Sondazhet e Ramës më keq se të Maduros/ Pse nuk duhet besuar propaganda manipuluese e diktatorëve?

Sondazhet e Ramës më keq se të Maduros/ Pse nuk duhet besuar propaganda manipuluese e diktatorëve?

13:17, 09/09/2024
A+ Aa A-

Pasi kryeministri Edi Rama shpalli një ditë më parë se ka në plan të manipulojë zgjedhjet në një shkallë industriale, duke fituar më shumë se 100 mandate, njësoj si në vitin 1997, reagoi ‘sondazhieri’ i qeverisë, Eduard Zaloshnja.

Disa ditë më parë, Zaloshnja kishte publikuar një sondazh ku parashikohej humbja e opozitës, por ishte treguar zemërgjerë dhe i kishte dhënë PD-së një rezultat shumë më të mirë nga sa parashikoi ‘lideri’ Rama kur tha se do rikthejë 1997-ën.

Prandaj si me bisht ndër shalë, Zaloshnja pranoi pak orë pas fjalimit të Edi Ramës se kryeministri ka një ‘strukturë shkencore të kolauduar’ që merret me sondazhet.

Strukturë shkencore e kolauduar?! Më shumë një strukturë manipulimi të kolauduar.

Në fakt, sondazhet janë mjeti më i rëndësishëm në duart e diktatorëve të shekullit të ri.

Disa muaj përpara se të mbaheshin zgjedhjet në Venezuelë, Nikolas Maduro shpalli se do fitonte zgjedhjet me një diferencë të thellë, pasi kështu i thoshin sondazhet e tij.

Koha tregoi se opozita fitoi më shumë se 67 përqind të votave në zgjedhje, kurse Maduro shpalli një urdhër-arresti për kreun e opozitës.

Opozita arriti të faktojë në mënyrë të pashmangshme se kishte marrë një rezultat spektakolar, por gjykatat dhe KQZ-ja e Maduros i dhanë atij fitoren, duke e zhytur Venezuelën në një krizë të thellë politike dhe sociale.

Por në vendet autokratike është e vështirë të bësh sondazhe të besueshme edhe po të duash. Përpara zgjedhjeve të vitit 1992, në Shqipëri mbërriti për të bërë sondazhe kompania më prestigjioze në botë, Gallup USA. Kompania parashikoi një fitore të komunistëve të konvertuar në socialistë me një diferencë prej 22 pikësh.

Kur zgjedhjet u fituan thellë nga demokratët, kompania deklaroi se kishte marrë vendim për të mos bërë më asnjë sondazh në Shqipëri.

Sot kohërat janë të ngjashme.

Matja e temperaturës së opinionit publik është shumë e vështirë, edhe kur e bëjnë kompani me traditën dhe ekspertizën e duhur. Disa prej zgjedhjeve në vendet më demokratike në botë, duke nisur me SHBA, e kanë treguar se si mund të dështojnë në mënyrë spektakolare në parashikimin e zgjedhjeve kompanitë e sondazheve.

Po ashtu, përdorimi i sondazheve, jo për të matur opinionin publik, por për ta ndikuar atë, nuk është vetëm një tipar dallues i liderëve autokratë si Edi Rama apo Nikolas Maduro.

Para disa kohësh, ylli në rritje i të djathtës evropiane, kancelari austriak Sebastian Kurz pranoi se paguante mediet për të bërë sondazhe false në favor të tij.

Në kushte të tilla, të besosh sondazhet e Ramës dhe të Zaloshnjës së tij, duhet të jesh më shumë se i çmendur.

Ato nuk shërbejnë për të treguar se cili është opinioni i publikut, por për të përgatitur terrenin për manipulimin zgjedhor.

Ndaj nuk është çudi që sondazhet e tyre përputhen fiks... me manipulimin zgjedhor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco