Mbyllja e pikëkalimeve kufitare Kosovë - Serbi/ Zhitia: Ja kur do të hapen dy pikat e tjera të kalimit kufitar me Serbinë...

10:58, 07/09/2024
A+ Aa A-

Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës, ku grupe ekstremiste serbe të 'mbështetur' nga policia kanë krijuar pengesa për udhëtarët nga Kosova që kalojnë tranzit përmes shtetit serb, ku janë bllokuar dhe dhunuar nga ekstremistët, ka çuar mbrëmjen e djeshme në mbylljen e pikave kufitare mes dy vendeve.

Për të folur për këto ngjarje të fundit, Albionë Zhitia, gazetare e Syri Kosova ka dhënë më shumë detaje në edicionin e lajmeve me moderatorin Bled Marku në Syri Tv.

Zhitia bëri të ditur se zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka pohuar për Syri se pikëkalimi kufitar Jarinjë është zhbllikuar mëngjesin e sotëm, mirëpo vazhdojnë të mbyllura dy pikat kyç si ajo e Merdarës dhe Bërnjak.

Më tej gazetarja e Syri komentoi situatën e përgjithshme në pjesën veriore të Kosovës, ku ndër të tjera tha:

“Pjesa veriore e Kosovë ka qenë gjithmonë, që pas luftës, e tensionuar, është e pritshme që të kemi probleme të tilla pasi qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka arritur të shtrijë sovranitetin në këto territore, përjashtimisht këto vitet e fundit, me aksionet e fundit mund të themi, nëse bëjmë një balancë të një viti më parë me vitin aktual kemi realisht një dorë të shtetit të Kosovës atje dhe siguria atje është shumë më e madhe sesa ka qenë.  Përkundër këtyre tensioneve të kohë pas kohëshme.

Duhet të theksojmë se po bëhet gati 1 vit nga sulmi në Banjskë dhe sigurisht që siguria atje ka qenë më e cënueshme në këtë pjesë. Mirëpo nëse flasim tani për protestat aktuale të cilat po ndodhin në pjesën e Serbisë, duhet theksuar, jo brenda Kosovës, nuk mund të themi që mund të ketë një tension në pjesën e brendshme të Kosovës duke qenë se ky grup i cili i ka organizuar këto protesta është një grup, të paktën sipas deklaratave zyrtare të shtetit serb, i vetëorganizuar dhe nuk ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Edhe pse nuk duhen besuar kurrë deklarata të tilla pasi shteti serb përmes inteligjencës shquhet për organizime të tilla.”, - tha Albionë Zhitia.

Sa i përket hapjes së dy pikëkalimeve kufitare ende të mbyllura, gazetarja e Syrit tha se ende nuk mund të thuhet se kur do të hapen pasi kjo varet nga shuarja e protestës në pjesën serbe, edhe pse ato nuk janë protesta masive.

Më tej ajo foli edhe rreth temës së hapjes së Urës së Ibrit, për të cilën theksoi se shteti i kosovës ka të drejtë të hapë Urën dhe të shtrijë sovranitetin në gjithë territorin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco