Viti i ri shkollor/ Lili Sula: Tronditëse rënia e numrit të nxënësve në shkolla

13:11, 09/09/2024
A+ Aa A-

Partia Demokratike reagoi zyrtarisht me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor.

Drejtuesja e departamentit të arsimit, Lili Sula tha se është tronditëse rënia e numrit të nxënësve në shkolla.

“Arsimi ka  financimin publik më të ulët në rajon,” tha ajo.

DEKLARATA E PLOTË

Të dashur nxënës e mësues,

të dashur prindër!

Dita e parë e shkollës është ditë e shënuar për të gjithë shoqërinë, por në mënyrë të veçantë; për familjet; për nxënësit dhe mësuesit tanë.

Partia Demokratike shpreh urimet më të përzemërta nxënësve të arsimit parauniversitar dhe në mënyrë të veçantë nxënësve që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

Partia Demokratike shpreh falënderimet dhe mirënjohjen më të thellë për mësuesit dhe prindërit, për gjithçka që ata bëjnë për realizimin e misionit të tyre në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve, të rinisë sonë.

Viti i ri shkollor 2024-2025, e gjen shoqërinë, familjen dhe komunitetet tona shkollore në krizën më të thellë që ka përjetuar ndonjëherë sistemi ynë arsimor – krizë që ka kapur të gjitha burimet e sistemit arsimor dhe shfaqet në:

– pamundësitë e burimeve financiare;

– braktisjen e burimeve njerëzore;

– politizimin e plotë të drejtimit dhe administrimit të shërbimit arsimor;

– pamundësitë e infrastrukturave shkollore;

– asgjësimin e kurrikulave dhe inventareve të mjeteve dhe pajisjeve të domosdoshme të mësimdhënies.

Ky viti i ri shkollor vjen në situatë tronditëse sa i përket rënies së numrit të nxënësve në shkolla. Në të gjitha Qarqet dhe Bashkitë e vendit raportohet rënie e mëtejshme e numrit të nxënësve të regjistruar në shkollë. Këtë vit do të kemi:

– më pak fëmijë në Kopshte;

– më pak nxënës në Arsimin Bazë;

– më pak nxënës në Arsimin e Mesëm!

– më pak nxënës në Arsimin Profesional!

Viti shkollor që fillon sot i gjen prindërit dhe familjen shqiptare më të varfër dhe më të pamundur për të arsimuar fëmijët e tyre.

Më shumë se 20% e fëmijëve të moshës shkollore nuk janë as në shkollë dhe as në punë!

Statistikat tregojnë se 47 % e fëmijëve të moshës shkollore jetojnë në varfëri ushqimore, duke e renditur vendin tonë të fundit në Evropë.

Viti shkollor që fillon sot, e gjen cilësinë e rezultateve shkollore të nxënësve të rrënuar. Rënia e rezultateve shkollore dhe renditja katastrofike e nxënësve tanë në Testimin PISA 2022, në lëndët e Matematikë, Lexim, Shkenca dhe Mendim Krijues, dëshmojnë realitetin rrënues të cilësisë së shërbimit arsimor dhe dështimin e kësaj qeverie në arsim!

Ky vit shkollor e gjen arsimin tonë parauniversitar me financimin publik më të ulët në rajon!

Viti shkollor që fillon sot, i gjen Mësuesit tanë me pagën më të ulët në Europë!

E ashtuquajtur rritje e pagës është e papërfillshme kundrejt kostos së jetesës dhe rritjes së përditshme të çmimeve. Propaganda e qeverisë në këtë drejtim, tregon mungesën e respektit ndaj stafeve arsimore dhe papërgjegjshmërinë për rëndësinë e edukimit në zhvillimin e vendit.

Viti shkollor që fillon sot e gjen profesionin e Mësuesit tërësisht të shkatërruar! Statusi i ulët ekonomik e social i mësuesit dhe programet e dështuara e klienteliste të formimit dhe zhvillimit të tyre profesional, e kanë bërë profesionin e Mësuesit të pamundur për t’u ushtruar dhe tërësisht të refuzuar nga të rinjtë tanë për ta përzgjedhur si profesion!

Institucionet tona shkollore anë e mbarë vendit përballen me mungesa të mësuesve të profilizuar për lëndë, si: Matematika, Fizika, Biologjia, Kimia, TIK-u etj.

Ky viti shkollor përkon edhe me vitin elektoral. Ai i gjen Mësuesit tanë nën agresionin dhe trysninë për vendin e punës. Centralizimi i procedurave të punësimit të mësuesve; zhbërja e parimit të barazisë dhe meritës në punësim; politizimi i drejtimit të shkollës ka goditur rëndë mjedisin dhe kulturën e bashkëpunimit në stafet pedagogjike!

Për shkak të korrupsionit masiv, në nivel qendror dhe lokal, sot viti shkollor fillon pa mjedise te përshtatshme; pa bazë materiale didaktike, pa mjetet e pajisje mësimore, pa logjistikat e teknologjisë në mësimdhënie; pa laboratore e kabinete. Në shumë shkolla të vendi mungon plotësisht kushtet më minimale të nevojshme për procesin mësimor.

Ky viti shkollor i gjen institucionet arsimore të politizuara si kurrë më parë. Institucionet arsimore të nivelit qendror dhe vendor, janë kthyer sot në zgjatime të strukturave politike të Partisë së Rilindjes. Këto institucione, nën agresionin e drejtuesve të Rilindjes, po largohen gjithnjë e më shumë nga përgjegjësia dhe interesi publik dhe po vihen në funksion të interesave të Rilindjes dhe qokave të saj ndaj patronazhistëve.

Viti i ri shkollor e gjen sigurinë në shkolla në gjendje alarmante! Nxënësit dhe prindërit janë më të pasigurtë dhe më të pambrojtur ndaj dhunës, bullizmit dhe akoma më të ekspozuar ndaj lëndëve narkotike. Viti që lamë pas tregoi rekordin e zi kur pamë se si drejtorë shkolle janë pjesë e grupeve kriminale dhe e tregut të narkotikëve brenda në shkollë.

Të dashur mësues e prindër,

Partia Demokratike, e bindur se edukimi dhe arsimimi i fëmijëve tanë është e vetmja rrugë për mirëqenien, prosperitetin dhe zhvillimin e familjeve dhe vendit tonë, fton të gjithë mësuesit dhe prindërit t`i bashkohen angazhimit të PD-së për ndalimin e rrënimit të arsimit dhe vënien e tij në shërbim të zhvillimi të vendit.

Të gjithë së bashku, me kurajo dhe vendosmëri, le ta bëjmë vitin 2024, vitin e fundit të qeverisë Rama dhe hajnave të tij dhe ta kthejmë arsimin në mundësinë më të madhe të rritjes dhe zhvillimit të fëmijëve tanë; të atdheut tonë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco