‘Qeveria Rama e zhytur në korrupsion dhe krim’/ Barci: Aderimi i Shqipërisë në ‘Nismën STAR’, hap i nevojshëm

20:19, 03/09/2024
A+ Aa A-

Anëtarja e Departamentit Brain Gain në PD, Aurora Barci ka dhënë mesazhin e saj në protestën maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’, në mbështetje të liderit të PD-së, Sali Berisha i cili qëndron në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit 2023.

Duke renditur të gjitha skandalet dhe aferat e qeverisë Rama dhe njerëzve të saj, Barci theksoi se Shqipëria është zhytyr në korrupsion dhe krim.

Sipas anëtares së Departamentit Brain Gain, Aderimi i Shqipërisë në ‘Nismën STAR’ (Stolen Asset Recovery Initiative- Rikthim i Aseteve të vjedhura) është një hap i nevojshëm për të siguruar që askush – as politikanët e as bosët e drogës – nuk janë mbi ligjin dhe se askush nuk mund t’i shpëtojë drejtësisë.

‘Paratë e vjedhura nga këta individë të korruptuar duhet të rikthehen në vendin tonë dhe të përdoren për projekte zhvillimi në fusha kyçe si infrastruktura, arsimi dhe shëndetësia që të ndërtohet një të ardhme më e mirë për të gjithë ne dhe e brezat të ardhshëm. “Duhet të kthehet haka tek i zoti”, u shpreh Barci.

Barci: Mirëmbrema demokratë,

Tungjatjeta Doktor Berisha,

Unë jam Aurora Barci, anëtare e Departamentit Brain Gain.

Shqipëria ka vite që përballet me sfida të rënda, të cilat kanë pllakosur shoqërinë, politikën dhe të ardhmen e vendit tonë. Korrupsioni dhe ndikimi i rrjeteve mafioze kanë pushtuar çdo aspekt të jetës publike dhe politike. Është koha që të flasim hapur dhe të veprojmë me guxim.

Kryeministri Rama, që dikur premtoi një revolucion, është sot simboli i një dështimi të madh. Ai erdhi në pushtet duke iu kërkuar shqiptarëve "timonin" për të drejtuar vendin drejt drejtësisë dhe shpartallimit të krimit, por sot Shqipëria është zhytur më thellë në korrupsion, në skandale të pafundme që kanë tronditur themelet e besimit tonë në shtet dhe në drejtësi.

A është Shqipëria më mirë sot se dje?

Dokumentari i transmetuar në “RAI”, skandali McGonigal, skandalet e zbuluara nga mediat belge dhe gjermane, mbetjet toksike, si dhe ato që kanë shpërthyer njëra pas tjetrës brenda vendit tonë në dekaden e fundit, na tregojnë se sa thellë ka shkuar kjo sëmundje e korrupsionit.

Nga inceneratorët tek skandalet e bujshme të IPARD-it, nga kullat e larta pa blerës tek onkologjiku e deri te skandalet e mëdha financiare te mikrokredive – të gjitha këto kanë një të përbashkët: ato tregojnë përfshirjen e thellë të Qeverisjes Rama dhe njerëzve të saj në korrupsion dhe krim.

Çdo ditë e më shumë zbulohen lidhje të fshehta mes ministrave, ish-ministrave dhe zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste me rrjete mafioze dhe krimin e organizuar. Paratë e korrupsionit, shpesh-here rrjedhin jashtë vendit, në llogari të fshehta, duke u larguar nga duart e popullit dhe duke përfunduar në xhepat e një pakice të vogël. Raporti i KLSH për vitin 2023(Keshillit të Lartë të shtetit) tregon qartë se këto para nuk janë vetëm të vjedhura, por janë të pastruara nëpër skema të sofistikuara, që kërkojnë të fshehin aktet kriminale pas fasadave të ligjshme.

Por, ka një shpresë. Ka një rrugë për të ndaluar këtë vorbull shkatërrimtare dhe për të rikthyer Shqipërinë në rrugën e duhur. Përveç vullnetit të mirë politik, përqafimi i Nismës STAR (Stolen Asset Recovery Initiative- Rikthim i Aseteve të vjedhura) është një mundësi për të parandaluar e luftuar korrupsionin dhe që të sjellë drejtësinë në vendin tonë. Kjo nismë ndërkombëtare, e udhëhequr nga Banka Botërore dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, synon të rikthejë asetet e vjedhura në vendet e origjinës së tyre.

Pse të mos jemi edhe ne pjesë e kësaj iniciative?

Të dashur demokratë, Shqipëria është një nga vendet më të korruptuara në Europë. Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, Shqipëria renditet në vendin e 98-të nga 180 shtete. Korrupsioni ka depërtuar në çdo qelizë të jetës publike: nga politika te shëndetësia, nga arsimi te gjyqësori, nga policia te shërbimet civile. Ky realitet nuk është thjesht një statistikë – është e përditshmja e cdo shqiptari. Nuk mund të vazhdojmë më kështu!

Raportet ndërkombëtare tregojnë se Shqipëria vazhdon të vuajë nga nivele të larta korrupsioni. Sipas raportit të SELDI-it, më shumë se gjysma e qytetarëve tanë detyrohen të japin ryshfet për shërbime bazë. Indikatori i presionit për kapjen e shtetit nga bizneset e sheh Shqipërinë të shënojë 45%, më e larta në rajon, së bashku me Bosnjën dhe Hercegovinën. Departamenti Amerikan i Shtetit theksoi ne raportin e tij te fundit problemet me ekonominë informale dhe pastrimin e parave. Ndërkohë, Kontrolli i Lartë i Shtetit raporton për dëme të konsiderueshme ekonomike nga keqmenaxhimi i fondeve publike. Këto shifra alarmante tregojnë se Qeveria e Rilindjes po dëmton rëndë të ardhmen ekonomike dhe shoqërore të Shqipërisë.

Por ne nuk jemi këtu vetëm për të denoncuar. Jemi këtu për të kërkuar veprim, për të kërkuar ndryshim. E kaluara na ka treguar se ka mundësi për të bërë më mirë. Gjatë viteve të qeverisjes Berisha, Shqipëria ndërmori hapa të rëndësishëm për të luftuar korrupsionin dhe krimin. U krijuan struktura që luftuan krimin e organizuar dhe u ndaluan rrjetet kriminale. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare si Frontex dhe Interpol ishin hapa të mëdhenj që luftuan krimin e organizuar.

Por nuk mjafton të kujtojmë të kaluarën. Duhet të shohim përpara. Për të luftuar korrupsionin dhe për të ndërtuar mbi ato që kemi arritur, krahas propozimeve të vlefshme të kolegëve nga departamentet e ndryshme të Partisë Demokratike, propozoj që në programin tonë elektoral për zgjedhjet e vitit 2025 të përfshijmë aderimin e Shqipërisë në Nismën STAR (Stolen Asset Recovery Initiative).  Ky është një hap i nevojshëm për të siguruar që askush – as politikanët e as bosët e drogës – nuk janë mbi ligjin dhe se askush nuk mund t’i shpëtojë drejtësisë. Paratë e vjedhura nga këta individë të korruptuar duhet të rikthehen në vendin tonë dhe të përdoren për projekte zhvillimi në fusha kyçe si infrastruktura, arsimi dhe shëndetësia që të ndërtohet një të ardhme më e mirë për të gjithë ne dhe e brezat të ardhshëm.                                        “Duhet të kthehet haka tek i zoti”.

Duke u bërë pjesë e kësaj nisme, Shqipëria do të përmirësonte imazhin e saj ndërkombëtar dhe do të tërhiqte investime të huaja, duke hapur rrugën për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Të dashur demokrate, O Sot, o Kurrë! Tepsia është mbushur dhe po derdhet. Nuk mund të lejojmë më që korrupsioni të diktojë të ardhmen tonë.

Faleminderit!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco