Berisha: Sot fara e bllokmenëve ka asgjësuar votën e lirë, plaçkit dhe grabit çdo ditë pasuritë e shqiptarëve!

21:50, 17/08/2024
A+ Aa A-

Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha në fjalën e tij përpara protestuesve është shprehur se sot 17 gushti është një ditë në të cilën u martirizuan për t’u bërë të pavdekshëm nga terroristët e regjimit në vitin 1949, 14 burra mirditorë, antikomunistë, atdhetarë, të cilët u ekzekutuan me gjykatë ushtarake për një faj, që ata kurrë nuk e kishin kryer.

Berisha gjatë fjalës së mbajtur në ‘Rrugën e Shpresës’ u shpreh se masakra, ekzekutimi, varja e 14 burrave të Mirditës pa asnjë faj është një detyrim për çdo shqiptar që kurrë mos ta harrojë sakrificën e tyre. Fara e bllokmenëve ka asgjësuar votën e lirë dhe ka plaçkitur dhe grabitur çdo ditë pasuritë e shqiptarëve.

Kryedemokrati, Sali Berisha tha se kjo bandë kriminale nuk njeh ligj vendi, sepse ligjet e vendit detyrojnë një seri agjencish të kontrollojnë çdo gjë, çdo mall që prodhohet, çdo mall që eksportohet. Lidhur me skandalin e mbetjeve toksike Kryetari i opozitës iu drejtua Edi Ramës duke i thënë se, ato janë helme dhe ato lidhen direkt me të. Ky skandal nuk mund të mbulohet me heshtje.

Berisha vijoi me thirrjet e tij drejtuar qytetarëve për të vazhduar betejën të pamposhtur në mënyrë që të mposhtin Edi Ramën dhe bandën e tij

Fjala e plotë e Kryetarit të PD, Sali Berisha, në tubimin qytetar.

"Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen time më të pakufishme ju misionareve dhe misionarëve të kauzës së drejtë të shpresës, dinjitetit dhe lirisë së shqiptarëve.

Mirënjohje të pakufishme oratorëve të kësaj platforme të fjalës së lirë të qytetarëve shqiptarë.

Mirënjohje të pakufishme të gjithë atyre djemve dhe vajzave, burrave dhe grave që ngrihen si guximtarë kundër diktaturës së krimit, drogës dhe vjedhjes së shqiptarëve të Edi Ramës, në Tiranë, në Thumanë, në Maliq dhe kudo tjetër në Shqipëri.

Të dashur miq, sot 17 gushti është një ditë në të cilën u martirizuan për t’u bërë të pavdekshëm nga terroristët e regjimit në vitin 1949, 14 burra mirditorë, antikomunistë, atdhetarë, të cilët u ekzekutuan me gjykatë ushtarake për një faj, që ata kurrë nuk e kishin kryer.

Me 17 gusht në Qafë Valmirë, me një gjyq fars të kryesuar nga Bilbil Klosi me urdhër të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, u varën në litar ose u ekzekutuan me breshëri 14 atdhetarë mirditorë me akuzën false se ata kishin marrë pjesë në vrasjen e një terroristi tjetër, Bardhok Bibës, i cili u kishte prirë hordhive terroriste të regjimit në Mirditë.

E vërteta është se Bardhok Bibën e ekzekutoi me vendim Komiteti i Maleve, i cili luftonte me armë në dorë kundër regjimit komunist terrorist të Tiranës.

Dhe ky komitet kishte marrë përsipër botërisht aktin e ekzekutimit të sekretarit të partisë të Mirditës, Bardhok Biba për krimet që kishte kryer ndaj popullit të Mirditës.

Ndaj dhe sot le të nderojmë ne me një minutë heshtje martirizimin e Preng Dod Gjomarkaj, i varur në litar, Pjetër Vila, i varur në litar, Dod Mark Biba, i varur në litar, Pjetër Paloka, varur në litar, Nikollë Bardhok Bajraktari, ekzekutuar, Llesh Gjon Mëlyshi, ekzekutuar, Nikoll Lledh Bajraktari, ekzekutuar, Ndrec Mark Ndoji, ekzekutuar, Bardhok Dod Gjini, ekzekutuar, Gjok Gjin Kaçi, ekzekutuar, Gjergj Beleshi, ekzekutuar, Ndoc Çupi, ekzekutuar, Preng Shkurt Nikolli, ekzekutuar, Frrok Mata, ekzekutuar.

I përjetshëm mbetet mesazhi i martirëve të Qafë Valmirit.

Masakra, ekzekutimi, varja e 14 burrave të Mirditës pa asnjë faj është një detyrim për çdo shqiptar që kurrë të mos harrojë sakrificën e tyre.

Por kurrë të mos harrojë se ata që i ekzekutuan burrat e Mirditës më 17 gusht të vitit 1949 në Qafë Valmirë, ata sot janë përsëri në pushtet.

Sot, bastardi i familjes Klosi është sekretar i përgjithshëm i partisë së krimit.

Sot, Edi Rama është kryetari i kësaj partie, i ati i të cilit urdhëroi jo në vitin 1949, por në vitin 1988, po në gusht, varjen në litar publikisht të poetit disident Havzi Nela.

Asnjë njeri nga pasardhësit e xhelatëve Hoxha, Shehu, Klosi, Rama nuk ka kërkuar të falur për aktet mizore të paraardhësve të tyre.

Për aktet terroriste.

E vërteta është se sot Edi Rama nuk ekzekuton dot, por në aspekte të tjera nuk u lë gjë mangët paraardhësve të tij.

Sot Shqipëria është i vetmi vend në Europë që tre liderët e partive kryesore opozitare mbahen në arrest shtëpie, ndiqen penalisht, denoncohen publikisht për asnjë faj që ata të kenë kryer, por vetëm si kundërshtarë të Edi Ramës, si armiqtë e tij politikë.

Sot, fara e bllokmenëve krijoi rilindjen e bllokut, rilindjen e tyre, e cila asgjësoi në Shqipëri votën e lirë.

Plaçkit dhe grabit çdo ditë pasuritë e shqiptarëve. Nuk i internon ata, por i përzë ata nga vendi i tyre sa asnjë pushtim tjetër në histori.

Sot, një formë më e shëmtuar regjimi se çdo formë që ka ekzistuar më parë në Shqipëri është instaluar.

Një formë që po shkatërron kombin, po shkatërron Shqipërinë në çdo aspekt.

Sot është një ditë thirrje për të gjithë shqiptarët, të ngrihemi të pamposhtur kundër këtij regjimi që ndëshkon këtë komb.

Që grabit këta qytetarë.
Që plaçkit pasuritë e tyre.
Që konfiskon votën dhe liritë e tyre!

Ka pesë ditë që është zbuluar se Shqipëria eksporton helme, se Shqipëria përpunon helme.

Të gjitha mediat e botës qarkullojnë lajmin, kurse ai që pasurohet me helmet që eksportohen nga Shqipëria dhe regjimi i tij, nuk shqipëroi një fjalë të vetme.

Nuk flasin se çfarë janë këto lëndë helmuese. Nuk flasin se nga vijnë ato. Se ku prodhohen ato, se cilat janë certifikatat e tyre.

Kjo bandë kriminale nuk njeh ligj vendi, sepse ligjet e vendit detyrojnë një seri agjencish të kontrollojnë çdo gjë, çdo mall që prodhohet, çdo mall që eksportohet sepse ligjet e vendit detyrojnë respektimin e ligjeve ndërkombëtarë dhe ato nuk respektohen.

Shqipëria pra nxjerr në det ngarkesa që përbëjnë rrezik të madh për vendet e tjera, për mjedisin, por ka pesë ditë që Edi Rama merret me pastrimin nga njerëzit të plazhit të Gjipesë, që plaçkiti bashkë me familjen e tij dhe nuk u thotë shqiptarëve një fjalë të vetme, çfarë përmbajnë 100 kontejnerë që u nisën nga Durrësi?

Pse hesht? Janë sipërmarrje e jotja dhe e klaneve të tua, me të cilat pasuroheni si shushunja në kurriz të shqiptarëve.

Të kanë bykosur gojën me valixhe me euro.

Po ti Shqipërinë e ke shndërruar në një vend të rrezikshëm për qytetarët e saj. Në një vend të rrezikshëm për vendet e tjera dhe këtu nuk ndjehet, nuk shqipërohet asnjë fjalë.

Nuk shqipëron asnjë fjalë agjencia e mjedisit.

Nuk shqipëron asnjë fjalë narkopolicia.

Nuk shqipëron asnjë fjalë narkodogana, Porti i Durrësit, sikur ato janë nisur nga Marsi, sikur ato nuk janë nisur nga Shqipëria.

Edi Rama, ato janë helme dhe ato lidhen direkt me ty. Nuk mund të mbulosh këtë krim ti me heshtjen tënde. Me heshtjen vetëm se u fakton shqiptarëve se edhe helmet janë biznesi yt kundër tyre.

Ndaj të dashur qytetarë dhe qytetare, të vazhdojmë betejën tonë. Të vazhdojmë këtë betejë për të përzënë nga Shqipëria, për të përmbysur nga pushteti Edi Ramën, bandën e tij kriminale. Për t’i rikthyer shqiptarëve votën e lirë. Ndryshimin e pushtetit. Fitoren e opozitës.

Edhe njëherë, nderimin më të madh për ju.

Mirënjohjen më të pakufishme.

Fitore, fitore, fitore!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco