FOTO/ Shefi i CIA, William Burns, takohet me kryeministrin Albin Kurti Shefi i CIA, William Burns, shihet duke u larguar nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, pas takimit me Albin Kurtin, 23 gusht 2024.

FOTO/ Shefi i CIA, William Burns, takohet me kryeministrin Albin Kurti

10:23, 23/08/2024
A+ Aa A-

Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, është takuar me kryeminsitrin e Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin e 23 gushtit, raportojnë gazetarët e Radios Evropa e Lirë.

Takimi nisi rreth orës 09:00 dhe Burns u pa duke u larguar nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës rreth një orë më vonë.

Një ditë më herët, Burns u takua në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.

Rreth takimeve të së enjtes nuk është deklaruar askush nga palët.

Kryeministri Kurti gjatë kësaj jave ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik, përcolli nga afër Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë pason vizitat që zyrtari kryesor i inteligjencës amerikane zhvilloi në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.

Në Sarajevë më 20 gusht, Burns u takua me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Almir Xhuvo, dhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Denis Beqiroviq, Zhelko Komshiq dhe Zhelka Cvijanoviqit, anëtaren serbe të sanksionuar nga SHBA-ja.

Nga Qeveria amerikane i thanë Radios Evropa e Lirë se gjatë takimeve në Sarajevë "ata diskutuan për çështje me interes të përbashkët, të cilat përfshijnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës".

Gjatë vizitës, sipas zytarit amerikan, Burns diskutoi edhe për retorikën secesioniste dhe veprimet e Millorad Dodikut, presidentit prorus të entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska.

Një ditë më vonë, Dodik deklaroi se “nuk e kam kundërshtuar kurrë” sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit, ndërkaq shkëputja “nuk ka qenë kurrë politikë e jona”.

Sa i përket vizitës në Beograd, nuk dihet se me kë është takuar Burns.

Vizita e Burnsit në Kosovë vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.

SHBA-ja dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian e kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.

Ndërkaq, Departamenti amerikan i Shtetit i ka kërkuar Qeverisë Kurti që të rikthehet në “angazhim konstruktiv dhe të ngushtë” me Uashingtonin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, teksa Uashingtoni po ashtu po kërkon që institucionet e Kosovës të mos e hapin për qarkullim urën mbi lumin Ibër, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.

Pavarësisht se vizita e tij në Kosovë nuk u konfirmua, në mesditën e 22 gushtit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari", gazetarët e Radios Evropa e Lirë panë një avion të ushtrisë amerikane të ndalur në zonën "VIP" të aeroportit.

[Avioni i ushtrisë amerikane në Aeroportin e Prishtinës më 22 gusht.]
Avioni i ushtrisë amerikane në Aeroportin e Prishtinës më 22 gusht.

Me këtë avion, besohet se Burns ka udhëtuar edhe në vende të tjera të rajonit. Ndërkaq, sipas ueb-faqe për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar, ky aeroplan futuroi më 22 gusht nga Beogradi drejt Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe në fund Kosovës.

Burns është ish-ambasador i SHBA-së në Rusi. Ai është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pasi ai është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.

Ai u emërua nga presidenti Biden në postin e drejtorit të CIA-s në janar të vitit 2021.

Image

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, po shoqëron kreun e CIA-s, William Burns, në takimin e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco