‘FRPD përballë FRESH-it inekzistent’, Xhaferri: Gati për tu përballur me makinerinë vrastare propagandistike të Rilindjes

‘FRPD përballë FRESH-it inekzistent’, Xhaferri: Gati për tu përballur me makinerinë vrastare propagandistike të Rilindjes

11:05, 10/09/2024
A+ Aa A-

“Të rinjtë demokratë dhe shqiptar do jenë pa kushte në betejën  për rrëzimin e Edi Ramës, njeriu që pas  Ramiz Alisë është armiku më i egër i rinisë shqiptare”, kështu është shprehur kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Besart Xhaferri.

Në një intervistë për Politiko.al, Xhaferri ka thënë se arrestimet, gjyqet politike, dhunimet dhe presionet kanë qenë pjesë e pandarë e rrugëtimit të tyre.

I pyetur nga Politiko.al se cili është plani i organizimit dhe nëse do të ketë ndonjë risi, Xhaferri është shprehur se në themel të organizimit do jetë meritokracia.

“Fokusi jonë është në gjimnaze dhe fakultete ku kemi strukturat tona që po punojnë për anëtarësimet e reja dhe për të bindur të rinjtë se qëndresa nuk është opsion por detyrim”, ka thënë ndër të tjerash kreu i FRPD-së.

Ai është shprehur se FRPD nuk e ka ndalur kurrë lëvizjen dhe se është në aksion gjatë gjithë kohës.

“Mjafto të kërkosh me fjalët kyçe ‘reagim’ dhe ‘FRPD’ dhe e kupton sa aktive ka qenë struktura jonë në një kohë që emri i FRESH nuk njihet më as nga google as nga inteligjenca artificiale.”, ka thënë Xhaferri.

PJESË NGA INTERVISTA

Politiko.al: Si do jenë të pozicionuar të rinjtë e forumit në zgjedhjet e 2025?

Kreu i FRPD, Xhaferri: Së pari nuk ka asnjë dyshim që të rinjtë demokratë dhe shqiptar do jenë pa kushte në betejën  për rrëzimin e Edi Ramës, njeriu që pas  Ramiz Alisë është armiku më i egër i rinisë shqiptare.

Nëse në 90’ Alia shprehej së të rinjve shqiptar veçanërisht atyre me bindje të djathta duhet tu japim nga një pasaportë të ikin  nga vendi që të mos ti kemi nëpërkëmbë, ky shprehet se të rinjtë duhet ti lëmë peng të krimit brenda dhe jashtë vendit, pasi duke i kriminalizuar i kontrollojmë ata dhe familjet e tyre.

Eksodi i të rinjve ka qenë biblik, si në  një vend lufte dhe mbyllja e 295 shkollave  në dekadën e Rilindjes dhe reduktimi me 40% i nxënësve në zonat rurale janë dëshmia më e qartë e luftës që Edi Rama i ka shpallur rinisë shqiptare.

Dekadën e fundit në çdo raport të PISA-s Shqipëria renditet e fundit dhe shkollat tona sot de fakto po nxjerrin analfabete funksionalë. Sot një çift të rinjsh do  duhet të punojë 70 vite për të blerë një pronë, se pastrimi i parave në ndërtim ua pamundëson posedimin e një prone. 

Të mos flasim për pamundësinë për të rritur fëmijë Nuk ka asnjë arsye të vetme që të rinjtë demokratë dhe shqiptar të mos jenë më përballje me këtë autokrat në tentative nën qeverisjen e të cilit është regjistruar eksodi më i madh i rinisë shqiptare, madje më i madh se ne 1990.  Pamjet e La Manshit tronditën botën teksa dhe në 2024 ka të rinjë që ikin drejt Greqisë.

Forumi Rinor i Partisë Demokratike pa dyshim është ndër strukturat me vitale të kësaj force politike dhe do ketë rol të dorës së parë në zhvillimet e këtij viti zgjedhor.

Duhet të kemi parasysh në çdo protestë kombëtare dhe lokale të organizuar nga opozita ne kemi qenë në zemër të saj dhe të rinjtë tanë janë përballur me hakmarrjen e institucioneve ligjzbatuese.  Arrestimet gjyqet politike dhunimet dhe presionet kanë qenë pjesë e pandarë e rrugëtimit tonë. Në protestat para Bashkisë dhe protestat e studentëve roli i FRPD ka qenë vendimtar dhe i tillë do jetë në vijim.

Politiko.al:  Cili është plani juaj i organizimit? A do të ketë ndonjë risi?

Kreu i FRPD, Xhaferri: Në themel të organizimit tonë do jetë meritokracia, por normalisht çdo kontribut dhe eksperincë do vlerësohet maksimalisht. FRPD është prekur nga eksodi që ka kapluar vendin dhe shumë prej të rinjve tanë më të spikatur dhe të shkolluar janë larguar, por kontaktet me ta i mbajmë dhe shume prej tyre do rikthehen për të dhënë kontributin për rrotacionin politik.

Ata kanë dhënë një ndihmë të vyer dhe nga mërgimi veçanërisht me kontaktet me homologët perëndimor por dhe financiare se ne jemi si një familje. Fokusi jonë është në gjimnaze dhe fakultete ku kemi strukturat tona që po punojnë për anëtatësimet e reja dhe për të bindur të rinjtë se qëndresa nuk është opsion por detyrim.

Të rinjtë tanë janë rritur politikisht në sheshe në protesta e demostrata pasi përgjatë 10 viteve protestat kanë qënë prioriteti ynë, teksa përballjet me drejtësinë të rinjve tanë u kanë mësuar se me regjimin nuk mund të ketë kompromis, por vetëm rezistencë.Ndërkohë edhe edukimi dhe formimi i të rinjve tanë ka qënë një pike ku kemi derdhur shumë energji.

Shkolla Politike e FRPD  këtë vit ishte një sukses, ku me të rinjtë tanë ndanë eksperiencat e tyre ish kongresmenë amerikanë, ambasadorë përfaqësues të forumeve rinore të Partive Popullore Evropiane si dhe figurat më të spikatura të Partisë Demokratike me kontribute madhore në qeverisjen 2005 2013 që sollën Shqipërisë anëtarësimin në Nato, liberalizimin e vizave, ndërtimin e rrugës Kombit dhe njohje të reja për Shtetin e Kosovës, që për ne është pjesë e pandarë e Shqipërisë.

Politiko.al: Kur do të “fillojnë” lëvizjet e para të FRPD?

Kreu i FRPD, Xhaferri: FRPD nuk e ka ndalur kurrë lëvizjen as kur forca jonë politike kaloi një luftë të brendshme të paprecendtë, ku u synua asgjësimi i saj përmes krimit kapjes drejtësisë dhe kobures McGonigal.  FRPD është në aksion gjatë gjithë kohës.

Ne prej viti me forcat tona kemi ngritur një zyrë shtypi pjesë e së cilës janë të rinjtë tanë dhe ka rezulzuar mjaft e sukseshme dhe në lartësinë e duhur për tu përballur me makinerinë vrastare propagandistike të Rilindjes.

Mjafto të kërkosh me fjalët kyçe ‘reagim’ dhe ‘FRPD’ dhe e kupton sa aktive ka qënë struktura jonë në një kohë që emri i FRESH nuk njihet më as nga google as nga inteligjenca artificiale.

Politiko.al: Mesazhi juaj për të rinjtë?

Kreu i FRPD, Xhaferri: Unë kam një apel zemre për të rinjtë, të mos e braktisin këtë tokë, pasi nuk e kemi trashëguar nga të parët por ua kemi marr borxh pasardhësve tanë. I di hallet dhe vështirësitë, por askush nuk do ta bëjë betejën tonë për ne. Nuk duhet të lejojmë që fëmijët tanë të privohen nga liria siç u privuan prindërit tanë.

Aty ku jeni me mjetet që keni bëni luftën tuaj që ky sekt që vodhi të ardhmen e shume prej nesh të mos vjedhë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

Politiko.al: Si do të jenë në optikën tuaj zgjidhjet e 2025, çfarë prisni?

Kreu i FRPD, Xhaferri: Unë vij nga sipërmarrja që ditën që jam kthyer nga Anglia pas studimeve jam angazhuar në sipërmarrje. Paralelisht kam pasur dhe angazhimin politik duke nisur që nga bankat e gjimnazit.

Unë jam në lëvizje pasi ashtu siç kam punuar për 2021 edhe për 2025 kam të njëjtin objektiv, largimin e Edi Ramës dhe sektit të tij që po mban peng Shqipërinë.

 Kriminalizimi i rinisë dhe ekonomisë, tentativa për asgjësimin e pluralizmin si dhe rrënimi i shëndetësisë dhe arsimit janë krime për të cilat Edi Rama nuk duhet amnistuar as nga politika as nga drejtësia. Në luftën me këtë sekt jam peng vetëm i qytetarëve dhe veçanërisht i rinisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco