Berisha: Këtë shtator, shqiptarët do përballen me qeverinë e mafies. 2 shtatori ditë beteje tek parlamenti!

21:22, 01/09/2024
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike, prof. Dr. Sali Berisha është ndalur te data e sotme, si dita e parë muajit shtator, ku çdo demokrat, çdo opozitar duhet të jetë në këmbë i betuar për betejë gjer në fitoren e opozitës, vendosja e qeverisë teknike, zgjedhje të lira, ndryshimin e pushtetit.

Gjatë fjalës së tij në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’, Berisha bëri thirrje për protesta, ku shqiptarët e ndershëm do të përballen me qeverinë e mafies.

Lideri demokrat, Sali Berisha, pasi bëri një bilanc të aksidenteve tragjike dhe viktimave të ekzekutuar nga klanet kriminale përgjatë verës, theksoi se qeveria mori vendime në të cilat vodhi haptas qindra e qindra milionë euro.

Berisha theksoi se, vetëm tre javë më parë dyshja famëzeze Rama-Balluku rritën me 2.2 herë faturën e zgjerimit të rrugës Tiranë-Durrës dhe faturën e rikonstruksionit të rrugës Tiranë-Plepa. Gjithashtu, rritën me 100% faturën e bypasit të Elbasanit. Ndanë mënjanë për të blerë zgjedhjet, jo 10 apo 20, por me mbi 250 mln euro, vetëm me një vendim që e morën në gusht, në piskun e vapës.

Berisha komentoi edhe mbledhjen e sotme të qeverisë së Edi Ramës, duke theksoi se, sipas ligjit të mafies, Omertas, pas 8 orësh mbledhje Rama nuk tha një fjalë të vetme, sepse nuk kishte fytyrë që t’i dilte para gazetarëve, për arsye të bilanceve të tij dramatike.

Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh para qytetarëve se, partnerët dhe ndërkomëtarët po presin gjithashtu largimin dhe përmbysjen e Edi Ramës, kështu që duhet t’i përvishemi këtij armiku të egër që përdhos komb e identitet.

Kryedemokrati, Sali Berisha tha se, ditën e nesërme banorët e Thumanës do të shkojnë para parlamentit. Berisha ftoi të gjithë shqiptarët që, 2 shtatorin ta kthejnë në ditë beteje.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe përsëhndetjet më të përzemërta. Mirënjohjen më të pakufijshme ndaj jush, qendrestareve dhe qendrestarëve më të pamposhtur, mbrojtës të kauzës së drejtë të çdo qytetari shqiptar.

Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj platforme të parlamentit të qytetarëve të lirë që përcjellin çdo natë anë e kënd vendit të vërtetat që fsheh regjimi me propagandën e tij, dëshmojnë shqiptarëve rrënime të mëdha të diktaturës së bandave, diktaturës të bazuar në aleancën e pushtetit me krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Të dashur miq,

Sot është ditë e parë e muajit shtator. Sot çdo demokrate e demokrat, çdo opozitare dhe opozitar duhet të jetë në këmbë i betuar për betejë, i betuar për betejë të pandalshme, pa kthim, betejë gjer në fitoren e opozitës, vendosja e qeverisë teknike, zgjedhje të lira, ndryshimin e pushtetit, fitoren e opozitës.

Ky shtator është muaji më i rëndësishëm për fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Është muaji në të cilin, ne demokratet dhe demokratët duhet t’ju provojmë shqiptarëve se jemi të pamposhtur në përmbushjen e misionit tonë, rikthimin e votës së lirë për qytetarët shqiptarë.

Ne duhet t’u provojmë shqiptarëve se me guximin tonë ne do ecim të sigurtë drejt fitores, se me sakrificat tona ne do rikthejmë në këtë vend lirinë, dinjitetin, ligjin, Kushtetutën, votën e lirë.

Këtë shtator, si kurrë ndonjëherë më parë do përballen në rrugë dhe sheshet e Shqipërisë shqiptarët e ndershëm që jetojnë me mund dhe djersën  e tyre me botën e krimit, me bosët e krimit, me qeverinë e mafies, me lakejtë e saj, me mbështetësit e saj.

Kjo betejë është shpëtimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët, ndaj edhe ne të betuar se kurrë nuk do të tërhiqemi, le të përmbushim misionin tonë të madh.

Miqtë e mi, shtatori la prapa një verë e cila, siç ishte me temperaturat e papara më parë, ishte dhe me shpërthimin e botës së krimit, vjedhjeve si asnjë verë tjetër në histori.

Gjatë kësaj vere, mbi 60 qytetarë shqiptarë u vranë në rrugët e vendit nga klanet kriminale, ose vetvranë në banesat e tyre. Gjatë kësaj vere rendi ishte në duart e krimit. Gjatë kësaj vere qeveria mori vendime në të cilat vodhi haptas qindra e qindra milionë euro.

Të dashur miq, vetëm tre javë më parë në një vendim, dyshja famëzeze Rama-Balluku rritën me 2.2 herë faturën e zgjerimit të rrugës Tiranë-Durrës, faturën e rikonstruksionit të rrugës Tiranë-Plepa. Rritën me 100% faturën e bypasit të Elbasanit.

Ndanë mënjanë për të blerë zgjedhjet, jo 10 apo 20, por mbi 250 mln euro, vetëm me një vendim që e morën në gusht, në piskun e vapës.

Të dashur miq, gushti filloi me zgjedhjet në Himarë. Ju jeni dëshmitarë se si nga zyrat i grabitën zgjedhjet, i ekzekutuan zgjedhjet pa u zhvilluar ato, ndërkohë narko-shteti iu rrënoi shqiptarëve turizmin, dhe kjo ishte vera e përmbysjes së turizmit, përfitimeve nga potenciali i madh turistik.

Kjo ishte vera e inagurimit të tunelit më të kushtueshëm të planetit, tunelit të Llogarasë. 65 mijë euro për frymë të cilën nuk e ndërton as shteti më i pasur në botë, por e ndërton hajduti i Gjipesë për pronat e tij dhe ryshfetet që ka marrë.

Të dashur miq, narko-qeveria filloi shtatorin si një qeveri mafioze. Sot ata u mblodhën me në krye kreun e Meduzës, i cili sapo u kthye si gaztor, si hokatar nga Klopsit u ndry me qeverinë e tij.

Sipas ligjit të mafies, Omertas, pas 8 orësh mbledhje nuk tha një fjalë të vetme, sepse nuk kishte fytyrë, nuk mund të dilte para gazetarëve, për arsye se bilancet e tij dramatike, tragjike e bënin atë para shqiptarëve ashtu siç ishte hajdut, mashtrues, gaztor. Dhe tani së fundmi na del edhe fallxhor, edhe shikues filxhani në samite ndërkombëtare.

Të dashur miq, mediat e tij njoftuan se kanë diskutuar për integrimin. Para se të shkonte ai u tha shqiparëve se do të merrem me problemet e mëdha të integrimit të Shqipërisë, por u kthye me bisht ndër shalë, u kthye pasi i treguan brrylin.

Se nuk ka integrim me narko-shtetin që ke ndërtuar. Nuk ka integrim me dhunimin e votës së shqiptarëve. Nuk ka integrim me vjedhjen e papërmbajtur të pasurive dhe fondeve. Nuk ka integrim kurrë me burgosjet politike. Nuk integrim me trafiqet e helmeve, duke bërë Shqipërinë famëzeze në rajon dhe në botë, për trafiqe kriminale lëndësh të rrezikshme.

Doli pas 8 orë mbledhje, nuk shqipëroi dot një fjalë të vetme, por heshtja e tij e akuzon më shumë se çdo gjë tjetër. Heshtja e tij dëshmon kartonin e kuq që i ka nxjerrë përfundimisht narko-trafikantit, kreut të narko-shtetit, Edi Rama.

Miqtë e mi, Europa, miqtë tanë të vërtetë të SHBA-ve dhe kudo që janë presin nga ne përmbysjen e tij. Presin nga ne të shndërrojmë shtatorin në muajin e betejës europiane, në muajin e betejës për liri, në muajin e betejës për votën e lirë, në muajin e betejës për shtetin ligjor, në muajin e betejës për të drejtat tona, muajin e betejës për votën e lirë, në muajin e betejës për fitore, qeveri teknike, zgjedhje të lira, zgjedhje të ndershme.

Ndaj edhe, le t’i rikujtojmë ne çdo ditë, çdo natë thirrjet e himnit tonë kombëtar: nga lufta veçse ai largohet, t’i përvishemi këtij armiku të egër të qenies shqiptare, këtij bastardi që rikthen në Shqipëri një e nga një standartet e etërve të tij mizorë, që përdhos komb e identitet, simbol edhe çdo gjë.

Të dashur miq, guximtarët e Thumanës nesër janë përpara parlamentit. Ftoj qytetarët e Tiranës t’u bashkohen atyre në protestën për të drejtat kushtetuese, në protestën kundër bashkimit të këtyre banditëve qeveritarë, në protestën kundër diskriminimit të gjysmë milioni shqiptarëve.

Ndaj edhe ju ftoj, 2 shtatorin ditë beteje, betejë tek parlamenti!

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria! Fitore, fitore, fitore!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco