Rilindja merr malet, të pathënat e takimit elektoral në Dajt

Rilindja merr malet, të pathënat e takimit elektoral në Dajt

08:37, 29/08/2024
A+ Aa A-

Kupola e Rilindjes nuk ngjitet përpjetë Dajtit të dielën e 1 shtatorit për sfida që lidhen me shëndetësinë, ekonominë, arsimin, korrupsionin, drejtësinë e munguar apo kapjen e shtetit. Këto janë çështje disi më periferike e do të marrin më pak kohë. Thelbi i takimit janë zgjedhjet e pranverës së ardhshme.

Ndonëse ato janë veçse një formalitet dhe për këtë s’ka më askush ndonjë dyshim, Edi Rama mobilizohet gjithnjë për ta kryer sa më mirë këtë formalitet dhe për të forcuar më tej iluzionin se këtu ka normalitet demokratik. Lapsi.al ka arritur të shohë agjendën e të ashtuquajturit retreat, i ndarë në 4 blloqe: Blloku i Komunikimit, Blloku Social, Blloku i Sigurisë dhe Blloku i Drejtorëve.

I pari që do të flasë është Endri Fuga, këshilltari i Edi Ramës për mediat. Ai do të shpjegojë Bllokun e Komunikimit, ku janë vendosur piketat e propagandës që do të shpaloset prej kësaj vjeshte e deri në zgjedhjet e pranverës. Kontrolli i mediave dhe propaganda janë elementë kyç në sundimin e Edi Ramës. Jo më kot për këtë është vendosur të diskutohet që në fillim të takimit.

Mes ministrave që do të flasin/prezantojnë blloqet e tjera janë Belinda Balluku, Ulsi Manja dhe Ogerta Manastirliu. Për Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor (Growth Plan), miratuar nga BE, fjala i është lënë kryenegociatores Majlinda Dhuka.

Interesante ngjan të jetë pjesa e shënuar si “Blloku i Drejtorëve”, ku  nga agjenda që Lapsi.al ka siguruar, nuk është shumë e qartë se për çfarë do të flitet, por lehtësisht mund të hamendësohet që fokusi edhe në këtë pikë janë zgjedhjet. Rama do t’u lërë porositë ashtu siç ka bërë gjithmonë. Shteti të jetë në funksion të partisë e të gjitha resurset do të mobilizohen për të kapur çdo votë në territor.

Ai nuk ka shqetësim qeverisjen, as shërbimin ndaj qytetarëve, as pastërtinë e figurës së drejtorëve apo kriteret si ata katapultohen në ofiqet e shtetit. Me të gjitha këto Rama është krejt në paqe për aq kohë sa ata i blejnë vota për partinë dhe firmosin porositë që iu kërkon.

Retreati elektoral i Dajtit është veçse preludi i asaj që na pret në muajt e ardhshëm; propagandë, patronazhistë, para për blerje votash dhe shkallmim i mëtejshëm i shtetit për të zgjatur sundimin e Edi Ramës./Lapsi.al/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco