Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Të rinjtë në biznes: së paku një arsye për t’i dhënë një mundësi atdheut

Të rinjtë në biznes: së paku një arsye për t’i dhënë një mundësi atdheut

11:35, 27/08/2024
A+ Aa A-

Nga Pranvera Shehaj/

Ndërsa orientimi i detyruar në një kontekst ekonomik si ai i Shqipërisë i përshkruar nga një pjesë e mirë e popullsisë në kufijtë e varfërisë dhe përjashtimit social - (622 mijë shqiptarë nën ‘National Poverty Line‘ në vitin 2019, e dhëna e fundit nga Banka Botërore), - do të ishte ai drejt politikave sociale, jo domosdoshmërisht është ky orientimi i vetëm. Edhe shoqërive si kjo e jona, ku rrokullima e mjerimit psiko - ekonomik është agresive, u lind e drejta të besojnë në garantin e lirisë individuale dhe motorrin e zhvillimit individual e për rrjedhojë shoqëror, sipërmarrjen private.

Nëse një aksiomë famëkeqe politike na ka sugjeruar se përsëritja e një gënjeshtre është metodika për ta kthyer atë në të vërtetë, po aq na ka vërtetuar realiteti politik në Shqipëri, se psikologjikisht thënia dhe ri-thënia e të vërtetës së problemeve, skandaleve dhe tabuve socio-politike deri në bezdi, i normalizon ato dhe imunizon shoqëritë prej tyre. E megjithatë, faktet mbeten fakte dhe koha u mundëson atyre ta shkelmojnë kështjellën e rërës që ngre propaganda. Përtej dekada e regresit 2013 - 2024, po na trashëgon një tablo të kontrastit të absurdit përsa i përket rinisë shqiptare dhe pozicionimit të saj në tregun e punës. Ankesës së bizneseve në Shqipëri për mungesë të fuqisë punëtore në treg jo vetëm për shkak të zbrazjes masive të vendit, por edhe për shkak të refuzimit për t‘u punësuar përkundrejt pagesave të ulëta që nuk kanë asnjë hije proporcionaliteti me standardin dhe kostot e jetesës në Shqipëri, i kundërvihet papunësia e lartë. Sipas Instat, shkalla zyrtare e papunësisë për grupmoshën 15-29 vjeç ishte rreth 20.7% për vitin 2022, tre herë më e lartë se mesatarja europiane (6.3% sipas Eurostat). Rritje e ndjeshme e papunësisë afatgjatë u shënua në vitin 2023. Shifrave u shtohen anketa të ndryshme mbi emigracionin potencial, të cilat dëshmojnë se gati 80% e personave që largohen nga vendi janë të rinj nën 30 vjeç dhe arsyet e largimit lidhen me përpjekjet për të përmirësuar gjendjen e tyre ekonomike (Monitor).

Për një forcë politike të kushtëzuar përballë rrënimit të sistemit monetar në vend, alternativa me të cilën ajo do të mund të punonte mbeten politikat fiskale dhe mekanizmat që ato të ofrojnë për t‘i dhënë frymë alternativave të punësimit. Në këto mekanizma do të mund të mbështetej fillimisht Partia Demokratike duke patur si mision të saj ndaljen e largimit të rinisë shqiptare drejt çdo lloj pune në Evropë e gjetkë, çdo lloj pune që u paguhet më shumë se statusi profesional në Shqipëri.

Së pari, nëse jo tokë të premtimit, politikat fiskale që lehtësojnë sipërmarrjen private për të rinjtë do të mund ta ofronin Shqipërinë si atdhe të kërkimit të mundësisë. Synimi duhet të jetë ai i krijimit të një shtegu alternativ që një të riu të moshës 18, 25 apo 30 vjeç do t’i japë një arsye për ta provuar suksesin e biznesit në Shqipëri. Mjeti i parë dhe i drejtpërdrejtë mund të ishte heqja dhe zerimi i çdo takse për çdo të ri që hap një biznes në Shqipëri. Politika fiskale e 0% taksim për 5 vite për sipërmarrësit e moshës 18 - 35 vjeç të cilët hapin një biznes në Shqipëri, do të krijonte një klimë biznesi nxitëse për çdo të ri të provojë mundësinë në vendin e lindjes. E kombinuar me masa të tjera për reduktimin e burokracive adiministrative që hasin sipërmarrësit, ajo mund të stimulojë shpresën për të guxuar në Shqipëri duke treguar se shteti nuk pengon, por përkrah sipërmarrjen e lirë dhe iniciativën private, ashtu sikurse përgjegjshmërinë, patriotizmin dhe ëndrrat e të rinjve shqiptarë. E drejtë, ne nuk jemi Estonia, një nga të paktat vende ku modeli i 0% taksë aplikohet për të ardhurat e korporatave mbi fitimet e pashpërndara dhe të riinvestuara, por mund të frymëzohemi prej efektit që zerimi i taksave ka në nxitjen e investimeve (në rastin e Estonisë në tërheqjen masive të kompanive të huaja drejt saj). Në rastin tonë, fare e thjeshtëzuar, 0% taksë dhe reduktimi i burokracive veçanërisht për të rinjtë, përkrah ata dhe pritet të perceptohet si mundësi për t‘ia dalë aty ku përkasin, në Shqipëri.

Së dyti, nën kushtin e një rimëkëmbjeje të moderuar të buxhetit të shtetit, mund të shkohet përtej mekanizmave fiskalë. Vetëpunësimi, përveç se siguri e mirëqënies individuale dhe burim i krijimit të vendeve të punës, stimulon qarkullimin e burimeve njerëzore. Në funksion të shfryrjes së sektorit publik dhe administratës publike, pa rrezikuar perceptimin e ndëshkueshmërisë apo shkarkesën e reformimit në një rritje të nivelit të papunësisë, një alternativë tashmë e konfirmuar si e suksesshme në vende perëndimore (si Gjermania) mund të ishte granti i vetëpunësimit (ose Start-up Grant) me vlerën 50% - 60% të pagës për një periudhë 3 mujore për një ish-të punësuar në sektorë shtetërorë, gjatë së cilës pas shkëputjes nga puna ish-i punësuari dëshmon nisjen e një sipërmarrjeje private. Granti i vetëpunësimit duhet të konsistojë në një mbështetje modeste nga shteti shqiptar për çdo sipërmarrës të ri, i cili largohet nga vendi i punës me qëllim hapjen e një aktiviteti fitimi privat. Duke i garantuar sipërmarrësit të ri një pagesë në vlerën 50 - 60% të pagës që kishte në pozicionin e mëparshëm në sektorin publik për rreth 3 muaj pas shkëputjes nga puna, me kushtin që dëshmon në autoritetet përkatëse konceptin e biznesit dhe nis hapat e parë të fillimit të aktivitetit, granti do të kishte si qëllim primar stimulimin e vetëpunësimit si dhe garantimin e mbrojtjes sociale gjatë rreziqeve të para.

Zhvillimi ekonomik kalon vetëm nëpërmjet sipërmarrjes private dhe nëse shteti mund e duhet të luajë një rol në këtë marrëdhënie ajo duhet të jetë vetëm katalizuese, kurrsesi frustruese, kurrsesi goditëse e iniciativës private nën utopinë e mirëqënies kolektive. Truri i asaj marrëdhënieje është eksperienca e moshës së mesme, ndërsa motorri i saj janë të rinjtë. Modestisht, të dy propozimet e mësipërme mund të ishin një kombinim produktiv i të dyjave, për t’i dhënë Shqipërisë, së paku, edhe një mundësi.

Pranvera Shehaj - Anëtare e Departamentit Brain Gain, Partinë Demokratike

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco