Berisha: Shqipërisë i duhet opozita dhëmbë për dhëmbë me qeverinë! Të trokasim në çdo zemër, të ndeshemi me të keqen

23:01, 02/09/2024
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha ka përshëndetur qytetarët e Thumanës të cilët protestuan sot para parlamentit, duke kërkuar të drejtën e tyre për të pasur akses në aksin kombëtar rrugor Thumanë-Kashar.

Në fjalën e tij gjatë tubimit qytetar te ‘Rruga e Shpresës’, Berisha i bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen në këmbë për shpëtimin e Shqipërisë.

Duke u ndalur te vjedhja e votës nga regjimi që sundon në aleancë me krimin, Berisha theksoi se nuk ka të ardhme një vend pa votën e lirë.

Kryedemokrati, Sali Berisha u ndal gjatë fjalës së tij të mbajtur para qytetarëve në protestën maratonë te trajtimi i të sëmurëve në Shqipëri, ku sipas tij kjo që ndodh me të sëmurët rëndë, në Shqipëri nuk ka ndodhur kurrë më parë, madje as në vitet e diktaturës.

Në ditën e 245-të të tubimit qytetar, Berisha theksoi se kjo që ndodh me shëndetësinë, ndodh edhe me arsimin, i cili pësoi në 8 vitet e tyre rënien më turpëruese, rënien më vertikale, rënien më dëshpëruese, më të thellë dhe më të shpejtë në botë.

Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi Ramën se e ka shndërruar drejtësinë në polici sekrete politike për t’i shërbyer interesave të tij.

Teksa bëri një rezyme të vjedhjeve nga zyrtarët e mazhorancës dhe ato socialiste, Berisha tha se drejtësia nuk i heton, në një kohë kur tre drejtuesit e opozitës i burgos, me qëllimin e vetëm që Rama të sigurojë mandatin e katërt qeverisës.

Lideri demokrat, Sali Berisha u shpreh se, Shqipërisë dhe shqiptarëve iu duhet opozita dhëmbë me qeverinë, iu duhet opozita e guximit dhe e sakrificës, opozita që iu kthen votën e lirë shqiptarëve, që iu kthen shpresën shqiptarëve dhe që i kthen Shqipërisë të ardhmen e saj.

Berisha ftoi të gjithë qytetarët që të trokasin në çdo derë, në çdo zemër dhe në çdo shesh për t’u ndeshur me të keqen, për të fituar mbi të keqen.

FJALA E PLOTË

Të dashur qytetarë dhe qytetare, misionarë të vërtetë të kauzës së drejtë të lirisë, dinjitetit dhe shpresës së shqiptarëve.

Të dashur miq, një përshëndetje të përzemërt ju, përshëndetje të përzemërt qytetarëve që protestuan sot para parlamentit, shqiptarëve kudo që janë, që reagojnë me revoltë ndaj këtij regjimi anti-shqiptar, ndaj këtij regjimi që sundon në aleancë me krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë.

Sot ftoj çdo shqiptar, çdo qytetar të këtij vendi të shtrojë vetes disa pyetje dhe të vendosë mbi bazën e përgjigjeve, të ngrihet në këmbë për shpëtimin e Shqipërisë.

A ka sot qytetar me votë të konfiskuar, me lirinë e votës të konfiskuar, të kontrolluar, të vjedhur, të grabitur me krimin që shndërrohet në votë dhe votën që shndërrohet në krim si në Shqipëri? Në asnjë vend tjetër, dhe lidhur me këtë a ka të ardhme një vend pa votën e lirë?

Të dashur miq, në 45 vite diktaturë, ne pa votën e lirë ecnim prapa në thellësitë e prapambetjes së kohës, dhe sapo përmbysët diktaturën përsëri të mbërthyer nga dhimbjet e urisë, skamjes dhe mjerimit, u derdhëm në detra dhe në dhera tjera për të shpëtuar.

Brenda vendit vendit ne varfërohemi gjithnjë e më shumë, sepse ata që na marrin votën, na marrin pasuritë kombëtare, fondet publike, dhe ne bëhemi gjithnjë e më të varfër.

Sistemi ynë, shërbimet tona publike rrënohen me shpejtësi.

Kurrë ndonjëherë, dhe dua t’ua them këtu, as në vitet e diktaturës, kjo që ndodh me të sëmurët rëndë, në Shqipëri nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Kjo ndodh, sepse këta zyrtarë, këta qeveritarë, të pangopur vjedhin edhe paratë e ilaçeve të të sëmurëve tanë.

Kjo që ndodh me shëndetësinë, ndodh me arsimin, i cili pas një ngjitje vertikale, prap kishte shumë punë për të bërë, por ngjitja ishte premtuese, shpresëdhënëse. Pësoi në 8 vitet e tyre rënien më turpëruese, rënien më vertikale, rënien më dëshpëruese, më të thellë, më të shpejtë në botë.

Shqiptarët, pasi iu vidhet vota, vidhen në çdo gjë tjetër.

Miq, kur mendon se 1 km rrugë, një autostradë 27 metra e gjerë në Kroaci, u ndërtua me 1.2 mln euro, kurse 1 km autostradë në fushë në Tiranë ndërtohet 12 herë më shtrenjtë me 15 mln euro.

A ka njerëz më të vjedhur se shqiptarët? A ka hajdutë më të pangopur se këta qeveritarë?

Ju garantoj, se në rrafshin personal, udhëheqin gjakësorë të diktaturës. Nuk kanë vepruar kurrë në këtë mënyrë, siç vepron Edi Rama, Belinda Balluku, Erion Veliaj, Blendi Gonxhe, jo kurrë!

Miqtë e mi, mund të citoj dhe të rendis këtu me orë të tëra vjedhjet e pafundme të Edi Ramës, Belinda Ballukut, Erion Veliajt. Mund të ndalem prapë te djegësi i Tiranës. Janë dhënë 130 mln e nuk gjenden gjurmët e tij kurrëkund me firma të Edi Ramës.

Mund të ndalem prapë te Porti i Durrësit, porti mijëravjeçar i shqiptarëve që Edi Rama e plaçkit. Rreth 4 mld, 1.4 mln m2 tokë publike me Albarin e tij për të ndërtuar parajsën për 15 breza. Me 12 500 apartamente, 6 hotele, etj.

Kurse shqiptarët gjobiten me 1 mld euro për të ndërtuan portin e ri me paratë e tyre, me taksat e tyre.

Mund të ndalem prapë te hajduti i Gjipesë, pasi ishte zotuar se ai dhe nëna e tij e ndjerë nuk kishin kërkuar kurrë një m2 tokë. Del se ai ka marrë në kundërshti me ligjet 224 mijë m2 tokë, ndër të cilat njërin nga 20 kanionët më të famshme të planetit, kanionin e Gjipesë ua rrëmbeu shqiptarëve.

Por miq, pra njeriu jo i lirë është një lloj skllavi, mbi të cilin qeveritë dhe pushteti bën çfarë do. Por ne jemi njëkohësisht njerëzit me drejtësi të mohuar, me drejtësi të shfrytëzuar gjer në palcë nga klika në pushtet. Me drejtësi të inkriminuar aq sa edhe bandat, aq sa edhe vrasësit, aq sa edhe trafikantët janë.

Një drejtësi në të cilën qytetari për të marrë një vendim duhet presë 14.8 vite. Në të cilën ku qytetari për të marrë një vendim duhet të paguajë qindra e mijëra, si kurrë ndonjëherë më parë. Me një drejtësi strofull e serial-killerave, e trafikantëve, e mafiozëve.

Me një drejtësi të shndërruar në policinë sekrete politike më të rrezikshme që regjistron nga mëngjesi në darkë kundërshtarët e kreut të narko-shtetit, qofshin ata demokrstë, opozitarë, socialistë, apo çdo gjë tjetër. Merr përsipër pra, ato që dikur repartet më të zeza të sigurimit realizonin për Enver Hoxhën.

Me një drejtësi e cila, në vitin elektoral, dhe në arrest shtëpie në ndjekje penale, pas anjë fakt, pa asnjë provë, tre drejtuesi kryesorë të opozitës, burgosen politikisht vetëm e vetëm që Edi Rama të ketë të sigurt mandatin e katërt.

Të dashur miq, të gjitha këto janë motivet më të thella për çdo qytetar, për çdo të ri të këtij vendi, për çdo të re të këtij vendi, të ngrihen për të bërë atë që kanë bërë dritë gjithmonë në emër të lirisë, në emër të dinjitetit, në emër të të ardhmes.

Është e drejtë, është normale që sytë e shqiptarëve janë drejtuar tek të rinjtë shqiptarë me shpresë dhe besim do t’i japin Edi Ramës ndëshkimin që meriton.

Qytetarë dhe qytetare, koha nuk pret. Koha mëshirë nuk ka, ndaj dhe të ngrihemi sepse çdo orë dhe ditë që kalon është në favor të Edi Ramës dhe kundër opozitës.

Ndaj dhe, thirrja ime për të gjithë shqiptarët opozitarë, por çdo qytetar të zhgënjyer të këtij vendi të zhgënjyer pavarësisht nga bindjet politike, të ngrihemi!

Se po nuk u ngritëm sot, nesër më poshtë do të gjindemi. Të ngrihemi, të kthejmë kohën në anën tonë, të ecim drejt qeverisë teknike, fitores së sigurtë, ndryshimit të pushtetit, fitores së opozitës.

Shqipërisë dhe shqiptarëve iu duhet opozita dhëmbë për dhëmbë me qeverinë! Iu duhet opozita e guximit dhe e sakrificës. Iu duhet opozita që iu kthen votën e lirë shqiptarëve. Iu duhet opozita që iu kthen shpresën shqiptarëve, që i kthen Shqipërisë të ardhmen e saj. Vendos Shqipërinë në rrugën e ligjit, Kushtetutës, integrimit, fitores së saj.

Ndaj dhe, edhe njëherë, mirënjohje të pakufijshme ju, oratorëve të kësaj platforme.

Ju ftoj tani tani të trokasim në çdo derë, në çdo zemër dhe të dalim në shesh, të ndeshemi me të keqen, të fitojmë mbi të keqen.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria! Faleminderit!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco