Europa, kjo studente që nuk fitoi bursë kurrë…

Europa, kjo studente që nuk fitoi bursë kurrë…

16:41, 07/09/2024
A+ Aa A-

Nga Ilda Zhulali 

Në një ditë të shkëlqyer, kur dielli ndriçonte Tiranën, ceremonia e inaugurimit të Kolegjit Evropian shënonte nisjen e vitit të ri akademik, të mbushur me shpresë dhe mundësi. Të pranishmit, të veshur me ngjyra të gjalla, krijonin një atmosferë festive. Në mesin e ketij gëzimi, një vajzë e re me emrin Europa, e cila kishte fituar një bursë nga Kryetari i Bashkisë, përpiqej të ruante buzëqeshjen ndonëse brenda saj po pështjellohej një stuhi.

Kur erdhi momenti për të folur, Europa, me guximin që i buronte prej vetë emrit, u ngjit në podium. "Të nderuar profesorë, bashkëstudentë, zoti Kryetar," nisi ajo, "Sot është një ditë e veçantë për Kolegjin, për Tiranën, e aq më shumë për mua si përfituese e një burse bujare. Me këtë bursë, do të kisha marrë një ndihmë, pse jo, të merituar, për të ndjekur ëndrrat e mia. Por, ajo vjen me një çmim të lartë!

Në vend që të jemi shembull për të rinjtë, ne sot jemi shembulli i hipokrizisë. Le të jemi të sinqertë: Kryetari, që flet për vlera dhe mundësi, është i lidhur me skandale që errësojnë të ardhmen tonë. Kjo është një ironi e hidhur, dhe ne jemi të detyruar të flasim për të vërtetat që na rrethojnë.

Unë quhem Europa, por jam shqiptare. Në 26 javët e fundit kam parë protestat jashtë zyrës suaj, kryetar, për incineratorin famëkeq, për të cilin janë shpenzuar 132 milion euro ndërsa ai është një fantazmë që endet në korridoret e korrupsionit.

Kam mësuar se si janë vjedhur 100% e fondeve të Bashkisë nga një kompani e ngritur nga drejtorët tuaj, e njohur si '5D', dhe për këtë, ju nuk ndjeni asnjë përgjegjësi.

E si mund t’ju dëgjoj ju si përfaqësues i vlerave që Kolegji synon t’i përcjellë, kur integriteti është një koncept i huaj për ju dhe administratën që keni ndërtuar?

Po ç’vlerë ka diploma ime, nëse unë jam e paaftë të dalloj apo mbaj qëndrim ndaj individëve që sot janë kampionë të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin? Heshtja është një çmim i lartë për t’u paguar dhe një mësim që askush nuk duhet ta marrë!

Prandaj, unë refuzoj bursën tuaj. Nuk mund të pranoj që ju të keqpërdorni emrin tim, talentin tim apo ëndrrat e mia si një bamirës gangster, që pasi ka ndërtuar perandorinë e tij të krimit, u shpërndan lëmoshë familjeve të viktimave për të blerë heshtjen, dhe mos o Zot faljen e tyre!

Europa, kjo vajzë, që e pat marrë emrin nga një simboli i shpresës dhe aspiratave të mëdha, përfaqësonte brezin e ri që kishte ëndrrat e veta, por edhe ndjente peshën e historisë që e kishte formuar.

Si shumë prindër shqiptarë që vendosnin emra heronjsh ose udhëheqësish të shquar, edhe prindërit e saj, kishin shpresuar se Europa do të bëhej një dritë e re, e që do të kishte një të ardhme më të ndritshme.

Europa, kjo studente që nuk fitoi bursë kurrë…

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco