Malltezi para SPAK: Nuk ka asnjë provë apo dokument që të tregojë se Berisha ka detyruar njeri të mos zbatojë ligjin

14:22, 11/09/2024
A+ Aa A-

Jamarbër Malltezi gjatë një deklarate para SPAK, është shprehur se, SPAK nuk ka asnjë provë, dëshmi apo dokument që të tregojë se Berisha ka detyruar ndokënd të mos zbatojë ligjin.

‘Afërmendsh nuk presim ndonjë të re, afërmendsh ne do të përballemi sepse është pushtet i njëjtë me ’45 kur arrestonte nacionalistët për hir të nacionalizmit proletar’, tha Malltezi.

Pjesë nga deklarata e Jamarbër Malltezit:

Pas 4 vitesh hetime të mercenareve që Edi Rama ka emëruar si hetues dhe prokurore në SPAK, aq sa zgjati lufta e parë botërore apo lufta civile në Amerikë, pasi kanë hetuar Sali Berishën ne 3 breza deri tek mbesat e tij dhe prej 30 vitesh qysh kur ato nuk kishin lindur ende;

Bazuar në një kallëzim të rremë të koordinatorit të bandave kriminale të Taulant Ballës, i cili është i lirë,

Pasi kanë hetuar edhe veprimtarinë e Partisë Demokratike duke filluar qysh para 20 vitesh dhe deri tek kandidatja e PD për kryetare bashkie në zgjedhjet e 2023, profesoresha Ledina Aliolli.

Pasi mbajnë në arrest politik antikushtetues kryetarin e opozitës në Shqipëri pa asnjë fakt, dokument apo dëshmi, por veç me urdhrat politik te Soros dhe Edi Ramës në Kongresin e PS me 09.04.2022 dhe Asamblenë e PS me 07.05.2022;

Rezulton se nuk ka çështje penale. Mungon fakti penal dhe shteti nuk ka asnjë lidhje, pasi është një çështje civile me pronarët që morën tokën dhe zhvilluan pronën e tyre, shteti nuk ka humbur asnjë cent, por siç tha prokurorja e emëruar nga Taulant Balla korrupsioni bëhet duke zbatuar ligjin.  

Nuk ka asnjë provë, dëshmi apo dokument që të tregojë se Berisha ka detyruar ndokënd të mos zbatoje ligjin.

Nuk ka asnjë ligj dhe asnjë VKM nominative por të gjitha janë për gjithë popullsinë, krejt ndryshe nga Edi Rama që gëzon të vëllain me 37,000 m2 në mes të Tiranës, apo përmes VKM së personalizuar nr. 183 apo 4 VKM për t’i dhuruar shkollën Bolinos.

Zhvillimi i pronës private është kryer nga tre pinjollë të familjeve pronare, siç kanë rënë dakord në përputhje me ligjin, duke mos nxjerrë asnjë nga 41 familje informale që banonin në shkatërrina.

Asnjë nga këta 3 partnerë private nuk ka pasur asnjë kontratë dhe nuk ka përfituar asnjë cent nga qeverisja e Sali Berishës.

Në fakt i vetmi dëm në financat e shtetit ka ardhur nga shpërdorimi i detyrës (n.248 i KP) i Edi Ramës (sipas vendimit nr. 3698, datë 13.12.2011 të Gjykatës së Apelit) që solli dëm mbi 320,000 euro në financat e Bashkisë së Tiranës, të cilin SPAK e mori si vendim gjykate, por refuzon ta bëjë pjesë të çështjes, refuzon të pyesë Edi Ramën, dhe jo më t’a mbajë përgjegjës Edi Ramën penalisht.

SPAK krijoi një piramidë mashtrimi, fshehu dhe gënjeu për dokumente zyrtare. Siç mund ta keni parë se gënjeu që në fillim të herës, siç mund ta keni parë, gënjeu që në fillim të herës, kur thanë se procesin e privatizimit e nisi qeverisja e PD, kur në fakt kemi shkresat e Anastas Angjelit dhe Blendi Klosit që shpreheshin për privatizim.

Se dyti gënjyen duke thënë se ishin pjesë e planit të përhapjes, kur vetë hetuesit e përzgjedhur nga PS në SPAK kanë shkuar dhe kanë vërtetuar se nuk ishin pjesë e planit të përhapjes.

Gënjyen kur thanë se, Sali Berisha ndryshoi destinacionin e tokës kur vetë në dokumentet e tyre kemi gjetur se ndryshimin e kishte bërë Edi Rama dhe drejtorët e tij pa asnjë kërkesë.

Kemi plot për këto, por natyrisht jemi në institucionin afërmendsh të Edi Ramës, ku janë emëruar patronazhistët. Karanxha ishte patronazhist, aktivist me bluzë të Ulsi Manjës. Zyba patronazhist i PS, i emëruar. Prokurorët e Elbasanit janë emëruar me listë nga Taulant Balla dhe Lala.

Afërmendsh nuk presim ndonjë të re, afërmendsh ne do të përballemi sepse është pushtet i njëjtë me ’45 kur arrestonte nacionalistët për hir të nacionalizmit proletar.

Prof. Sali Berisha dhe Prof. Jamarbër Malltezi janë në arrest politik në dhunim të ligjit që detyron prokurorinë çdo 2 muaj të paraqesë dhe të miratojë raport diligjence në gjykatë për arsyet e mbajtjes së arrestit ndaj qytetareve. Në rastin e “armiqve të Partisë Socialiste” Berisha dhe Malltezi afati i diligjencës së 5-të ka kaluar me 2-3 javë dhe janë në arrest të paligjshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco