Hetimet për Tonin Marinajn/ Prokuroria e Firences: Anëtarët e bandës kriminale dhe rolet në trafikimin e drogës

Hetimet për Tonin Marinajn/ Prokuroria e Firences: Anëtarët e bandës kriminale dhe rolet në trafikimin e drogës

15:54, 31/08/2024
A+ Aa A-

Tonin Marinaj, kryebashkiaku socialist i Malësisë së Madhe është akuzuar nga Prokuroria e Firences si drejtues i një organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës.

Prokuroria e Firences ka dërguar në gjykatë çështjen për Tonin Marinaj, ku kryebashkiaku socialist akuzohet se ka themeluar nxitur dhe drejtuar një organizatë me përmasa ndërkombëtare, me bazë kryesisht në Toskana, Venecia, Udine dhe në Shqipëri për trafik të marijuanës.

Sipas prokurorëve, Tonin Marinaj drejtonte trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë, ku shitej me pakicë dhe shumicë. 

Më 29 mars të 2016, prokurori Giulio Monferini ka ngritur akuza ndaj 8 personave për organizatë kriminale me përmasa ndërkombëtare për trafik të lëndëve narkotike, marijuanës, mes të cilëve edhe Marinaj.

Image

Personat për të cilët ka ngritur akuza prokuroria janë: Tonin Marinaj, Stefania Gamuzza , Rini Marku, Frederik Marku, Ferdinand Paja, Bruno Nika, Saimir Hamzai dhe Bep Gjoni. 

Si funksiononte banda kriminale?

Sipas Prokurorisë së Firences, Tonin Marinaj ka qenë kreu dhe themeluesi i organizatës kriminale, i cili kishte në terren nëngrupet e bandës që drejtoheshin nga Bruno Nika, Arenco Pogu, Silvia Piemonte. Këta të fundit kishin si detyrë ruajtjen e lëndës narkotike dhe shpërdarjen tek korrierët. 

Image

Tre personat e fundit kujdeseshin edhe për familjarët e anëtarëve të grupit, në rast se këta të fundit do të arrestoheshin nga policia. Ata siguronin edhe armët e zjarrit, komunikimet midis grupit, si dhe kodet që përdorinin gjatë bisedave. 

Rolet sipas Prokurorisë së Firences

Rini Marku së bashku me vëllain e tij Frederik Marku dhe Ferdinand Pajën drejtonin shpërndarjen e drogës me shumicë dhe pakicë në shtetin italian. 

Bruno Nika, në rolin e korrierit transportonte lëndën narkotike nga Firence në Venecia. Ai drejtonte gjithë rrjetin deri tek nën grupet që e blinin atë. 

Stefania Gamuzza- bashkë me një tjetër person, Danjel Cardakun kishin për të ruajtur lëndën narkotike dhe detyrën për shpërndarjen e lëndës narkotike tek blerës të ndryshëm.

Image

Personat e tjerë që akuzohen

Në dosjen hetimore të Prokurorisë së Firences, ku është hetuar për të paktën 6 vite, nga 2010 deri në 2016, përmenden edhe një sërë personazhe të tjerë, në role të caktuara për trafikimin e lëndëve narkotike. 

Fred Hysaj- Nga hetimet e prokurorisë italiane ka rezultuar se Frederik Marku ka organizuar dhe drejtuar importimin në territorin italian dhe shpërndarjen e drogës tek Ferdinand Paja, Rini Marku, Frederik Marku dhe Fred Hysaj, të sasisë prej 75 kilogramë marijuane. Droga ishte pjesë e një sasie të madhe të depozituar në Firence nëpërmjet çiftit Cardaku-Gamuzza. 

Image

Po kështu në dosjen që Prokuroria e Firences në një fashikull me 33 faqe, sipas hetuesve, Tonin Marinaj është kapur në përgjime me Fred Hysajn. Përgjimet i përkasin muajit korrik të vitit 2010. 

Image

Prokurorët kanë arritur në përfundimin se Hysaj ka vepruar si ndërmjetës mes Fredinand Pajës me Tonin Marinajt. Biseda mes tyre është zhvilluar për një ngarkesë droge që gjatë komunikimeve është përdorur fjala "ndërtesë" në vend të fjalës "drogë". Bisedat mes tyre zhvillohen për pagesat që duhet të kryhen. 


Image

Ardian Paja-Sipas hetuesve, Frederik Marku ka drejtuar importimin në territorin italian dhe shpërndarjen tek Rini Marku, Ardian Paja të 42 kilogramëve marijuanë, pjesë e një sasie të madhe të depozituar në Firence, jo më pak se 338 kilogramë, 100 kilogramë u gjetën në rrugën "Benini" në Firence. 

Spartak Hamzai dhe Slawomir Wlas- Këta të dy përmenden në dosjen hetimore si korrierë të lëndës naroktike.

Danjel Cardaku, Indrit Livadhi, Silvia Piemonte, Arenco Pagu, Alban Giuseppe dhe Stefania Gamuzza- Në një fashikull të dosjes hetimore, këta persona së bashku me Tonin Marinajn akuzohen për trafikimin e 50 kilogramëve marijuanë.

Prokuroria thekson se transportimi i lëndës narkotike është kryer më parë në Shqipëri nga treshja Tonin Marinaj, Danjel Cardaku dhe Rini Marku, të cilët mbanin kontakte të ndara mes palëve që blinin dhe shisnin marijuanë. Dosja i referohet periudhës qershor-korrik 2010. 

"Në thelb, rezulton nga njëra anë, negocimi për transportimin e lëndëve narkotike është kryer paraprakisht në Shqipëri nga treshja Tonin Marinaj, Danjel Vardeku dhe Rini Marku, të cilët mbanin veçmas kontakte ndërmjet palëve që blinin dhe shisnin marijuanën. Në veçanti, çifti Marinaj-Marku, përfaqësues të grupit venecian, mbajtën kontakte me Indrit Livadhin, Silvia Piemonte, Frederik Markun, Fredinand Pajën dhe Arenco Pagu, të cilët janë ata që në fuksione të ndryshme janë kujdesur për lëndën narkotike me qëllim për ta shitur. Lënda narkotike prej 50 kilogramë ndodhej në shtëpinë e çiftit Pagu-Piemonte. Ndërsa Cardaku dhe Alban Giuseppe ishin përgjegjës për mbajtjen e kontakteve me Stefania Gamuzza, kujdestare e dërgesës së marijuanës në Firence, për të drejtuar shitjet që i njëjti kryente për llogari të tij", thuhet në dosjen hetimore të Prokurorisë së Firences.

Gjergj Ndrejaj-Sipas prokurorëve është kapur në përgjime me Rini Markun për ngarkesat me drogë. Ai përshkruhet nga hetuesit si kreu i një organizate kriminale, i përbërë kryesisht nga persona të lidhur me të nga farefisnia dhe banues jashtë vendit, të dedikuar për importimin e sasive të mëdha kokaine direkt nga Spanja dhe Holanda. Hetuesit theksojnë se bashkëpunonte me anëtarë të bandës së Marinajt. 

Image

 

Lodovick Gjokaj- Sipas prokurorisë italiane, më 17 korrik të vitit 2010, Tonin Marinaj shkoi në Firence për të kërkuar mbështetje logjistike nga Lodovick Gjokaj, menaxher i një lokali në tregun "San Lorenzo". Autoritetet e akuzojnë Marinajn se shkoi në Fierence edhe për shkak të menaxhimit të një ngarkese marijuane si dhe për të grumbulluar paratë nga shitja e sasive të drogës. 

Image

 

Eduard Gjokaj-Sipas prokurorëve është vëllai i Lodovick Gjokajt. Ai është kapur në foto bashkë me Tonin Marinajn "Piazza Salvemini", Firence ku kanë zhvilluar me persona të tjera biseda për drogën. 

 

Image

Astrit Likaj-Përmendet në dosjen hetimore për trafik kokaine, së bashku me Rini Markun dhe Gjin Ndrejajn.

Dritan Vreto dhe Flobenc Gega- Përmenden në dosjen hetimore si korrierë për trafikim droge, kryesisht kokainë. 

Zanafilla 

CNA do të viojë të publikojë detaje nga dosja hetimore për kryebashkiakun socialist. Gjithçka nisi pas një denoncimi të bërë nga Partia Demokratike, e cila i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme që të verifikojë sipas ligjit të dekriminalizimit kryetarin e Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj. 

Pas kërkesës së PD-së nisi lëvizjet edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili më 11 korrik vendosi të nisë verifikimin e thelluar për kryebashkiakun socialist.

Në lidhje me këtë kërkesë nuk ka munguar edhe reagimi i vetë Marinajt, i cili ka theksuar se gjithçka është një skenar i turpshëm dhe akuzat janë të fabrikuara dhe politike. 

Theksojmë se edhe pas këtyre hetimeve, Tonin Marinaj ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit të bërë më 24 mars 2023, se nuk ka qenë asnjëherë nën hetim apo gjykim nga një autoritet i huaj për ndonjë vepër penale. Të njëjtën gjë ka bërë edhe në formularin e vetëdeklarimit për zgjedhjet vendore të 2019./CNA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco