'Rend dhe siguri: Prioriteti që na kthen nga tribu krimesh në shtet'

'Rend dhe siguri: Prioriteti që na kthen nga tribu krimesh në shtet'

08:02, 23/08/2024
A+ Aa A-

Shqipëria, një territor pa shtet.

Nga Xhuljana Dreshaj dhe Pranvera Shehaj, anëtare të Departamentit Brain Gain, Partia Demokratike

Qoftë duke i dhënë peshë shkencave politike, apo duke i dhënë peshë sociologjisë, përkufizimi i shtetit mbetet po njësoj. Nëse do të mbesnim tek Weber, një shtet modern e bën të tillë suksesi në monopolin e përdorimit legjitim të forcës fizike brenda një territori të caktuar, duke shpronësuar mjetet e organizimit dhe dominimit politik, përfshirë dhunën. Weber ndahej prej Hobbes, i cili sugjeronte se shteti është aktori i vetëm që mund të ushtrojë monopolin legjitim të forcës, dhe ky monopol i kërcënohet vetëm në dy raste: nga rritja e kompanive private të sigurisë ose nga krimi i organizuar.

Vendi ynë, edhe pse jo siç do të donim e do të duhej, e ka të përcaktuar qartë territorin e tij, por më të denigruar e më të përdhosur se kurrë më parë nocionin e shtetit. Sfiduesit e këtij nocioni kanë mbetur në Shqipëri krimi i organizuar, ashtu sikurse krimi ordiner. Sipas “Global Organized Crime Index”, projekt kryesor i Iniciativës Globale kundër krimit të Organizuar Transnacional (GI-TOC), për vitin 2023, sa i përket tregjeve kriminale dhe aktorëve kriminalë, indeksi për Shqipërinë ishte 5.17, më lart se mesatarja e indexit për Evropën (4.74). Në raport, Shqipëria përkufizohet si vend burimi, tranziti dhe destinacioni për trafikimin e qenieve njerëzore me aktorë kriminelë shqiptarë si përgjegjës për një numër të madh viktimash trafikimi gra dhe fëmijë nga Shqipëria drejt Evropës Perëndimore, por edhe destinacion trafikimi njerëzor për emigrantë të ardhur nga Azia. Ndër të tjera, vendi përshkruhet në 2023 si territor tranzit për trafikimin e kokainës, ashtu sikurse burim furnizimi me kanabis për tregun europian.

Edhe pse me impakt po aq të fortë në jetën e përditshme, krimi i organizuar nuk e tejkalon dramën që ka sjellë për shoqërinë shqiptare dhe bërthamën e saj, familjen, krimi ordiner. Krimi në familje, vrasjet me dashje të familjarëve, dhuna dhe përdhunimet ndaj vajzave dhe grave (159 gra dhe vajza të vrara nga partnerët ose bashkëshortët në 13 vitet e fundit), dhuna dhe përdhunimet e fëmijëve e të miturve (60% e krimeve seksuale kryhen ndaj fëmijëve ku pothuajse një në çdo dy fëmijë vuan nga sulmet fizike ose psikologjike sipas Instat), trafikimi dhe prostitucioni me detyrim brenda familjes si dhe incesti, kanë shkatërruar në themel besimin se në Shqipëri jeta ka vlerë, shteti ka forcë, krimi ka frikë, shoqëria ka moral.

Efekti psiko-social i një vendi ku sundon krimi

Një territor ku sundon krimi i çfarëdolloj forme ushqen plagën më të dhimbshme të Shqipërisë sot, shpopullimin. Përpos analizave ekonomike e politike, lidhja mes krimit dhe shpopullimit më së shumti ka një shpjegim shterues në aspektin psikologjik. Të gjithë kemi dëgjuar për raste ku shpesh, qytetarë shqiptarë me mirëqenie ekonomike vendosin të largohen nga vendi. Profesionistë të fushave të ndryshme, pedagogë, mjekë, biznesmenë dhe sipërmarrës të profileve të ndryshme vendosin të ndriçojnë diku larg atdheut, diku rrugëve të botës sepse Shqipëria nuk ua deshi shkëlqimin. Abraham Maslow, një psikolog i njohur amerikan, propozoi “Hierarkinë e Nevojave”, e cila përshkruan nivelet e nevojave njerëzore që duhet të plotësohen për të arritur vetë aktualizimin. Bazuar tek analiza e tij si një kornizë teorike mbi të cilën janë bërë kërkime dhe studime të shumta, kuptojmë që pas plotësimit të nevojave fiziologjike, nevoja për siguri bëhet prioritet. Si mund të ndiejnë siguri shqiptarët në një vend ku fjalën e fundit e thotë krimi, në një vend të vjedhur dhe të korruptuar, në një vend ku as ‘Betimi i Hipokratit‘ nuk mjafton për të garantuar besnikëri profesionale dhe humanizëm të bluzave të bardha, në një vend ku drejtësia është e kapur peng nga gjyqtarë të korruptuar, ku familja, gratë dhe fëmijët nuk janë më toka e minuar ku krimi s’do të duhej të guxonte, ku burgoset kundërshtari politik, në një vend ku krimi i organizuar është i vetmi investitor dhe ku bandat përcaktojnë kryetarët e tyre të bashkive. Sa të sigurtë jemi ne kur ecim në rrugë, apo çfarë ndjesie na përcjell ideja që bandat, vrasësit, përdhunuesit dhe kriminelët qarkullojnë të lirë, krenarë dhe arrogantë sepse e dinë që shteti i mbron, nuk i dënon, ose dhe nëse nuk i mbron, ai thjesht s‘mund të jetë aty ekzistent.

Propozim

Një qeveri e zotuar për rikthimin në shinat e shtetit ligjor në kuptimin thelbësor të tij, do të duhet të vendosë në epiqendrën e vëmendjes së saj sigurinë, si thelbësore për zbatimin efektiv të politikave të suksesshme dhe mirëfunksionimin e përgjithshëm të institucioneve demokratike. Hapi i parë mund të jetë krijimi i “Policisë Pranë, një polici që mbron nuk sundon” bazuar mbi shembujt më të mirë të reformave të policisë në shtetet e BE (si policia e proksimitetit në Francë, Hungari, etj), për konsolidimin në terren të një force policore që do të ndryshojë fytyrën, mentalitetin dhe mënyrën e veprimit të saj. Siguria e qytetarit është proporcionale me numrin e policëve të pranishëm në zonën/lagjen/rrugën ku gjendet vendbanimi, andaj PD në pushtet, si e vetmja alternativë me forcën për të bërë ndryshimin do të duhet të investohet në rritjen e dukshme të prezencës së policisë në zonat e banuara aq sa çdo qytetar ta ndjejë se është një polic lehtësisht i arritshëm në detyrë fare pranë banesës së tij për ta mbrojtur, dhe jo në rrugën qëndrore vetëm për ta gjobitur, apo në protestë për ta dhunuar. “Policia pranë” përmes një zyre permanente të instaluar në çdo lagje 24/7 do të jepte një mesazh të dyfishtë: sinjalizon krimin se territori është nën zotërimin e shtetit, sinjalizon qytetarin shqiptar se është më vigjilente, më afër, më e shpejtë për të parandaluar cënimin e sigurisë së tij.

Së dyti, ashpërsimi i ligjeve për krime me pasoja të forta për familjen dhe shoqërinë, të cilat shkatërrojnë familjen, vlerat dhe themelet e saj, duke tronditur  thellë besimin në një shoqëri të shëndetshme, shihet si i një rëndësie jetike dhe detyrë ndaj rimëkëmbjes së bërthamës së shoqërisë. Simptoma e një shteti të sëmurë, që ekspozoi dhe braktisi qytetarin përballë krimit që nuk ndalet në familje, në shkollë, në punë, në rrugë, është ligji i dobët. Krimet e forta duan ligje të forta dhe vendi ka nevojë për praninë e shtetit të fortë që rikthehet në funksionin primar të monopolit të ushtrimit të forcës për të mbrojtur jetën. Me këtë qëllim është primar ashpërsimi i kodit penal për dy llojet e krimeve: krimin me pasojë vdekjen brenda familjes dhe krimin ndaj të miturve (dhunë fizike dhe seksuale, vrasje dhe pedofili). Në të dyja këto raste ashpërsimi i kodit penal duhet të konsistojë në zbatimin në masë të institucionit të dënimit me burgim të përjetshëm.

Ndjenja e sigurisë  është thellësisht e lidhur me cilësinë e jetës dhe lumturinë. Vetëm kur kjo arrihet, i hapet rrugë fokusimit në rritjen personale, zhvillimin profesional, apo përfshirjen në komunite. Si përfundim, një shtet ku mbizotëron rendi dhe siguria përmirëson reputacionin ndërkombëtar, kaq i rëndësishëm për të tërhequr investime, turizëm cilësor dhe ura diplomatike.

Image

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco