Berisha: Irena me 3 mbiemra, në bisedë me Alket Hysenin për 500 mijë euro ryshfet... Altin mercenari fsheh regjistrimet

22:06, 23/08/2024
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, ka ngritur shqetësimin për censurimin që u bëhet sot shqiptarëve, më e pashembullta sipas tij, që prej kohës së diktaturës. Sipas Berishës, qytetarët shqiptarë janë subjekt i një agresioni të paparë mediatik, nga propaganda e Ramës dhe e qeverisë së tij, me qëllimin e vetëm për t’i mashtruar ato.

Lideri i opozitës u ndal sërish te trafiku i mbetjeve toksike, ku tha se Rama dhe intitucionet që ai urdhëron, kërkonin me çdo kusht që të përfshinin në aferën e transportit të lëndëve toksike, edhe Kosovën.

Gjithashtu Berisha ka denoncuar kryeministrin Edi Rama se i paguan kompanisë së Vilma Nushit për qindra mijëra analiza të pa bërë të check up. ‘Rama i paguan Vilma Nushit, 1 milionë e 80 mijë analiza të check up, edhe kur ajo bën gjithsej 450-500 mijë analiza’, theksoi Berisha.

Duke u ndalur te skandali i sterilizimit, Berisha theksoi se çmimi u rrit 83 herë. ‘Çmimi u rrit 83 herë, 1 mijë të sëmurë mbeteshin çdo vit pa operacion në mëshirë të fatit’, u shpreh kryetari i PD-së në fjalën e tij.

Lideri i demokratëve, ka vijuar me denoncimin e skandaleve të qeverisë së Edi Ramës dhe Ministrisë së Shëndetësisë, në lidhje me futjen në përdorim të 1 milionë euro ilaçe të skaduara, mjekim jetik për fëmijët shqiptarë. ‘Gazhelja e Edi Ramës ndryshoi datën, për të futur në përdorim 1 mln euro ilaçe të skaduara, mjekim jetik për fëmijët shqiptarë’, nënvizoi kryedemokrati Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar.

Berisha denoncoi Ramën, se në momentin që erdhi në pushtet ndërroi ligjin e barnave në Shqipëri, duke i hapur rrugë ilaçeve pa kriter. ‘Sapo Edi Rama erdhi në pushtet ndryshoi ligjin e barnave dhe Shqipëria u bë koshi i mbetjeve mjekësore të të gjithë botës’, u shpreh Berisha.

Një tjetër denoncim i Berishë ishte për gjyqtaren e GJKKO-së, Irena Gjoka, e cila dirigjohet nga kryeministri Edi Rama për biseda me ish-deputetin e PS-së, Alket Hysenin ku flitet për ryshfet në shuma marramendëse për ta hequr si grup kriminal. ‘Irena me 3 mbiemra, a ke ti ndonjë bisedë me Alket Hysenin në të cilën flitet për 500 mijë euro ryshfet për ta hequr si grup kriminal’, theksoi Berisha.

Në fund të fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha akuzoi drejtëpërdrejtë drejtuesin e SPAK, Altin Dumanin, se me urdhër të Ramës, fsheh regjistrimet që inkriminojnë gjyqtaren e GJKKO-së, Irena Gjoka. ‘Altin mercenari me urdhër të Ramës, fsheh regjistrimet që inkriminojnë këmbë e kokë Irena Gjokën’, theksoi Berisha në fund të fjalës së tij në tubimin qytetar.  

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, ju qëndrestarëve dhe qëndrëstarëve të pamposhtur të kauzës së drejtë të çdo shqiptari të ndershëm, atdhetar, të kauzës së lirisë, demokracisë, shpresës dhe të ardhmes së shqiptarëve.

Kauza që mbroni ju sot është kauza e çdo shqiptari të ndershëm, e çdo demokrati e demokrateje, e çdo opozitari dhe opozitareje, e çdo qytetari pa partia, apo socialist i zhgënjyer i këtij vendi.

Kjo kauzë është kauza kundër botës së krimit, drogës dhe vjedhjes së shqiptarëve, kundër regjimit të krimit, vjedhjes dhe drogës, kundër diktaturës së bazuar në aleancën me krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë.

Miqtë e mi!

Sot qytetarët shqiptarë jetojnë në një censurë të pashembullt që nga koha e diktaturës.

Ata janë subjekt i një agresioni të paparë mediatik, nga propaganda e Edi Ramës, qeverisë së tij, papagajve që paguhen me paratë e qeverisë për të kaluar nga studio në studio, me qëllimin e vetëm për të mashtruar shqiptarët.

Të mediave qeveritare që ushqehen si shushunja me paratë e taksëpaguesve nga qeveria, me qëllimin e vetëm për sulmuar opozitën, për të mashtruar qytetarët.

Ndaj dhe protesta juaj, revoltar juaj është e një rëndësie jetike për vendin dhe për kombin shqiptar.

Të dashur miq!

Në këtë regjim e kërcënuar gjer në palcë nuk është vetëm gjendja ekonomike, nuk janë vetëm liritë dhe të drejtat. E kërcënuar gjer në palcë në këtë regjim është vetë jeta e shqiptarëve.

Në një vend ku 18% e fëmijëve nuk marrim dot më shumë se 1 apo 2 vakte në ditë, në atë vend ulërijnë sirenat e urisë, sirenat e skamjes.

Natyrisht për ata që kanë veshë dhe i dëgjojnë, për ata që kanë zemër, kanë ndjenja, por jo për shushunjat, jo për qeveritarët për të cilët qytetarët nuk ekzistojnë, për të cilët jeta e tyre nuk ka vlerë.

Debat i madh, diskutime, artikuj në Shqipëri dhe në botë për kontrabandën, për trafikun e lëndëve helmuese, eksportin e tyre nga Shqipëria.

Para katër ditësh, ministria e Mjedisit mashtroi shqiptarët se ata nuk kishin dhënë autorizim, rezulton se ajo ministre e antimjedisit për të cilën jeta e qytetarëve nuk ka ndonjë vlerë, kishte dhënë me vulë dhe me firmë, licencën dhe autorizimin.

Por përsëri, ju them, akti më i paimagjinueshëm ishtë ndërrimi i kodeve nga lëndë helmuese, në lëndë jo helmuese. Nga lëndë të rrezikshme në lëndë të parrezikshme.

Nuk ka akt më kriminal se ky. Kjo tregon se përfaqësuesi i Edi Ramës është aty për të lejuar, për të falsifikuar, për të maskuar, çdo lloj trafiku në Shqipëri.

Miqtë e mi!

Diabolik dhe antishqiptar, ç’njerëzor dhe të pamëshirë, donin të përlyenin eksportin e mineraleve nga Kosova me eksportin e lëndëve helmuese, të fshehura me etiketë si jo helmuese, nga mafia qeveritare shqiptare.

Këta nuk kanë asnjë lloj ndjenje për jetën dhe shëndetin e shqiptarëve.

Çdo ditë në këto kohë keni dëgjuar drama të mëdha të të sëmurëve më sëmundje të rënda, të cilët vdesin sepse nuk marrin dot ilaçet, jetike për mjekimin e sëmundjes.

Të cilët vdesin sepse nuk marrin dot dozën për ¼ e saj.

Të cilët vdesin sepse aparaturat për muaj e muaj, vite e vite të importuara për mjekim, për diagnozë janë jashtë funksionit sepse nuk rregullohen.

Edi Rama në një akt pa përgjegjshmërie absolute i vuri kazmën sistemit shëndetësor.

Nuk them se mjekësia nuk ka patur të meta, por nuk kanë munguar kurrë ilaçet bazë. Këtu janë le ti nxjerrin. Përkundrazi ua them ju këtu, se importonim edhe ilaçet më të kushtueshme kur ato ishin të një rëndësie parësore për jetën e të sëmurëve.

Madje në raste të caktuara edhe ilaçe të caktuara vende të tjera edhe më të pasura se ne nuk i rimbursonin.

Çfarë ndodhi?

Së pari u premtua shëndetësia falas dhe u angazhua vjedhja me të gjitha mënyrat me sistemin falas. Edi Rama vuri në krye të shëndetësisë një nga hajdutët më të shpërfytyruar, një nga qëniet njerëzore më të turpshme, Ilir Beqajn, me të cilin vendosën check up-in, vjedhjen e tmerrshme.

Çdo check up, proces të cilin nuk e bëjnë vendet e pasura, e bën vetëm Edi Rama që do të vjedhë me bashkëshorten e kushëririt të vet, çdo check up, ka një çmim të paktën 4 herë më shumë se kostoja.

S’është kjo.

Edi Rama me Beqajn e tij, këtë qenie pa ndërgjegjie njerëzore, firmos se do ti paguajë Vilma Nushit, 1 milionë e 80 mijë analiza, edhe kur ajo bën gjithsej 450-500 mijë analiza.

A ka krim më të shëmtuar apo jo.

Check up në këtë mënyrë nuk katërfishohet, në këtë mënyrë tetëfishohet. Por në këtë mënyrë, kontoja bankare e vampire Nushit dhe kushëririt të burrit të saj, Edi Rama, fryhet e fryhet pa fund.

Paratë nuk mbeten për të sëmurët, paratë i grabit Edi Rama me klanin e tij.

Miqtë e mi!

Ju duhet të dini se sterilizimi është një proces që është kryer sipas mjeteve të kohës që kur është instaluar kirurgjia në Shqipëri, gjatë luftës së parë botërore dhe më vonë.

Sterilizimi ka ardhur gjithmonë duke u modernizuar.

Në vitin 2010-2011 importuam aparatuar digjitale më moderne të kohës për procesin e sterilizimit.

Ndërkohë në të gjitha spitalet, në të gjitha repartet funksiononin autoklavat, sterilizatorët dhe natyrisht do të kalohej në një teknologji të re.

Në vitin 2011 unë kisha një këshilltar të huaj në kryeministri për mbetjet spitalore, i paguar nga Komisioni Europian. Irlandezi konstatoi se mbi 90% të spitaleve kishin kaldajat e djegieve të mbetjeve spitalore.

Kishin kaldajat e djegieve të mbetjeve spitalore.

Në rastin e sterilizatorëve u mbyllën të gjitha, e mori kompania e muratorit të Edi Ramës me Beqajn, rritën 83 herë çmimin e sterilizimit, i dhuruan kompanisë të gjithë aparaturën moderne që importuam, i dhuruan një kat të tërë dhe lokale të tjera në bazë spitale, dhe çfarë sollën?

Sollën që me çmimet e reja, spitalet nuk paguanin dot setet e veglave të sterilizuara për operacione. Mesatarisht sipas KLSH-së, 1 mijë të sëmurë mbeteshin çdo vit pa operacion në mëshirë të fatit.

Miqtë e mi!

Po analizat. Do të merrni vesh shumë gjëra. Analizat e sharlatanit bëhen me reagentë të skaduar, muaj dhe vite më parë. Paratë i merr Edi Rama, Ilir Beqaj, paratë i merr korba e koviditi.

Keni dëgjuar këto ditë dhe propaganda e qeverisë ka vendosur në epiqendër mjerisht, jo përgjegjësit e vërtetë të dramës jetësor që zhvillohet në sistemin e drejtësisë, por mjekët, infermierët. Unë nuk them se nuk ka mjek, se nuk ka infermiere që nuk shkelin betimin e Hipokratit që nuk shkelin parimet e humanizmit, dhe ata duhet të ndëshkohen me forcën e ligjit.

Por ju garantoj ju se gjer sot akuzat monstruoze të faktuara të konstatuara mbi jetën e të sëmurëve janë përgjegjësia absolute e ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtorisë së Spitalit.

Po miq është ministria, është drejtoria ajo që është e detyruar të sigurojë çdo ilaç.

Është ministria, është drejtoria ajo që është e detyruar të rregullojë çdo aparat që bie në defekt dhe të blejë çdo aparaturë të re.

Është ministria ajo që bën shpërndarjen dhe planifikimin.

Por ministria, vjedh dhe vetëm vjedh.

Drejtoria e përgjithshme e spitalit, vjedh dhe vetëm vjedh.

Gazheli ndryshoi kodin për helmet në Durrës, Gazhelja e Edi Ramës ndryshoi datën e skadimit, kodin, për të futur në përdorim 1 mln euro ilaçe të skaduara, mjekim jetik për fëmijët shqiptarë.

Është kjo qeveri me politikat që ka ndjekur, që ka zbrazur, ka larguar nga Shqipëria me mijëra mjekë dhe infermiere.

Është kjo qeveri që me vjedhjet e saj, është korba e kovidit që me vjedhjet e saj, bëri që Shqipëria të ketë një vdekshmëri dy herë më të lartë se Kosova, dy herë më të lartë se Maqedonia, ndër më të lartat në botë nga kovidi, në një kohë që shqiptarët shpenzuan në tendera mbi 500 milionë euro për luftën kundër kovidit.

Miqtë e mi!

Sot shqiptarët marrin ilaçe të skaduara, marrin ilaçe pa esencë ilaçi. Sot mblidhen magazinat e fundit të botës dhe eksportohen në Shqipëri.

Në një kohë që ju e dini, një nga aktet e para ne ndaluam importin e çdo ilaçi, e çdo gjilpëre, e çdo tableti, nga vende dhe kompani që nuk pranoheshin nga BE-ja apo Enti Amerikan i Ushqimit dhe Ilaçeve. Ne me këtë ligj vërtetë vendosëm të shpenzojmë më shumë për rimbursimin e ilaçeve të rimbursueshme, vendosëm të shpenzojmë më shumë për mjekimin e çdo të sëmuri me ilaçe të standarteve të njëjta me ato të BE-së.

Por kjo ishte jeta, kishim të bënim me jetën e të sëmurëve, dhe nuk mendonim ne të pasuronim shushunja, vampirë siç është Beqaj, siç është Tom Doshi, siç është Vilma Nushi.

Edi Rama sapo erdhi ndryshoi ligjin dhe kompanitë e mëdha të cilat të gjitha kishin zyra në Tiranë, njëlloj si në kryeqytete të tjera u larguan një e nga një nga Shqipëria, sepse Shqipëria me Edi Ramën u bë koshi i mbetjeve mjekësore të të gjithë botës.

Pra kjo gjendje dramatike, kjo gjendje në të cilën jeta e qytetarëve është më e pasigurtë se kurrë.

Më e pasigurtë në spitale.

Më e pasigurtë në shtëpitë e tyre.

Më e pasigurtë në mjedisin e tyre është një emergjencë kombëtare, është një kushtrim për çdo shqiptar të marrë pjesë në këtë betejë pa kthim, në këtë betejë të pandalshme për qeveri teknike.

Miqtë e mi!

Ju jeni shpresa e fundit, nuk ka shpresë tjetër, por ne do të fitojmë.  Ne do të fitojmë, ne do të hedhim në koshin e plehrave të historisë Edi Ramën, organizatën kriminale të skrapit të tij. Narkogjykatës dhe narkoprokurorë të drejtësisë sorosiane që u privuan shqiptarëve drejtësinë që janë shndërruar në paterica kriminale të diktaturës ndaj shqiptarëve.

Do ta mbyll, ti shtroj një pyetje gjykatëses bandite me tre mbiemra: A ke ti ndonjë bisedë me Alket Hysenin në të cilën flitet për 500 mijë euro ryshfet për ta hequr nga klasifikimi si grup kriminal.

Apo e ke me Mirel Mërtirin? Me cilin prej këtyre të dyve e ke ti Irena me katër mbiemra, Irena me katër fytyra.

Miqtë e mi!

Nëse Irena është me katër fytyra, Altin Dumani është me pesë fytyra i pafytyrë.

Altin Dumani ky mercenar që mbulon krimet e tij dhe vërtitet në skrap si prokurori amerikan. Ky horr pa moral fsheh regjistrimet që inkriminojnë këmbë e kokë Irena Gjokën. I gjithë skrapi ushton dhe i dinë regjistrimet.

Mercenar Dumani që hiqet si prokurori amerikan, ky lake pa kushtetutë dhe moral, mendon se atë nuk e njohin, nuk e dinë çfarë fundërrine është me dhjetëra e dhjetëra punonjës në atë ndërtesë.

Zbaton verbërisht urdhërat e Edi Ramës, mbron një delikuente që i ka ryshfetet nga 500 në 1 milionë vetëm e vetëm për qëllime politike, për urdhër të Edi Ramës. Qëndron në detyrë pa votat e kërkuara nga kushtetuta.

E garantoj se do të ketë fatin e Edi Ramës, i lidhur dhe të jeni të sigurtë ju, se vërtetë Xhorxh

Soros është një nga kapot e mafias më të rrezikshme të kohës, por Amerika është Amerikë dhe nuk përfaqësohet vetëm nga Soros.

Dhe ata që përdorin, ata që përdorin Amerikën për mburojë, për të mbuluar krimet e tyre, do të marrin ndëshkimin që meritojnë në Shqipëri dhe në Amerikë dhe kudo.

Edhe njëherë nderimin tim më të madh për ju, mirënjohjen më të pakufishme.

Fitore, fitore, fitore!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco