Patrioti i shquar i Fierit Spiro Papa në librin 'Lumi i vdekur' të Jakov Xoxës

Patrioti i shquar i Fierit Spiro Papa në librin 'Lumi i vdekur' të Jakov Xoxës

21:14, 01/09/2024
A+ Aa A-

Nga Bardhyl Çipi dhe Mariola Çipi 

Mbi një vit më parë  botuam një artikull mbi librin  “Lumi i vdekur” të Jakov Xoxës, në të cilin përmenden dhe tregtarët e Fierit të viteve kur zhvillohen ngjarjet e këtij libri.  

Për fat të keq ky artikull nuk është mirëpritur nga disa instanca të vendit tonë, kjo siҫ duket për arsyen se atje ne kemi kritikuar autorin e tij Jakov Xoxa.

Për këtë roman ka studime dhe analiza të shumta lavdëruese. Madje Akademia e Shkencave të Shqipërisë, më shumë se një vit më parë, e nderoi duke organizuar disa aktivitete me rastin e 100 vjetorit të lindjes së këtij shkrimari.

Në disa studime letraro-shkencore për rrethin e Fierit për vitet e ngjarjeve të këtij libri, shënohet se tregtarët kryesorë të Fierit, që autori i jep me pseudonime, kanë qenë vëllezërit Papa. Njëri prej tyre ishte pikërisht, patrioti Spiro Papa, deputet i Fierit në kongresin e Lushnjes të vitit 1920, që ishte burri i gjyshes tonë. Urania Papa. Ajo  e kishte dashur dhe respektuar atë pa masë, duke i qëndruar besnike gjatë gjithë jetës së saj. Ai merrej me tregti, por në vitin 1947 regjimi komunist duke e konsideruar borgjez pasanik, e arrestoi dhe e torturoi egërsisht deri sa e vrau, vetëm që ai të dorëzonte pasurinë që mund të kishte fshehur. Kur ajo vajti për ta parë dhe kur e gjeti atë të vdekur, torturuesit i thane me përbuzje: Merre qenin! Ndërsa i biri Justini (vëllai i mamasë tonë Anastasia), kur e pa të jatin e vdekur, pas kësaj vrasjeje mizore, pësoi një tronditje të rëndë nervore, që përfundoi me një sëmundje psikike të pashërueshme. Ai jetoi dhe shumë vite të tjera në spitalin psikatrik të Vlorës, ku vdiq në vitin 2000.

Gjyshja jonë Urania Papa (ose Nona siç e quanim në familjen tonë),  ishte për ne një gjyshe  shumë e dhembshur, fisnike, e papërtuar. Ne fëmijët e donim dhe ajo na donte shumë. 

Në të vërtetë, pas këtyre ngjarjeve  tragjike, jeta e Uranisë, pavarësht se familja jonë i ka qëndruar  gjithmonë pranë, ishte  shumë e vështirë dhe e trishtuar.

Ajo  quhej e deklasuar, pa triskë fronti, me burrin e dënuar me vdekje nga shteti komunist.

Madje  ky qëndrim përbuzës dhe diskriminues shfaqej edhe ndaj nesh. P.sh., unë  Mariola u pushova njëherë nga puna me arsyen, se i përkas një familjeje me pasuri të sekuestruar nga pushteti, gjë që më stresoi pa masë. 

Kur doli libri “Lumi i vdekur”, në vitet 1960, ne: nipi dhe mbesa e saj (Bardhyli dhe Mariola), filluam t’i lexonim gjyshes pjesë nga ky roman, ku flitej për zonën ku ajo kishte jetuar.  Ajo e kuptoi menjëherë nga përshkrimet e Jakov Xoxës në këtë libër, pavarësisht nga pseudonimi i përdorur, që flitej pikërisht për burrin e saj. 
Ky fakt e dëshpëronte, sepse në këtë libër Spiro Papa shahej dhe deformohej në mënyrë keqdashëse.

Si ka mundësi, na pyeste ajo. Ne e kemi pasur të punësuar Jakov Xoxën në moshë të re dhe e trajtonim si djalin tonë; dhe ne nuk i thoshim asgjë edhe kur ai na vidhte;  dhe  ai të bëjë tani këto shpifje të ndyra për burrin tim.

Edhe sot na kujtohet mallkimi që ajo i bënte Jakov Xoxës duke  psherëtirë: “Mos u bëfsh të bëhesh ! Ne të kemi mbajtur me lekë edhe punë dhe ti na poshtëron kështu..........” 
Edhe njëra nga vajzat e Spiro Papës, Liri Kisi (Papa), që e takon atë një ditë rastësisht në stacionin e trenit i thotë më përbuzje: “Si nuk të vjen turp Kovi për ato që ke shkruar për babanë tim, Përse i ke bëre ato? Dhe ai i përgjigjet me mospërfillje: “I shkruajta ato se kështu ma donte letërsia”.

Po cili ka qenë Spiro Papa?

Nga prindërit tanë, fëmijët e  tij si dhe nga shumë njerëz të tjerë që e kishin njohur,  kemi dëgjuar se të gjithë ata kishin simpati  dhe respekt për  Spiro Papën. Ai i donte pamasë fëmijet dhe gruan e tij Uraninë dhe  bënte çmos për të mirën e tyre. Ishte  me  edukatë, shumë i ditur, i dasahur,  që sillej mirë me çdo njeri: i varfër apo i pasur.
Në dokumentet e ndryshme që kemi parë,  rezulton që Spiro Papa, me origjinë nga Voskopoja, studimet e para i mori në gjimnazin e Manastirit, më pas përfundoi Fakultetin e Drejtësisë në Bukuresht. Më vonë ai jetoi disa vite në SHBA, ku bëri studime plotësuese në universitetin Berkli në Kaliforni. 

Pasi u kthye në Shqipëri, ai merrej me aktivitet tregtar dhe në vitin 1920, si i pari dhe i vetmi qytetar nga Fieri që kishte mbaruar në mënyrë të plotë studimet e larta universitare, u zgjodh si përfaqësues i Fierit në Kongresin e Lushnjës. 

Jeta politike e Spiro Papës duke filluar që nga Kongresi i Lushnjes vazhdoi për 12 vjet, deri në vitin 1932: mbështetës i Fan Nolit, senator etj.
Në të vërtetë, sikurse shprehet në shkrimin e tij  studiusi Nuri Plaku, “njohuritë e thella në studimet e kryera, gjuhët e huaja, të shumta që zotëronte, e bënin atë një përfaqësues të një brezi të ri të Shqiptarëve që rrezatonte kulturë perëndimore .Për këtë arsye ai krijoi një emër të nderuar në radhët e ligjvënësve shqiptarë”.

“Në diskutimet e tij në parlament, përveç të tjerave, ai doli me propozimin që të ndryshohej kanunorja, pasi ajo që kemi shkakton abuzim mbi kurrizin e bujkut, na lypset me i ba një revizion….Përveҫ kësaj ai kërkonte që të hiqej e dhjeta mbi pjergullat dhe pemët e tjera frutore…Duhet rinovuar nyja e kanunores që diskriminonte bujkun dhe duhet rinovuar detyrimi për angarinë për fshatarët etj.”

Të gjitha këto qëndrime në parlament në mbrojtje të  fshatarësisë, ai i shfaqte edhe në marrëdhëniet me fshatarët e zonës së Fierit, gjatë aktiviteteve  të tij tregtare.
Por regjimi komunist e dënoi atë.

Për këtë, studjuesi Nuri Plaku  shprehet në këtë mënyrë: “ I duhet bërë një homazh Spiro Papës, i cili dha aq shumë në jetën e brishtë të parlamentarizimit shqiptar dhe përjetoi prej diktaturës fatin më të kobshëm të një intelektuali, masakrimin e tij fizik dhe anatemimin e  emrit të tij nga kujtesa e historisë”. 

Vetëm pas rrëzimit të sistemit komunist, ai është rehabilituar duke u dekoruar nga presidenti i Shqipërisë dhe duke u shpallur Qytetar Nderi i Fierit. 

Ndërsa  për Jakov Xoxën dhe librin e tij “Lumi Vdekur”, që po nderohen sot në mënyrë të pamerituar,  një studiues i njohur është shprehur në këtë mënyrë: “Shkrimtar me nivel të diskutueshëm. Ishte e vështirë ta lexoje Lumin e Vdekur pa ta imponuar dikush për shkak të nivelit artistik mediokër. Përveҫ kësaj, autori ka bërë personazh negativ, tregtarin Spiro Papa, njeriu që ju gjend afër dhe e punësoi. Mosmirënjohja dhe “tradhëtia” karakteristika shumë negative të njeriut, ishin tipare edhe te Jakov Xoxa. Nëse dikush pretendon se është shkrimtar i madh le të bëjë  një anketë sesa qytetarë i njohin dhe kanë lexuar grafomanitë e tij”.

Pra, ky shkrimtar lake i regjimit komunist, nëpërmjet shpifjeve  ndaj këtij heroi të orientimit perëndimor të Shqipërisë,  dhe i dënuar me të padrejtë, kërkonte në këtë mënyrë, vetëm  që të ngjitej sa më lart në karrierën e tij. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco