokurorëve para Komisionit parlamentar të cilit i kërkuan autorizim për arrestimin e Berisha ka rritur dyshimet për moszhvillimin e një procesi të drejtë, të ekuilibruar dhe të paanshëm.

Ligji shqiptar kërkon që heqja e imunitetit të deputetit të bëhet pasi prokuroria servir prova bindëse për këtë. Por kjo gjë nuk ndodhi në rastin e Sali Berishës.

Arben Kraja dhe Enkeleida Millonai treguan përpara komisionit të imuniteteve arrogancë që fshihte mungesën e profesionalizmit. Ata i përgjigjeshin thatë dhe pa argumenta avokatëve mbrojtës së Berishës (ky i fundit nuk ishte prezent në sallë).

Kur Genc Gjokutaj i pyeti se pse ata kishin paraqitur në kërkesën e tyre si argument të korrupsionit të  Berishës, ndryshimin e destinacionit të truallit sportiv në tokë ndërtimi, kur dihej se një gjë të tillë se kishte bërë ish-kryeministri por Rama si kryebashkiak, prokurori u përgjigj: “kjo s’ka lidhje me imunitetin e Berishës për të cilin po diskutojmë sot”. 

Image

Me këtë lëvizje tinzare, ai krijoi precedentin e rrezikshëm që deputeti mund të zhvishet nga imuniteti edhe nëse prokurorët nuk sjellin prova.

Në rastin e Saimir Tahirit parlamenti kishte vepruar ndryshe. Me autoritetin që i jep kushtetuta, parlamenti kishte marrë vendimin që të “lejonte” drejtësisë të kufizonte lirinë e lëvizjes së deputetit Samir Tahiri. Kurse në rastin e Berishës deputetët mbajtën qëndrim se kjo është një e drejtë e SPAK dhe nuk i takon atyre të vendosin.

Pra, deri më tani, Prokuroria e Posaçme ka kufizuar lirinë e një deputeti, në këtë rast liderit të opozitës, duke anashkaluar parlamentin dhe e pastaj ka përdorur këtë “risi” si një rast për të kërkuar arrestimin, duke shmangur detyrimin për të paraqitur prova.

Përdorimi i gjykatësve me probleme në veting

Image

Vendimi i mësipërm i SPAK për të kufizuar lëvizjen e Sali Berishës pa marrë më parë një autorizim nga parlamenti, u konfirmua nga gjykatësja Irena Gjoka.

Fillimisht Irena Gjoka la të pandryshuar kërkesën e SPAK, për të kufizuar lirinë e lëvizjes së Sali Berishës dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi. Që prej asaj dite, vendimi i saj për të shmangur një votim parlamentar, ku të diskutohej imuniteti i deputetit Berisha, e ktheu atë në target sulmi. Ish presidenti dhe ish kryeministri e akuzon se ajo duhej të jepte dorëheqjen nga ky proces, pasi kur ka qenë kryetar shteti në 1996, ai e kishte shkarkuar atë nga gjykatëse.

Por pas kësaj, mediat greke (të nxitura nga vendimet që u dhanë për Fredi Belerin) rrëmuan në të kaluarën e drejtueses së Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe gjetën disa pasaktësi në deklarimet e saj në veting.

Në vitin 2019 Irena Maneku duke përdorur mbiemrin e bashkëshortit të saj të dytë, bëri kërkesë me emrin Irena Gjoka, për t’u bërë anëtare e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Për t’u bërë pjesë e kësaj gjykate duhet të plotësohet një formular vetëdeklarimi ku ndër të tjera duhet të rrëfesh nëse ka pasur dëbime, ka pezull ndonjë proces gjyqësor, ka ndalim hyrjeje në një vend të tretë, etj. Në formularin e saj të vetëdeklarimit, gjyqtarja Irena Gjoka e ka mohuar që ndaj saj të kishte pasur ndonjë dëbim.

Dokumentat e arkivave të Greqisë tregonin se gjykatëses i ishte refuzuar hyrja në zonën Shengen për 10 vjet për shkak të falsifikimit, një fakt që ajo e kishte fshehur kur aplikoi për një post në Gjykatën Speciale. Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi se ka nisur kërkesën në Greqi nëse Irena Gjoka preket nga ligji i dekriminalizimit, por pavarësisht këtyre zbulimeve ajo refuzoi të tërhiqet nga çështja e Sali Berishës.

Kreu i opozitës, i pandehur para fushatës së zgjedhjeve parlamentare

Nëse kthen kokën pas, për të parë zhvillimet që çuan në izolimin e Sali Berishës, kuptohet se komunikimi i akuzës sot ishte thjesht një formalitet, detaj i një plani të përgatitur shumë kohë më parë. Prokurorëve të SPAK iu duhet të gjenin provat për ta burgosur kreun e opozitës dhe pak muaj para zgjedhjeve dhe ata e kanë përmbushur detyrën që iu është ngarkuar.

“Kam pasur ato akuza që kam pasur, asgjë më shumë se 400 faqe mashtrim. Vazhdon hakmarrja politike” u shpreh Berisha që tashmë ka ndryshuar status, nga i akuzuar është i pandehur në izolim edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare./Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco