'Në Onkologjik, çmenduri, nuk ka medikamente', gazetari i bën thirrje mjekëve: Flisni, ngrini zërin!

'Në Onkologjik, çmenduri, nuk ka medikamente', gazetari i bën thirrje mjekëve: Flisni, ngrini zërin!

11:15, 23/08/2024
A+ Aa A-

"Thirrje njerëzore për mjekët e Onkologjikut. Situata në Onkologjik është bërë përtej skandalit. Është bërë e frikshme, çmenduri."

Nga Osman Stafa.

Të nderuar mjekë!

Ju nuk jeni aspak përgjegjësit e mungesës së medikamenteve kimio. Ju shkruani recetën për pacientin që vuan nga kanceri dhe më pas s'keni gjë në dorë për sigurimin e ilaçit. Ka, bëhet kimio. Nuk ka, e shtyni terapinë. Patjetër, s'është përgjegjësi juaja, sigurimi i ilaçeve.

Të nderuar mjekë të Onkologjikut!

Shefat, drejtorët,  ministrat, qeveritë, ikin e ndërrohen, ndërsa ju jeni ata të cilët do të jeni aty, do të mbani atë shërbim.

Ju jeni shpresa e pacientëve që vuajnë nga kanceri, dora që shtrihet, bluza e bardhe që shihet si shpëtim.

Mos i tradhtoni ata që ju besojnë jetën!

Mos u bëni palë me të keqen!

Ju bëni pa sistemin, sistemi nuk bën pa ju!

Ju bëni pa drejtorin, ministrin, kryeministrin - ata nuk bëjnë dot pa ju!

Ata po ju kthejnë në kriminelë dhe ju nuk reagoni. I gjithë mllefi përplaset te ju.

Pse duhet të merrni ju përsipër mëkatet e dikujt tjetër, që nesër do të ikë dhe do të jetojë i qetë me milionat e fituara dhe do të vijë dikush tjetër që do të pasurohet mbi stresin tuaj të përditshëm?!

Kush do të guxojë të prekë një mjek nëse flet?!

Po të jeni të gjithë bashkë, kush do guxojë t'iu heqë njeri nga puna?! Jeni shpresa e një populli të tërë kundër këtij sistemi të kalbur shëndetësor!

Ju jeni aleatët e pacientëve në këtë betejë, jo armiqtë e tyre!

Armiqtë tuaj dhe të pacientëve janë ata që ju lënë pa ilaçe, pa kimio!

Çfarë bëjnë ushtarët kur gjeneralët i lënë në luftë pa armë?! - Bëhen palë me armikun apo bëjnë kryengritje dhe ndërrojnë gjeneralët?!

Edhe juve, ju kanë marrë “armët” (mungesa e ilaçeve kimio) për të bërë betejën tuaj. Dhe ju nuk jeni ushtarë, por jeni të gjithë gjeneralë.

Niseni këtë betejë dhe nuk do të jeni vetëm. Do të keni mbështetjen e çdokujt.

Shumë prej jush i njoh edhe pse jo personalisht. Më kanë treguar pacientët për ju. Dhe jo një, por shumë.

Më kanë treguar kolegë tuajt për ju, njerëz që unë u besoj. Dhe di që aty ka njerëz me integritet, mjekë e infermierë. Njerëz me ndërgjegje.

Të nderuar mjekë të Onkologjikut!

Kur juve jeni në merak e të shqëtësuar për shumë pacientë që mbeten pa kimio, ata që janë fajtorët e vërtetë flenë të qetë.

Kur ju rrezikoni jetën tuaj me rrezatim, apo se jeni mes kimiove, apo ju lënë edhe pa kondicionerë, ata që ju lënë kështu, shijojnë pushimet luksoze brenda e jashtë Shqipërisë.

Kur ju mërziteni, ndoshta edhe prekeni, se një pacient ju ikën nga duart dhe juve ju duket vetja si fajtor, fajtorët e vërtetë të vrasjes mbushin xhepat nga dhimbja juaj. (Rastet kur ka pasur mungesa të kimiove).

Ju më mirë se unë, e dini prej sa kohësh ka mungesa medikamentesh kimio.

Ju e dini sesa herë ju është dashur të shtyni mjekimet për pacientët.

Ju e dini sesa herë u është kërkuar, edhe të mos jepni terapi të plotë, se nuk ka, apo t'i mbani vetëm për raste urgjente.

Ju e dini që në fund të muajit u kërkohet të mos bëni analiza, se ka kaluar limiti.

Dhe nëse ju nuk reagoni sot, drejtori i radhës, ministri i radhës, pushtetari i radhës do të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë.

Ngrini zërin sot, që zëri juaj të bëhet mësim për ata që do të vijnë nesër.

Flisni, pasi nesër mund të jetë shumë vonë!

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco