PD, Veliajt: Pse mungojnë në Tiranë, kopshtet dhe çerdhet publike? Pse shkollat me 2 turne?

PD, Veliajt: Pse mungojnë në Tiranë, kopshtet dhe çerdhet publike? Pse shkollat me 2 turne?

10:57, 20/08/2024
A+ Aa A-

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, z. Dorian Teliti, së bashku me këshilltarin Jonathan Pano, nënkryetar i Komisionit të Financave dhe Buxhetit në Këshillit Bashkiak të Tiranës i kanë kërkuar sot zyrtarisht me shkrim, kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, informacion të hollësishëm se si është përdorur taksa e përkohshme e infrastrukturës arsimore, pasi përsëri këtë shtator, në Tiranë ka ende shkolla me dy turne dhe lagje të tëra pa asnjë kopësht dhe çerdhe publike.

Në një deklaratë para media lidhur me taksën për arsimin, z. Teliti tha:

“Paratë janë paguar kokërr më kokërr, por investime nuk janë kryer. Pse bashkia e Tiranës nuk i ka kryer këto investime?

 Çfarë ka ndodhur me 55 milionë euro, përfshirë edhe vitin 2024?

Ku kanë shkuar këto para? A mos janë përdorur, ndoshta, në aktivitete të tjera të kryetarit të bashkisë dhe nuk janë destinuar në projekte investimesh për shkolla e kopshte?

Si është e mundur që po vjen shtatori 2024 dhe ne ende diskutojmë që shkollat të jenë me turne, që na mungojnë kopshtet dhe çerdhet, ku lagje të tëra nuk kanë asnjë kopsht apo çerdhe publike siç është zona e Astirit, kurora e liqenit të Tiranës apo Kodra e Priftit?

Si është e mundur që ne paguajmë 55 milionë euro për taksë infrastrukture të përkohshme arsimore vetëm për këto godina e bashkia e Tiranës vazhdon të marrë ambiente me qera, kosto shtesë për qytetarët e Tiranës?

Ne paguajmë 8-përqindshin e famshëm për ndërtimet infrastrukturore, që vetëm vitin e kaluar ishte 96 milionë euro. Sa qindra milionë euro ka vjelë Erion Veliaj nga viti 2016 deri tani?

Janë pothuaj 700 milionë euro. Bëjini llogaritë vetë. Me 700 milionë euro të dedikuar për të sjellë ujin, dritat, të bëjë kanalizimet dhe të japë ato shërbime që janë të detyrueshme me kushtetutë, si arsimi parauniversitar.

Si është e mundur që këto para merre nga bashkia për koncerte, aktivitete luksoze, çdo lloj aktiviteti që kushton dhjetar miliona euro dhe paratë nuk janë përkthyer në investime se ndryshe ne nuk kishim sot pse shtatori 2024 t’i presë fëmijët në shkolla me dy turne dhe ende me lagje që nuk kanë fare çerdhe e kopshte?! Pra, ne duam të bëjmë transparencë ku kanë shkuar dhe shpenzuar paratë e taksapaguesve.”

Shkresa drejtuar bashkisë.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco