'StAR: mundësi për rikthimin e pasurive të vjedhura - Të shkojë haka tek i zoti'

'StAR: mundësi për rikthimin e pasurive të vjedhura - Të shkojë haka tek i zoti'

09:04, 21/08/2024
A+ Aa A-

Aurora Barçi/ Anëtare e Departamentit Brain Gain

Shqipëria ka vite që përballet me sfida serioze të lidhura me korrupsionin dhe ndikimin e rrjeteve mafioze, të cilat kanë ndikuar në mënyrë të ndjeshme peizazhin politik dhe social të vendit.

Kryeministri "Tepsia", i cili erdhi në pushtet nën moton e një artisti revolucionar dhe kërkonte nga shqiptarët timonin për të drejtuar vendin drejt shpartallimit të krimit dhe korrupsionit, është kapur në një vorbull skandalesh që kanë nxjerrë në dritë problemet e thella, lidhjet me krimin dhe dështimin e Qeverisë së Rilindjes.

Dokumentari i transmetuar në "RAI", artikujt në median belge "RTL.be", skandali McGonigal, raportimet në "Bild" në Gjermani, skandalet e IPARD-it, skandalet e bujshme të inceneratorëve e mikrokredive, “pasaportave të arta”, e onkologjikut, rritja e pajustifikueshme e Lekut, kullat që nuk kanë blerës, por jo vetëm, kanë zbuluar përfshirjen e administratës së tij, nga ministrat deri tek ish-ministrat e ish -zv.Kryeministri dhe zyrtarë të Partisë Socialiste, në korrupsion, pastrim parash, trafik droge dhe skandale të tjera. Këto fakte kanë dëmtuar rëndë imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Raporti i vitit 2023 i përgatitur nga hetimet e SPAK-ut tregojnë se paratë e korrupsionit të zyrtarëve të lartë në shumicën e rasteve transferohen në llogari jashtë shtetit apo në kompani offshore.

Raporti thekson se subjektet kryejnë veprime të ligjshme në dukje për përfitim të paligjshëm, duke legalizuar veprimet e përfituesve të fondeve publike. Këto veprime përfshijnë ndërrime të aksionerëve dhe shoqërive tregtare, copëzim të transaksioneve dhe përdorimin e llogarive offshore. Skema e pastrimit të parave është komplekse dhe shërben për fshehjen e akteve korruptive dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

Në këtë kontekst, përqafimi i Nismës STAR (Stolen Asset Recovery Initiative) mund të jetë një hap vendimtar për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe për forcimin e ekonomisë. Kjo iniciativë, një bashkëpunim midis Bankës Botërore dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), synon rikthimin e aseteve të vjedhura nga korrupsioni  dhe përvetësimi i tyre për përdorim të drejtë në vendet e origjinës - “Të shkojë haka tek i zoti”. Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë nismë do të sillte përfitime të shumta për vendin tonë. Nisma StAR promovon bashkëpunimin ndërkombëtar në rikthimin e aseteve të vjedhura,ku vendet anëtare përfitojnë nga ndihma teknike dhe ekspertizat e vendeve të tjera dhe organizatave ndërkombëtare, duke ndjekur shembujt e vendeve si Peruja, Filipinet dhe Nigjeria, dhe me e rëndësishmja, do të siguronte që asnjë politikan (deri tek nivelet më të larta) apo kriminel i rëndomtë të mos mund t’ia hedhë paq vetëm me disa vite dënim. Koha e gjumit të qetë dhe sigurimit të brezave të ardhshëm duhet të marrë fund; tepsia është mbushur dhe po derdhet!

Shqipëria është një nga vendet më të korruptuara në Europë sipas (CPI - 2023  - 37/100 ; Rank  98/180) Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International. Korrupsioni ka depërtuar në sektorët më jetikë publikë, duke përfshirë politikën, shëndetësinë, gjyqësorin, arsimin, policinë dhe shërbimet civile.

Raporti i SELDI-it për vitin 2022 konstatoi se Shqipëria ka nivelin më të lartë të korrupsionit administrativ në Ballkanin Perëndimor, me 57% të qytetarëve që u kërkohet ryshfet dhe 47% që marrin pjesë në transaksione korruptive.

Indikatori i presionit për kapjen e shtetit nga bizneset e sheh Shqipërinë të shënojë 45%, më e larta në rajon, së bashku me Bosnjën dhe Hercegovinën. Faktorët që mundësojnë kapjen e shtetit arrijnë në 50%, pothuajse dyfish më të lartë se Kosova. Gjithashtu, raporti i fundit i DASH-it (2024) publikon raportin mbi të bërit biznes në të cilën kryefjala ishte se Shqipëria vuan nga një sektor i madh joformal dhe nga veprimtaritë e pastrimit të parave. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar një dëm ekonomik prej 72.3 miliardë lekësh për shkak të keqmenaxhimit të fondeve publike dhe shkeljeve ligjore të kryera nga administrata shtetërore dhe vendore gjatë vitit 2023.

Pasuritë e vjedhura nga liderët e korruptuar të Rilindjes janë të mëdha, por kostoja e vërtetë e korrupsionit tejkalon vlerën e këtyre pasurive. Kjo përfshin degradimin e institucioneve publike, dobësimin e klimës së investimeve private dhe korruptimin e shërbimeve bazë sociale si shëndetësia dhe arsimi, me një ndikim të thellë mbi të varfërit.  Një fjalë e urtë popullore thotë: "Kur komandanti e shkul një vesh rrushi, ushtari shkul hardhinë me gjthë rrënjë". Ky "dëm kolateral" rritet me kohëzgjatjen e mandatit të liderit të korruptuar.

Gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike nga viti 2005 deri në 2013, Shqipëria ndërmori një sërë reformash në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, duke krijuar indikatorë globalë dhe duke ndaluar e burgosur banda kriminale të fuqishme. Në këtë periudhë, Shqipëria u anëtarësua në organizata ndërkombëtare si Frontex dhe Interpol, dhe ndaloi skafet, duke rritur luftën ndaj krimit në rrugë detare.

Një nismë e rëndësishme ishte krijimi i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) në vitin 2008 në zbatim të Ligjit nr. 9284, e cila kishte si objektiv miradministrimi dhe përdorimi sa më efiçent, efektiv dhe ekonomik të pasurive të sekuestruara e të konfiskuara nga organet e drejtësisë dhe rikthimi në komunitet të këtyre pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme dhe kompensimi financiar i viktimave të krimit.

Për të luftuar korrupsionin dhe për të ndërtuar mbi nismat e mëparshme, PD-ja duhet të prioritizojë aderimin e Shqipërisë në Nismën StAR (Stolen Asset Recovery Initiative) në programin e saj elektoral për zgjedhjet vendore të vitit 2025. Aderimi në Nismën StAR është thelbësor dhe emergjent për të luftuar korrupsionin e përhapur në çdo qelizë dhe trajtimin e favorshëm të politikanëve dhe bosëve të drogës në Shqipëri.Skandalet që janë publikuar nëpër media tregojnë qartë se të burgosurit e profilit të lartë politik e mafioz  shpesh përfitojnë nga kushte të veçanta dhe ulje dënimesh. Kjo nismë do të trondiste "sigurinë" e parave të vjedhura të këtyre individëve të korruptuar, duke rritur frikën e ndjekjes penale dhe konfiskimit të pasurive të tyre të jashtëligjshme dhe parave që shpesh i kanë fshehur nëpër llogari offshore.

Aderimi i Shqipërisë në nismën StAR do të forconte sundimin e ligjit dhe do të dërgonte një mesazh të qartë se askush nuk është mbi ligjin. Asetet e rikthyera mund të përdoren për projekte zhvillimi në fusha kritike si infrastruktura, arsimi dhe shëndetësia. StAR do të përmirësonte imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë, duke treguar angazhimin e saj serioz në luftën kundër korrupsionit, për forcimin e institucioneve demokratike dhe transparencën, duke tërhequr investime të huaja dhe bashkëpunim  e zhvillim ekonomik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco