VIDEO/ Berisha: Nga 2014 deri sot janë larguar 66% e shqiptarëve, renditemi në krye të vendeve të…

20:43, 28/08/2024
A+ Aa A-

Lideri i historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti në fjalimin e tij gjatë tubimit maratonë në "Rrugën e Shpresës,"  ku akuzoi qeverinë e Edi Ramës për krijimin e një regjimi të korruptuar dhe kriminal që bashkëpunon me krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve. Ai theksoi një raport të tronditshëm të Organizatës Botërore të Emigracionit, sipas të cilit Shqipëria renditet në krye të vendeve nga të cilat banorët janë larguar masivisht, me 66% të shqiptarëve që janë larguar gjatë tri dekadave të fundit.

Berisha theksoi se sot në Shqipëri jetojnë vetëm 34% e shqiptarëve të lindur dhe të rritur në vend, ndërsa mbi 1.6 milion shqiptarë janë larguar. Ai argumentoi se, pas vitit 2014, largimet janë intensifikuar dhe janë bërë më të mëdha se ndonjëherë më parë. 

FJALA E BERISHËS:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta. Ju qendrestarë dhe qendrestareve, misionarëve të lirive, të të drejtave të shqiptarëve dhe interesit kombëtar të tyre. 
Përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj platforme të fjalës së lirë, që me fjalën e tyre përcjellin në të katërta anët të vërtetat e mëdha që përballen me gjendjen me të cilët përballet sot shoqëria shqiptare. 

Të vërteta të hidhura të narko-regjimit të Edi Ramës, të kësaj diktature bandash që bazohet në aleancën e pushtetit me krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Të dashur miq, mediat dhe organizatat ndërkombëtare informuan ndofta lajmin më tronditës të 33 viteve. Sipas Organizatës Botërore të Emigracionit, Shqipëria renditet në krye të vendeve të braktisura nga banorët e saj. Sipas kësaj organizate, më seriozja në këtë fushë në botë, 66% e shqiptarëve në këto tri dekada janë larguar nga Shqipëria.

Sot në Shqipëri banojnë vetëm 34% e shtetasve shqiptarë që janë lindur dhe janë rritur në këtë vend. Mbi 1.6 milionë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria. E vërteta është se në vitin 1991 shqiptarët të cilët kishin gjithësej 204 dollarë për frymë dhe dolën nga sistemi hiperkolektivist-socialist, si fantazma më shumë, se sa si njerëz, u takuan me lirinë, por dhimbjet e urisë, dhimbjet e mjerimit i detyruan ata masivisht të largohen nga Shqipëria.

Qindra e mijëra u larguan nga deti, nga toka, nga ky vend. Por e rëndë dhe e tmerrshme është se largimet më të mëdha, 40% të atyre që janë larguar nga Shqipëria këto 30 vite, u larguan pas vitit 2014. Në vitet 2005-2013, edhe pas heqjes së vizave kishte qarkullim, kishte edhe largime, por pati më shumë kthime në Shqipëri. 180 mijë familje shqiptare u kthyen nga emigracioni në Shqipëri.

Numri i shqiptarëve në Shqipëri u rrit nga viti në vit. Kurse nga 2014 dhe në vazhdim filloi procesi i zbrazjes masive të Shqipërisë, i zbrazjes së Shqipërisë nga shqiptarët sa kurrë ndonjëherë nga ndonjë luftë, sa kurrë ndonjëherë nga ndonjë tragjedi, zi buke, apo epidemi.

Gjatë këtyre viteve, sipas EUROSTAT nga 2014-2022 vetëm në vendet e hapësirës Shengen emigruan në total 35% e popullatës së vendit, apo 981 506 shtetas shqiptarë, nga të cilët po sipas EUROSTAT 991 670 kërkuan azil politik në vendet e hapësirës së Shengen. 311 650 qendrojnë ilegalë në këto vende, kurse 478 245 mijë arritën të marrin dokumente të rregullta, apo kishin marrë dokumente të rregullta.
Pra, shifrat e EUROSTAT vetëm në zonën e Shengen tregojnë se u larguan 35% e shqiptarëve, por në rast se shtojmë këtu të larguarit për në Britaninë e Madhe, 43 mijë të larguar me Green Card në SHBA me lotari, këto së bashku e çojnë në 38% numrin e të larguarve nga Shqipëria. 

Dhe në rast se shtohen zona tjera Kanada, Australi, Norvegji, Zvicër, Lindje e Mesme dhe kudo, numri i të larguarve nga Shqipëria nga 2014 e gjer sot arrin në 40% të shqiptarëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco