'Politikat marksiste të dyshes Harris–Walz mund të nisin një krizë ekonomike botërore'

'Politikat marksiste të dyshes Harris–Walz mund të nisin një krizë ekonomike botërore'

18:58, 17/08/2024
A+ Aa A-

Politikat e majta të dyshes Biden – Harris e kanë dobësuar ekonominë Amerikane. Politikat marksiste te dyshes Harris – Walz do të nisnin një krizë ekonomike botërore, një mësim ekonomik dhe për Shqipërinë.

Nga Nikola Kedhi.

ImageShtetet e Bashkuara, ekonomia më e madhe e planetit, nuk kanë pasur një katër vjeçar të lehtë nën qeverisjen Biden – Harris.

Bazat e ekonomisë atje nuk janë të forta, dhe me një Europë gjithmonë e më të dobët, një recesion ekonomik i mundshëm në Amerikë do të godiste brigjet europiane dhe do të dobësonte më tej të gjithë Perëndimin.

Kam parë këto javë nga të majtë shqiptarë një përshkrim rozë të figurës së zv Presidentes Harris, që në fakt është një marksiste e bindur.

Politikat majtiste të Biden – Harris dhe pasojat e tyre janë një leksion i rëndësishëm për botën por sidomos për ne në Shqipëri, se si nuk duhet të jenë politikat qeveritare.

SHBA janë shumë herë më të fuqishme se ne, por në thelb politikat e majta ngelen të gabuara kudo ku ato aplikohen.

Numri i kompanive që kanë shpallur falimentin në SHBA ka kapur së fundmi shifrën e 2,462, numri më i lartë në 13 vite. Kompanitë në faliment janë më shumë se dyfishuar në vetëm dy vitet e fundit.

Degjohet shpesh në publikimet mujore se rriten vendet e punës në SHBA.

E para, qeverisja Biden – Harris nuk ka krijuar miliona vende pune. Këto janë rikthimet në punë pas pandemisë COVID-19 – pra, nuk janë vende të reja pune.

Së dyti, shumica e vendeve të reja të punës janë në sektorin publik, pra në administratë.

Së treti, dhe vendet e reja të punës që lajmërohen nga qeveria çdo muaj, rishikohen më poshtë muajin pasardhës.

Kështu, që nga shkurti i vitit 2022, vendet e punës kanë qenë 778,000 më pak se sa janë lajmëruar, sipas një analize të Blackrock. Vetëm këtë vit, nga Janari deri në Qershor vendet e punës të lajmëruara nga qeveria se janë hapur, janë korrigjuar duke u ulur me 279,000. Për më tepër, ekonomia amerikane ka humbur 192,000 vende pune në tremujorin e tretë të 2023.

Çmimet e drurit (lumber) kanë rënë në nivelin më të ulët që nga pandemia, dhe kanë rënë 80% në dy vitet e fundit. Druri konsiderohet si një nga indikatorët e sektorit të pasurive të patundshme, por dhe gjendjes së ekonomisë globale. Rënia e tij tregon një përkeqësim të sektorit të ndërtimit në ShBA. Kjo është reflektuar në shtëpitë e reja të ndërtuara, të cilat në qershor ranë në nivelin më të ulët në 4 vite. Kërkesat për kredi hipotekare kanë rënë në gusht në nivelin më të ulët që nga viti 1995.

Borxhi i familjeve amerikane arriti nivelin më të lartë ndonjëherë, në $17.8 trilion dollarë në tremujorin e dytë të vitit 2024, përfshirë një rekord prej $1.14 trilion në borxhin e kartave të kreditit. Kjo do të thotë që konsumatorët amerikanë po mbyten në borxh, dhe e kanë parë huamarrjen si mënyrën e vetme për të përballuar inflacionin e lartë.

Disponueshmeria e kredive për biznesin e vogël u ul në nivelin më të ulët në 11 vite. Ritmi i rënies është i ngjashëm me vitin 2007 përpara krizës financiare të vitit 2008, por dhe e ngjashme me vitin 1989, përpara recesionit të vitit 1990. Në të kaluarën, rënie të tilla përkuan me rritje të papunësisë (së fundmi, në muajin korrik papunësia u rrit në Shtetet e Bashkuara në 4.3%, nga 3.5% një vit më parë). Bizneset e vogla janë pra në recesion.

Defiçiti buxhetor i qeverisë amerikane kapi shifrën masive të $1.5 trilion dollarë – pra shteti amerikan ka shpensuar $1.5 trilionë më shumë se sa të ardhurat që ka mbledhur nga taksat. Ndërkohë, falë uljes së taksave nga Trump, të ardhurat qeveritare arritën shifra rekord (sipas një analize të Wall Street Journal). Që do të thotë se nuk është problem të ardhurash, por shpenzimesh. Pas sigurimeve shoqërore, shpenzimi kryesor i qeverisë amerikane ishin pagesat e interesit të borxhit. Borxhi ndërkohë ka kapur shifrën rekord të $35 trilionë dollarë.

Teksa papunësia rritet, dhe themelet e ekonomisë janë më të dobëta se përpara pandemisë, lind pyetja se për çfarë shërbeu printimi masiv i parasë, shpenzimet masive të qeverisë, e trilionë dollarë ndihma direkte për qytetarët? Mos ndoshta nuk është kjo rruga drejt prosperitetit për qytetarët? Nese e lë veten në dorë të qeverisë, atë që qeveria ta jep, ka dhe fuqinë të ta marrë. Ndaj e djathta zgjedh rrugën e lirisë ekonomike.

Sipas të dhënave të Federal Reserve të New York, 42 milionë karta krediti dhe 3.3 milionë këste për blerje makinash janë në prag falimenti. Indeksi i ndjesisë së tregtarëve në bursa ka rënë në 28.9, pika më e ulët që nga viti 2022.

Që kur administrata Biden – Harris filloi punën, çmimet janë rritur 20.2%, me çmimet e ushqimeve të rritura 21.6%, të qirasë 22% dhe elektricitetit 31.7%.

Këto janë pasojat e politikave të majta që rrisin shpenzimet, subvencionet, dhe deficitin, pa një rikthim në ekonomi, dhe në mirëqenien e gjithësecilit. Këto politika rrisin vetëm varësinë e individit ndaj burokracisë dhe qeverisë.

Inflacioni ndërkohë u rrit sepse FED, ashtu si Banka Qendrore Europiane e ajo Japoneze, printoi sasi masive të parasë, për të financuar shpenzimet qeveritare për klimën apo teoritë gender, apo para në dorë qytetarëve, e jo për të rritur prodhimtarinë e ekonomive respektive. Kjo bëri që vlera e parasë të binte. Natyrisht, u shoqërua dhe me luftën ndaj burimeve tradicionale të energjisë, pa pasur alternativa të qëndrueshme, gjë që rriti çmimet e elektricitetit.

Kamala Harris dhe kandidati i saj për zëvendës President Tim Walz duan të vazhdojnë edhe më tej me këto politika, duke i bërë dhe më keq. Pasi pranoi se qeveria e saj ka shkaktuar rritjen e çmimeve, ajo e gjen zgjidhjen në vendosjen e kontrollit të çmimeve, duke vendosur në mënyrë artificiale, si në komunizëm, çmime tavan.

Harris kërkon të rrisë taksat federale në mbi 40 përqind, dhe ka propozuar të eliminojë siguracionin privat, duke lënë vetëm atë shtetëror. Në 2019 ajo propozoi një plan $10 trilionë dollarësh për të ulur emisionet e gazit në zero deri në vitin 2045. Më tej ajo ka propozuar ndalimin e pompimit të naftës, që nëse do të ishte bërë ligj do të ndalonte 2 të 3 e gjithë prodhimit të naftës në SHBA.

Tim Walz, që Harris ka zgjedhur si kandidatin për Zv President, është dhe më radikal se ajo. Ka bërë Minnesotën ndër top 5 shtetet me taksat më të larta, der në 9.85%. Për krahasim, Florida nuk ka tatim për të ardhurat.

Minnesota është një nga shtetet e pakta në Amerikë që ka një taksë vdekje, në masën 16%, përmbi shifrës 40% në rang federal. Ka dhënë urdhër që të gjithë institucionet shtetërore të prodhojnë 80% elektricitet pa karbon deri në 2030, dhe 100% deri në 2040. E mori shtetin e vet me një surplus buxhetor prej $18 miliardë, dhe sot e ka harxhuar të gjithin, duke kaluar në deficit.

Ai kaloi një nga ligjet më liberale për abortin, duke e bërë të ligjshëm deri në lindje, sipas Wall Street Journal. Përkrahu protestat e dhunshme që i shkaktuan shtetit të tij $500 milionë dollarë dëme. Kaloi një nga ligjet më të tmerrshme trans, duke mandatuar marrjen e fëmijëve nga prindërit nëse këta të fundit nuk e lejojnë mutilimin gjenetik për fëmijët e tyre. Ka dalë hapur në mbrojtje të socializmit.

Nëse Kamala Harris dhe Tim Walz i afrohen Dhomës Ovale, dhe u jepet shansi të zbatojnë politikat e tyre marksiste, do të ishte fundi i Shteteve të Bashkuara siç i njohim, por dhe fillimi i një krize ekonomike të rëndë globale, që do të prekte të dy anët e Atlantikut.

Rruga e vetme për prosperitetin e çdo kombi, në SHBA apo në Shqipëri qoftë, janë taksat e ulëta, qeveri e vogël, shpenzime të matura qeveritare, liri më të mëdha individuale e ekonomike, rritje e produktivitetit dhe incentivim i sipërmarrjes.


Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco