Asgjë e re nga Fronti i Korrupsionit dhe propaganda e kryeministrit

Asgjë e re nga Fronti i Korrupsionit dhe propaganda e kryeministrit

11:52, 26/08/2024
A+ Aa A-

Nga Naim Noka/

Është ironike dhe shqetësuese se në një kohë kur Shqipëria është e zhytur në skandale që kanë të bëjnë me lëndët toksike të importuara ilegalisht dhe me pastrimin e parave nga bota e krimit, kryeministri Edi Rama del në skenë për të folur për “integrim ekonomik.” Pyetja që lind është: Si mundet një vend që mbytet nga korrupsioni dhe krimi i organizuar të pretendojë se po shkon drejt integrimit ekonomik me Evropën?

Në vend që të marrë masa për të luftuar korrupsionin që po e shkatërron vendin, qeveria e Ramës zgjedh të fokusohet në kurimin  e imazhit të një Shqipërie të suksesshme dhe në rrugë të drejtë për integrim. Kjo strategji duket më shumë si një përpjekje për të fshehur realitetin e hidhur sesa si një politikë e mirëfilltë për zhvillimin e vendit.

Në të njëjtën kohë, ndërsa Rama flet për një instrument të ri financiar dhe zhvillimor të BE-së që do të ndihmojë Shqipërinë, realiteti është se korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë bërë që investimet e huaja të ndalen, dhe ekonomia e vendit të bjerë në kolaps.

Futja e parave të pista në qarkullim ka destabilizuar monedhën dhe ka ulur ndjeshëm fuqinë blerëse të qytetarëve, ndërsa infrastruktura dhe shërbimet publike vazhdojnë të përkeqësohen. Këtu jepen vetëm leje ndërtimi në  bregdet dhe në Tiranë dhe qarkullon para e zezë dhe  beton.

Raportet ndërkombëtare, përfshirë ato të Departamentit Amerikan të Shtetit, kanë konfirmuar se korrupsioni është endemik në çdo nivel të qeverisjes në Shqipëri. Megjithatë, Rama dhe qeveria e tij duket se janë më të interesuar të ruajnë pushtetin e tyre dhe të sigurojnë përfitime personale sesa të mbrojnë interesat e qytetarëve shqiptarë.

Në vend që të mashtrojë opinionin publik me fjalime boshe dhe premtime të zbrazëta, qeveria duhet të marrë masa konkrete për të luftuar korrupsionin dhe për të ndalur trafikun e paligjshëm që po e shkatërron vendin. Shqipëria është drobitur nga vendime të   papërgjegjshme që janë marrë në kurriz të taksapaguesve dhe bë favor të një grushti klientësh që përfitojnë me një firmë kryeministrore , llokma Shqipërie. Përveç  ekselencës  Ramës në lojën e  teatrit politik  të propagandës që tenton të mbulojë skandalet dhe krizat e njëpasnjëshme, asgjë e re nga FRONTI GALOPANT i KORRUPSIONIT në Shqipëri!

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco