‘Shqipëria autokraci elektorale’/ Berisha: Zgjidhjen do ta japë opozita, lidershipi i saj, anëtarësia, mobilizimi

‘Shqipëria autokraci elektorale’/ Berisha: Zgjidhjen do ta japë opozita, lidershipi i saj, anëtarësia, mobilizimi

19:45, 04/09/2024
A+ Aa A-

 Në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, Lideri Historik Sali Berisha theksoi se farsat zgjedhore janë një kërcënim serioz për pluralizmin, demokracinë dhe shoqërinë shqiptare.

Ai theksoi se aktualisht Shqipëria është një autokraci elektorale dhe se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi opozitën. Berisha u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që të mos presin zgjidhje nga jashtë apo nga spontaniteti qytetar, por të angazhohen për të krijuar një qeveri teknike që do të rikthejë votën e lirë. Ai e përshkroi këtë si detyrën kryesore të opozitës dhe u angazhua për një lëvizje të fuqishme që do të çojë në realizimin e këtij qëllimi. Berisha theksoi se për të arritur këtë, është e nevojshme një sakrificë personale dhe angazhim të plotë nga secili individ në parti, duke u siguruar që programi i PD të bëhet realitet dhe vota e lirë të rikthehet në Shqipëri. 

BERISHA: 

 Farsat zgjedhore janë ndëshkim për pluralizmin, janë ndëshkim për dëmokracinë, janë ndëshkim për shoqërinë.
Nuk ka shqiptar, nuk ka aleat, nuk ka mik të Shqipërisë që mund të na thotë që Shqipëria nuk është një autokraci elektorale. Dhe në qoftë se Shqipëria vazhdon e tillë, ajo nuk është përgjegjësi e kujt tjetër përveçse e opozitës.
Shtroni pyetjen ju, ftoj demokratët dhe demokratet, qytetarët dhe qytetarët, kush duhet të zgjidhë këtë problem madhor. Do vijë kush të na e zgjidhë nga jashtë? Jo, absolutisht. Do ta zgjidhë spontaniteti qytetar? Jo, absolutisht.
Do ta zgjidhë opozita, lidershipi i saj, anëtarësimi i saj, mobilizimi i saj.
Ndaj edhe përparësia absolute e PD, aleatëve të saj duhet të jetë lëvizja e fuqishme gjer në krijimin e qeverisë teknike.
Ne të gjithë këtë do e ndërmarrim dhe e ndërmarrim si rrugën e vetme për të rikthyer votën e lirë. E ndërmarrim dhe do e ndërmarrim sepse jemi shpresa e vetme dhe se askush tjetër nuk mund ta ndërmarrë.
Por e ndërmarrim dhe do e ndërmarrim, ua them ju këtu edhe si provë vendimtare e ekzistencës sonë, si një opozitë e fuqishme reale, si një opozitë e fuqishme reale në një sistem demokratik.
Nuk ka dyshim që kjo kërkon, e thashë edhe më parë. Në qoftë se ne marrim momentin, a jemi ne të pregatitur për këtë? Jo, nuk jemi. Duhet t’i shohim gjërat siç janë, është faktuar kjo nuk ka pse të mbajë kohën.
Por ka një gjë në detyrën tonë të secilit prej nesh është të ndryshojmë, të bëjmë gjithçka për të ndryshuar realitetin, të bëjmë gjithçka që kjo kauzë të shndërrohet kauza e çdo demokrati e demokrateje, kauza e çdo qytetari dhe qytetareje.
Kjo kërkon, në radhë të parë sakrificën personale të gjithësecilit prej nesh. Angazhimin total të secilit prej nesh. Kurrë nuk mund të frymëzojmë në qoftë se ne vajtojmë. Në qoftë se ne rreshtojmë të gjitha zinxhirët e krimeve, e aferave, skandaleve të Edi Ramës. Jo!
Unë e kuptoj se njerëzit kanë mbi 1000 probleme, por asnjë problem në qoftë se nuk zgjidhim këtë në këtë vit elektoral nuk mund të zgjidhet më.
Ne kemi një program të shkëlqyer për t’i dhënë përgjigje të gjitha problemeve të akumuluara nga keqqeverisja e sotme, por ajo bëhet realitet vetëm pas të rikthejmë votën e lirë.
Në detyrimin statutor që kam, Sekretari i Përgjithshëm ka vendimin që është marrë për të emëruar drejtuesit politik të qarqeve dhe të fushatës së përgjithshme.
Ndërkohë ju përsëris, dhe garantoj anëtarësinë tonë dhe qytetarët se, primaret do të jenë parim themelor i përzgjedhjes së kandidatëve tanë.
Ju falënderoj për vëmendjen dhe uroj që në një vendim shumë të rëndësishëm për secilin prej nesh, duke filluar që nesër, të përqendrojmë të gjitha potencialet tona në realizimin e këtij objektivi, i cili do të kishte absolutisht një rëndësi historike për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe unë kam besim se PD i ka të gjitha potencialet për realizimin e këtij objektivi.
Faleminderit!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco