Berisha: T’i udhëheqim qytetarët drejt një lëvizje që rikthen votën e lirë! Zgjedhjet e ardhshme me Edi Ramën, tragjedi e vërtetë

Berisha: T’i udhëheqim qytetarët drejt një lëvizje që rikthen votën e lirë! Zgjedhjet e ardhshme me Edi Ramën, tragjedi e vërtetë

19:26, 04/09/2024
A+ Aa A-

Kreu i demokratëve, Sali Berisha , gjatë mbledhjes së Kryesisë, ju bëri thirrje anëtarëve të saj, që se bashku të udhëheqin qytetarët drejt një lëvizje që rikthen votën e lirë.

Tani unë dua të jemi i hapur me ju, dhe të gjitha strukturat tona. Në një lëvizje demokratike dhe çdo lëvizje ndodh rëndomë që njëherë udhëheq ti, njëherë të udhëheqin të tjerët.

Ata dhjetëra e mijëra, mos më shumë njerëz që vijnë kur i thërrasim ne, ata kërkojnë udhëheqje. Tani, jo për t’i thirrur për një miting të themi madhështor, por për një lëvizje që rikthen votën e lirë.

Secili nga ju, ka çdo të drejtë të ulet me çdo qytetar dhe qytetare, të ulet me çdo demokrat dhe demokrate, ta frymëzojë, ta motivojë. Të ulet, ta bindë se kjo betejë është vendimtare. Se nuk ka një rrugë të dytë me Edi Ramën në pushtet për të votuar të lirë.

Se zgjedhjet e ardhshme me Edi Ramën, nuk janë gjë tjetër vetëm një firmë mjerane e jona mbi mandatin e tij të 4-t. Dhe kjo do të ishte një tragjedi e vërtetë.

Unë e di se të gjitha nivelet e PD kanë mosbesim. Njerëz jemi ne. Unë e di, se përveç kësaj, faktori frikë është real. Unë e di se përveç kësaj dhe interesa të caktuara janë reale, individuale.

Por ne, pavarësisht nga këta duhet të bëjmë gjithçka. Të investojmë ditë e natë në dialog me qytetarët, në dialog me anëtarësinë tonë, me aleatët tanë. Të përmbushim këtë mision.

Çfarë kërkojmë ne? Kërkojmë ne pushtet për pushtet? Jo, nuk kërkojmë ne pushtet për pushtet.

Ne kërkojmë që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë. Ne kërkojmë që shteti të mos jetë shtet elektoral. Ne kërkojmë që bandat të mos terrorizojnë qytetarët.

Nuk ka kërkesa më të drejta se këto, nuk ka kauzë më të drejtë se kjo.

Keni mbrojtur me të drejtë, kemi denoncuar me të drejtë dhjetëra e dhjetëra kauza, por tani kauza e të gjitha kauzave është kjo: vota e lirë e shqiptarëve.

Edi Rama ka faktuar se nuk pranon një proces zgjedhor të lirë. Edi Rama ka faktur se vjedh, grabit votën dhe nuk fiton. Edi Rama ka faktuar se zgjedhjet i ka shndërruar në farsë. Tani është koha të përqendrohemi me të gjithë guximin tonë, me të gjitha sakrificat tona, me të gjitha kapacitetet tona në zgjidhjen e kësaj kauze.

Ne jemi parti e Kushtetutës, shtetit ligjor, lirive dhe të drejtave. Edi Rama nuk respekton asnjë nga këto. Nuk ka të ardhme.

Të përqendrojmë gjithçka në këtë problem madhor, dhe ju garantoj se aq sa duket i vështirë sot, aq është lehtësisht i mundshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco