Qeveria miraton ndryshimet në Ligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Qeveria miraton ndryshimet në Ligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

10:56, 11/09/2024
A+ Aa A-

Qeveria e Kosovës i ka miratuar të mërkurën disa ndryshime në Ligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, pasi Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur atë të pavlefshëm.

Kushtetuesja tha më 26 qershor në një aktgjykim se kishte gjetur se katër nene të ligjit ishin në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Në një mbledhje të Qeverisë të mërkurën, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se Ministria e saj i ka adresuar gjetjet dhe i ka bërë ndryshimet e nevojshme në këto katër nene pas vendimit të Kushtetutës.

Ndryshimet e propozuar nga ajo u miratuan nga kabineti qeveritar.

“Ne nuk kemi hartuar ligj të ri, sepse nuk ka pasur nevojë për këtë. Por, i kemi adrestuar vetëm katër çështje që janë konsideruar kundër Kushtetutës”, tha ajo.

Në ligjin e shpallur të pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese, parashihej që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të ishin subjekt i verifikimit të pasurisë nëse do të ekzistonin dyshime se ajo ishte fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Përveç zyrtarëve, subjekt i verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme parashihej të ishin edhe anëtarët e familjes së tyre apo palët e treta, që nënkupton personat te të cilët mund të ketë pasur dyshime se ishte bartur pasuria e zyrtarëve publikë.

Kushtetuesja tha se procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme është e pavarur nga procedura penale, “standardi i të provuarit nuk është ai penal i ‘dyshimit të bazuar’, por ai civil i ‘vlerësimit të gjasave’ dhe sipas të cilit, pasuria cilësohet e pajustifikueshme, nëse gjykata bazuar në prova ‘beson që një gjë ka më shumë mundësi të jetë apo të ketë ndodhur se sa jo’”.

Ligji, që është shpallur i pavlefshëm, përfshinte periudhën nga data 17 shkurt 2008, dhe periudhën brenda dhjetë vjetësh nga momenti kur zyrtarët publikë pushojnë së ushtruari funksionin e tyre./REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco