Ish-zëvendësministrja e Ramës: Dyfishimi i PBB si hapja dhe mbushja e një grope pa sjellë asnjë ndryshim!

Ish-zëvendësministrja e Ramës: Dyfishimi i PBB si hapja dhe mbushja e një grope pa sjellë asnjë ndryshim!

11:12, 09/09/2024
A+ Aa A-

Nga Irena Beqiraj

Për të treguar zhvillimin ekonomik, kryeministri dje iu referua rritjes se Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) duke u krenuar që Google tregonte që PBB gjatë qeverisjes së tij është dyfishuar.

Nëse kryeministri do te kërkonte në Google të dhënat e Eurostatit, që tregojnë të ardhurat për frymë në Shqipëri krahasuar me të ardhurat për frymë ne BE, do të informohej që ato kanë gati një dekadë që nuk ndryshojnë, e kanë mbetur në nivelin rreth 30 % dhe janë më të ulëtat në rajon.

E pra ku ka shkuar gjithë kjo rritje ekonomike? Pse nuk reflektohet tek rritja e të ardhura për frymë, aq me tepër kur edhe popullsia është ulur?

Ku dreqin është fshehur dyfishimi i PBB-së?!

Pra, po të ishte thelluar (megjithëse pushteti shpesh nuk e lë të thellohet) kryeministri do te kuptonte se më shumë se rritja e PBB-se kanë rëndësi shkaktarët e rritjes.

Për shembull, PBB-ja do të rritet nëse ai paguan për të hapur një gropë dhe për ta mbushur sërish atë pa ndryshuar asgjë. Sa herë që ‘Ismaili’, çarteri i kryeministrit ngrihet ne qiell rritet PBB-ja. Një i sëmurë që vizitohet te mjeku rrit PBB-në. Kur njerëzit shpenzojnë gjithë ditën në plazh, pa konsumuar një akullore, nuk e rrisin PBB-në. Ndërsa orët e harxhuara në plazh, ulin stresin, rrisin mirëqenien, edhe jetëgjatësinë, ato nuk ka vlerë në këndvështrimin e PBB-së.

Pra, jo çdo gjë që ka vlerë, matet nga rritja e PBB-së, dhe jo çdo gjë që përfshihet tek rritja, ka vlerë.

Por jo pa qëllim PBB-së i është caktuar niveli më i lartë i rëndësisë në narrativën politiko-ekonomike. Kjo ndodh për dy arsye: e para për shkak se është e lehtë për t’u kuptuar dhe komunikuar; edhe e dyta tendenca e saj për t’u rritur edhe duke hapur e mbyllur gropa, e bën atë matësin më të preferuar të sukseseve të qeverisë.

Ndërkohë që janë matësit e tjerë ato që masin suksesin e politikave qeveritare si niveli i varfërisë, barazia, jetëgjatësia, kompleksiteti ekonomik me të cilat kryeministri as nuk mund t’i zërë në gojë e jo më të krenohet.

P.sh në treguesin tjetër, atë të konsumit individual për frymë, që mat fuqinë blerëse të qytetarëve të një vendi dhe mirëqenien materiale të tyre, sërish Shqipëria është e fundit, me 39% të mesatares europiane. Bosnja e ka këtë tregues 41%, Maqedonia e Veriut 49, Serbia 52 dhe Mali i Zi 60%.

Në këtë kontekst, të masësh suksesin e politikave me anë të rritjes së PBB-së, e cila ka ardhur kryesisht se kemi paguar “sa frëngu pulën “hapjen edhe mbylljen e gropave” të cilat nuk sjellin asnjë ndryshim në mirëqenien tonë, është thjesht një marrëzi.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco