‘Drejtorin e policisë do e zgjedhim me letër me vrimë’- IRIQI bisedon me Ervin Hoxhën, ministër i Brendshëm

‘Drejtorin e policisë do e zgjedhim me letër me vrimë’- IRIQI bisedon me Ervin Hoxhën, ministër i Brendshëm

14:53, 07/09/2024
A+ Aa A-

Iriqi:- Zoti ministër…

Hoxha:- Ej, më trego si e lexova fjalën në konferencën e shtypit?

Iriqi:- Rrjedhshëm, fare rrjedhshëm. Nuk u pengove askund.

Hoxha:- Normal, e mësova përmendësh. Si vjershat në shkollë. Hë, pyet tani!

Iriqi:- Pse dha dorëheqjen Rrumbullaku?

Hoxha:- Iriq, mos më gënje që e mbajta mirë fjalën te konferenca e shtypit.

Iriqi:- Nuk të gënjej. Betohem, ja për atë ferrën atje.

Hoxha:- Normal. Ndenja dy ditë mbyllur me kyç në zyrë dhe recitoja fjalimin. Nuk qe i gjatë, por me zor më hyri në kokë. Hë, pyet tani!

Iriqi:- Për drejtorin e policisë do organizohen intervista me kandidatët që do paraqiten? Çfarë kriteresh do të ketë?

Hoxha:- Iriq, ej, ç’thanë gazetarët për fjalën time te konferenca e shtypit? Se për të shkruar, shkruajtën çfarë u tha Fuga, por kështu në kafe a më shajtën?

Iriqi:- Jo, jo. Në kafe thanë që e kishe mësuar mirë. Si vjershë. Kaq thanë.

Hoxha:- Bravo. Më gëzove. Tani më pyet!

Iriqi:- Pse thonë që ti je fiks zar i Belindës?

Hoxha:- Po fjalët te konferenca e shtypit a i shqiptova qartë? U kuptua mirë mesazhi që doja të jepja?

Iriqi:- Çdo fjalë u kuptua. Me theks dhe qartë. Kur të të heqin nga ky post, pa frikë mund të bëhesh aktor. Bravo.

Hoxha:- Iriq, rrofsh. Hë, më pyet tani!

Iriqi:- Po ç’të të pyes kot. Ty fjalimin ta bën Fuga, porositë t’i jep Belinda, emërimet t’i dërgon Rama. Pra, je komplet një USB në duart e qeverisë.

Hoxha:- Nuk është e vërtetë. Dhe unë kam pavarësinë time. Ja, po të them një të fshehtë. Drejtorin e policisë do e zgjedhim me letër me vrimë. Po letrat do jenë me ngjyra. Ajo me ngjyrë lejla do tërhiqet një ditë para. Kur të gjithë të tregojnë se nuk u ka rënë vrima, do vijë para komisionit personi me vrimën te letra ngjyrë lejla. Direkt nga kryeministria. Unë do e përqafoj dhe do e uroj. E sheh transparencën?

Iriqi:- Po cili do jetë ai?

Hoxha:- Rama më tha se duhet ta ruajmë procesin. Ta mbajmë sekret e ta bëjmë sipas rregullave.

Iriqi:- Pra?

Hoxha:- Pra, nuk ma tregoi. Edhe unë do e mësoj në të njëjtën kohë me popullin shqiptar. Qartë? Ej, më trego dhe një herë a fola rrjedhshëm te konferenca.

Iriqi:- Po mendoj të përgjigjem në fole rrjedhshëm apo në je i rrjedhur. Kjo është dilema ime tani për tani.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco