Berisha: Rama vendosi taksën e urrejtjes kombëtare ndaj banorëve të veriut! Ngrihuni fuqishëm e mbroni dinjitetin tuaj!

21:32, 25/08/2024
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës në tubimin qytetar, deklaroi se Edi Rama vijon të mbajë qëndrimin e tij diskriminues ndaj qytetarëve të rrethit Krujës, njëjtë siç kanë bërë regjimet e baballarëve të tij.  

Lideri demokrat, Sali Berisha në fjalën e tij, u shpreh se Edi Ramës ka urrejtje ndaj banorëve të Veriut. Para qytetarëve, Berisha tha se përmes rrugëve me pagesë, Rama vendosi taksën e urrejtjes kombëtare ndaj banorëve të veriut. Sipas Berishës, qarqet e veriut janë qarqet më të varfra të Europës dhe se varfëria e tyre sikundër e gjithë shqiptarëve, u thellua në mënyrë të frikshme këto 11 vite qeverisje të Ramës.

Kryedemokrati Sali Berisha gjatë tubimit qytetar u ndal tek investimet e qeverisë Rama në zonën e veriut, për të cilat tha se ato nuk janë as 1/100 e investimeve të realizuara në zonat e tjera të vendit. Sipas Berishës, liqeni i Komanit dhe Lumi i Shalës janë dy atraksione mjaft të rëndësishme dhe ndër më të bukurat jo vetëm për zonën e veriut por edhe për Shqipërinë, por që për 11 vite distancë, Vau i Dejës-Koman u la të shkatërrohet. Të njëjtin fat sipas Berishës, ka pasur edhe rruga e Lurës, për të cilën tha se Rama mashtroi 30 herë për ndërtimin e saj.

Lideri i opozitës Sali Berisha bëri fajtor Ramën dhe urrejtjen e tij ndaj banorëve të veriut, që ura Velipojë-Ulqin nuk mundi të inaugurohej më 14 gusht. Sipas Berishës, të njëjtin fat ka pësuar prej vitesh edhe Rruga e Dukagjinit, por që tashmë për qëllime elektorale kanë filluar të vënë dorë në të, pasi ajo ishte një rrugë që duhej të kishte përfunduar vite më parë.

Gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, kryetari i PD-së, Sali Berisha tha se banorëve të veriut po iu bëhet një diskriminim i tmerrshëm, si në turizëm, ashtu edhe në arsim. Për këtë arsye, Berisha u bëri thirrje banorëve të të gjithë qarqeve të veriut të Shqipërisë që të ngrihen në protesta dhe ti japin Edi Ramës, atë që meriton çdo pushtues.

 

Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, qëndrestare dhe qendrestarë të pamposhtur të kauzës së drejtë të çdo qytetari të ndershëm shqiptar, kauzës të dejtë të shoqërisë dhe kombit shqiptar.

Përshëndetje të përzemërta edhe oratorëve fjalë artë të kësaj platforme anticensurë që përcjell në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve, dritën e të vërtetave për të sjellë gjithçka fsheh velloja e zezë e censurës së regjimit të Edi Ramës.

Të dashur miq!

Edi Rama në shumë aspekte në qëndrimin e tij ndaj shqiptarëve që jetojnë nga Fushë Kruja në Vermosh, Valbonë, mban një qëndrim armiqësor, diskriminues të njëjtë me regjimin e baballarëve të tij, më të egër se çdo pushtues që ka njohur Shqipëria gjer sot.

Por unë ju garantoj se ai që urren që një pjesë të kombit të tij, që poshtëron një pjesë të kombit të tij, që injoron një pjesë të kombit të tij, ai nuk mund të jetë kurrë gjë tjetër, veç se një armik kombëtar, i mbarë kombit.

Të dashur miq!

Një protestë e fuqishme ka shpërthyer në Thumanë për shkak se, në 20 kilometrat e para rrugë që ndërtohen në 11 vite nga Fushë Kruja e sipër, 80 mijë banorë të Krujës si në asnjë rast tjetër të territorit të Shqipërisë, ndëshkohet.

Ndalohet rruga që ndërtohet mbi tokat e tyre. Përjashtohen nga tregu, u shkatërrohen bizneset. Sikur rruga ti përkiste një pushtuesi me të cilën ai vendos të ndëshkojë të pushtuarit.

Janë ndërtuar në Shqipëri më parë mbi 11 mijë km rrugë, rrugët kanë qenë përfshirëse, nuk kanë përjashtuar kurrë, nuk kanë ndëshkuar kurrë.

Sepse ato ndërtohen edhe për komunitetin nëpër të cilin kalojnë dhe detyrimisht edhe për komunitetin. Pra shikoni miqtë e mi, 20 km e para rrugë që ndërtoi kjo qeveri nga Fushë Kruja në Vermosh dhe Valbonë, i shndërron në ndëshkim për 80 mijë banorë.

Jo vetëm kaq, por ai në këto 20 km për 500 mijë banorë të 4 qarqeve të veriut, vendos taksë atyre për të hyrë dhe dalë nga Tirana.

Mos harroni një gjë.

Qarqet e veriut të ardhurat janë mbi 50 % më të pakta për frymë, se sa në qarqet e Shqipërisë së mesme dhe jugut.

Qarqet e veriut janë qarqet më të varfra të Europës dhe varfëria e tyre sikundër e gjithë shqiptarëve u thellua në mënyrë  të frikshme këto 11 vite.

Por nëse në tërë Shqipërinë ajo u thellua 100%, në qarqet e veriut ajo u thellua 250-300 për qind.  

Sot një banor nga këto qarqe, për të ardhur në Tiranë, për të zgjidhur një problem apo për të takuar një familjar, apo një problem shëndetësi dhe të tjera, vajtje ardhje duhet të paguajë 15 euro nga Tropoja, në një kohë kur ai mund të marrë gjithsej ndihmë ekonomike 40 euro, mund të marrë pension ndën 100 euro.

Në një kohë kur, asnjë shqiptar tjetër nga Kakavija gjer në Fushë Krujë nuk paguan asnjë qindarkë, pavarësisht se kalon në rrugë autostrada A, kalon në tunele. Pavarësisht se nga Kakavija gjer në Tiranë kalon në rrugë të rindërtuara tërësisht, këta nuk paguajnë asnjë.

Kurse ata që janë nga veriu, ai duhet të paguajë 15 euro për të ardhur nga Tropoja, Hasi, Kukësi në Tiranë dhe për tu kthyer.

A nuk është ky një diskrimimin antikushtetues të cilin nuk ka shtet në botë që do ta vendoste.

A nuk është kjo një taksë e urrejtjes kombëtare e Edi Ramës ndaj banorëve të veriut.

Të dashur qytetare dhe qytetarë, ai që urren një pjesë të kombit të tij, ai është armik i tërë kombit të tij.

Të marrim pak investimet 11 vjeçare, sipas ish-ministrit të Financave ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, gjer në vitin 2022 u investuan 20 miliardë euro në të gjitha fushat.

Miqtë e mi, investimet në qarkun e Peshkopisë, në Qarkun e Shkodrës, investimet në qarkun e Kurbinit dhe Kukësit, jo që nuk janë 1/20 e tyre, por ato nuk janë as 1 e 100 e tyre.

Në 11 vite janë përfunduar me asfaltim 10 km rrugë të Valbonës.

Në 11 vite kanë përfunduar me asfaltim 12 km të rrugës së Shishtavecit, 13 km të rrugës së Vermoshit, të gjitha me financime të garantuara nga qeveria e mëparshme dhe po kaq të rrugës së Thethit. Asnjë kilometër tjetër.

Miqtë e mi!

Liqeni i Komanit, po ta quajmë edhe kanioni edhe pse nuk është, por ta quajmë në kuptimin figurativ është një bukuritë më mahnitëse të natyrës.

Por për të shkuar në liqenin e Komanit, rruga është sot më e shkatërruara e Shqipërisë. Dhe kur enti energjetik nisi rikonstruksionin e saj, Edi Rama dhe Belinda Balluku e ndërprenë në mënyrë brutale. Lubi Balluku do të deklaronte në parlament se ajo nuk është rrugë turistike. Ndërkohë që ajo është një nga zonat më të bukura turistike të Europës.

Liqeni i Komanit dhe lumi i Shalës janë nga bukuritë natyrore më të rralla që mund të shohë njeriu. Përveç kësaj, ajo është rruga më panoramike për në Valbonë dhe alpet e veriut.

Pra 11 vite një distancë Vau i Dejës-Koman u la të shkatërrohet, ndërkohë që ajo është rruga e zonave turistike më të bukura të Shqipërisë.

Po rruga e Lurës ku është? Asgjë më të bukur se Lurën nuk ka Shqipëria. E dërguam gjer në Perlat. Mashtroi 30 herë, do ta nis në këtë drejtim, do ta çoj në atë drejtim.

Por nga Perlati  në Lurë, kishte përfunduar 4-5 herë po të mos ishte urrejtja e tij atërore që ka ndaj veriut.

Miqtë e mi!

Në datën 24 gusht do të inaugurohej ura e re e Bunës në derdhje të saj, urë për të cilën ramë dakord në vitin 2012 me qeverinë e Malit të Zi, urë që shkurton distancën Velipojë-Ulqin me 73 km dhe i afron qytetet në 3-400 metra.

Ura e re e Bunës afron Ulqinin me Shëngjinin dy porte të lashta të kombit me 103 kilometra. Pasi heshtën si fije bari për 8 vite, 3 vite më parë ish-kryeministri i Malit të Zi, Abazoviç në takimin ndërqeveritar kërkoi ti rikthehen urës. U firmos marrëveshja, u mor zotimi se ura do të ndërtohej për 2 vite.

Me 30 mln euro se ura, do të inaugurohej me 24 gusht të 2024. Ku është ura, as nam as nishan nuk ekziston.

Por një gjë duhet të ju them se potenciali turistik i brigjeve të Adriatikut nga Shëngjini në Ulqin, të gjitha territore të banuara me shqiptarë, është më mahnitësi në të gjitha brigjet e Adriatikut.

Por nuk mund të ndërtohej ura, sepse i përket pjesës armike të kombit për Edi Ramën.

Rruga e Dukagjinit, 11 vite asnjë lopatë. E quam deri në Prekal, aty mbeti. Dhe tani vetëm për qëllime elektorale kanë filluar, një rrugë që duhej të kishte përfunduar vite më parë.

Por i përket veriu dhe natyrisht nuk mund të ndërtohej.

Të dashur miq!

Shqipëria ka brigjet më mahnitëse, por Shqipëria po kaq mahnitëse ka malet. Shqipëria në 80% të saj, është kodrinore-malore.

Këto male i japin asaj lartësinë mesatare më të madhe në Europë. Këto male janë një potencial i jashtëzakonshëm i saj.

Asnjë qindarkë, asnjë mbështetje për turizmin në këto zona.

Në vitin 2012 kaluam ligjin për heqjen e taksave për 8 vite, për të gjithë ata që investojnë në zonat turistike malore, në mënyrë që ato të zhvillohen.

Akti i parë anuloi këtë ligj, dhe ua ktheu trafikantëve, ua ktheu investitorëve strategjik në brigje, duke u dhënë 1.6 milionë metër katror tokë.

Imagjinoni ju një investitor në Theth, në Lurë, në Martanesh, në Zagori, Çajup, tek bredhi i Hotovës, se sa i kushtueshëm është investimi, asnjë lehtësim, sepse trafikanët e peshojnë me narkoeuro dhe i kërkojnë llokma bregdeti. Pra a nuk është ky një diskriminim i tmerrshëm.

Çfarë bëri ky tjetër ndaj zonave më malore, por veriu është më malor. Vendosi mesataren për universitete të cilën nuk e plotësonin dot as 10 % e gjimnazistëve të këtyre zonave.

Dhe u la atyre rrugën e mërgimit.

Ky është diskriminim i tmerrshëm që u bën banorëve të veriut.

I bëj thirrje këtyre banorëve të ngrihen kundër këtij diskriminimi. U bëj thirrje të mos pranojnë këtë poshtërim.

Por unë sonte dua të ju them gjithashtu edhe një të vërtetë tjetër.  Se ky bir xhelati në veri do dhe respekton vetëm Bajrët, Ndokët, Gjokat, Frrokët, Lalët etj., vetëm vrasësit serialë, trafikantë dhe kriminelë.

Sepse do të thoshte një njeri që e pyet, se nuk të vjen që mbështetesh tek këta; ata më sjellin vota mua, thotë.

Pra ky ka një përçmim absolut për banorët e veriut ndaj dhe mbi ta vendos Rrajat, Ndokët, Bajrat, vendos mafiozët më të rrezikshëm të Shqipërisë.

Ndaj dhe sonte u bëj thirrje banorëve të veriut, kudo që ndodhen, në Tiranë, Krujë, Kurbin, Mirditë, Dibër, Mat, Shkodër, Pukë, Kukës, Tropojë, Has kudo që janë, ti japin këtij pushtuesi atë që i kanë dhënë pushtuesve në të gjitha kohërat.

U bëj thirrje të ngrihen fuqishëm për të mbrojtur dinjitetin e tyre, qenien e tyre, për të mbrojtur kombin shqiptar, për të mbrojtur interesat e Shqipërisë.

Ai që i diskriminon, ai që i poshtëron, ai meriton përgjigjen që të mos mund të guxojë më, akte të tilla.

Ndaj dhe ftoj të gjithë banorët e këtyre zonave, të ngrihen në këmbë, me zemërim, me revoltë, të ecim drejt qeverisë teknike për një Shqipëri që nuk diskriminon qytetarët në veriorë, jugorë.

Për një Shqipëri që nuk diskriminon me krahinë dhe besime fetare.

Për një Shqipëri të qytetarëve të barabartë para ligjit.

Për një Shqipëri ku qytetarët vendosin me vullnetin e tyre të lirë.

Për një Shqipëri ku ndodh ndryshimi i pushtetit me votën e lirë, fitorja e opozitës.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco